Cilët janë inovatorët shqiptarë të teknologjisë këtë vit? - Business Magazine Albania

Cilët janë inovatorët shqiptarë të teknologjisë këtë vit?


Anerola Torollari

I shndërruar në Oskarin e teknologjisë për shqiptarët me një pasion për teknologjinë dhe dëshirën e madhe për të lënë gjurmë përmes saj në jetët e shqiptarëve nga mbarë trevat shqipfolëse dhe diasporë, Albanian ICT Awards 2019 zgjodhi më të mirët në teknologji dhe inovacion.

Businessmag në këtë artikull ju mëson më shumë rreth talenteve që po na e bëjnë jetën më të thjeshtë me produktet dhe shërbimet që po sjellin.

Artikulli u publikua më parë në faqen 65 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Meridian Miftari, fitues i çmimit Cyber Security me projektin “Analizë”, publikim për metodologjinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike

Meridiani, një i ri nga Podujeva, që në moshën 14 vjeçare ka filluar në merret me sigurinë kibernetike dhe me kalimin e viteve ai në mënyrë profesionale ka bërë testime dhe raporte në kompani ndërkombëtare. Ai është student i vitit të 3-të në Universitetin e Prishtinës, në Menaxhment&Informatikë, si dhe hulumtues i sigurisë kibernetike dhe pentester.

Me projektin që fitoi në ICT Awards ai po ofron një mundësi në arritjen e sigurisë optimale në sistemet e informacionit. Projekti konsiston kryesisht në identifikimin, analizimin dhe publikimin e mekanizmave për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, në të gjithë sektorët si: automobilistikë, farmaceutikë, financë dhe sigurime, shëndetësi dhe media. Projekti jep një përmbledhje statistikore të disa prej sulmeve kibernetike më të fundit që kanë ndodhur në Europë, por edhe metodat më të reja të mbrojtjes. Pra, parandalimin e sulmeve kibernetike.

“Për mua është hera e parë që marr pjesë në këtë kompeticion. Ishte emocionuese të shohësh të rinj të apasionuar pas teknologjisë. Për mua ishte vendi ku mund të demonstroj aftësitë e mia si dhe të matem me konkurentët e tjerë që janë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora”, thotë ai për Businessmag.

Meridiani, në projektin e tij ka përfshirë një analizë të sulmeve kibernetike në Europë: cilët sektorë janë prekur më shumë nga këto sulme, si dhe një publikim të mekanizmave për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, që mund të prekin çdo sektor të teknologjisë.

Në planet e tij për të ardhmen vazhdon të jetë kompania Gjirafa, ku punon me disa projekte. Ndërkohë, thotë se do të vazhdojë punën me identifikimin e dobësive edhe në platforma të tjera, qoftë lokale apo edhe ndërkombëtare.

Xhoena Polisi, fituese e çmimit Diploma e Vitit në ICT me projektin “Algoritma të detektimit të qelizave në mjedise të ndryshme qelizore”

Nëse i kryeni detyrat siç duhet, përfundoni duke fituar një çmim në kompeticionin më të madh të teknologjisë dhe inovacionit, Albanian ICT Awards.

Kështu ka ndodhur me Xhoena Polisi, aktualisht doktoratante në universitetin Epoka. Ajo punon si asistente projekti në departamentin e inxhinierisë kompjuterike, ku edhe studion për projektin PANBioRA, pjesë e grantit Horizon 2020, financuar nga Bashkimi Europian.

Me një pasion për kiminë dhe biologjinë vajza nga qyteti i vogël i Prrenjasit shprehet e lumtur që njohuritë e marra gjatë këtyre viteve i shërbejnë sot për të dhënë një kontribut më të madh në zgjidhjen e problemeve.

Xhoena fitoi çmimin “Diploma e vitit” me tezën e saj të masterit “Algoritma të detektimit të qelizave në mjedise të ndryshme qelizore”. Fusha kërkimore e kësaj teme fokusohet në analizimin e imazheve mjekësore, kryesisht imazhe qelizore në shkallën mikro. Rëndësia e analizimit me anë të algoritmave kompjuterikë lidhet me krijimin e një metode analizimi që nuk është invazive, nuk ndikon mjedisin e qelizave dhe jep rezultat të saktë në një kohë të shkurtër procesimi. Analiza zëvendëson metodat e tjera të përdorura nga biologët si testi MTT.

Tema e diplomës së saj lidhet me projektin PANBioRA, i cili synon të paraqesë një bashkësi pajisjesh, së bashku me protokolle dhe instrumenta që standardizojnë vlerësimin e biomaterialeve të reja. Detyra e saj është krijimi i një algoritmi që ndihmon në analizimin e shpejtë e të saktë të imazheve. Ky algoritëm do të implementohet në një mikroskop lehtësisht të transportueshëm dhe “low cost”. Në këtë mënyrë, produkti mund të jetë lehtësisht i arritshëm nga konsumatorët dhe do të japë rezultate të sakta në kohë reale. Ai pritet t’u vijë në ndihmë shumë kërkuesve të tjerë shkencorë, biologëve etj.

“Nuk mund të them me siguri arsyen pse e fitova këtë çmim, por mendoj që tema ime ka qenë e veçantë për shkak të fushës kërkimore dhe aplikimit të saj. Për fat të keq, në Shqipëri ende nuk kemi një qendër kërkimore që është e fokusuar në kryerjen e eksperimenteve dhe analizimin e sjelljes së qelizave”, tregon Xhoena.

Përfundimi i studimeve të doktoraturës dhe kontributi në fushën kërkimore me të cilën po punon janë objektiv për Xhoenën. “Do të doja që shumë shpejt të kishim një qendër kërkimore gjithëpërfshirëse në Shqipëri, ku shumë studentë të kishin mundësinë të shikonin implementimin real të shumë algoritmave dhe punimeve të tyre shkencore”, mbyll intervistën Xhoena.

Artikulli u publikua më parë në faqen 65 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Erion Çuni, fitues i çmimit Mobiliteti i Vitit me projektin “Kalipso”.

Nuk është rastësi që Erion Çuni ka rrëmbyer çmimin Mobiliteti i Vitit, në Albanian ICT Awards 2019. Në vitin 2018 ai me kompaninë e tij Almotech është përzgjedhur nga UK-Albania Hub për të shkuar në Londër, program i Ambasadës Britanike në Tiranë për kualifikimin, nxitjen, partneritetin (B2B) si dhe promovimin e bizneseve të reja premtuese të së ardhmes.

Erion Çuni ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, e më tej studimet master në Universitetin “La Sapienza” në Romë, Itali. Kthimi në Shqipëri pas studimeve i ofronte dy mundësi: ose të shikonte për mundësi punësimi në profesionin e tij, ose të niste rrugën e sipërmarrjes në fushën e shërbimeve dhe produkteve IT. Edhe pse fillimisht punonte si profesionist i lirë në disa projekte, nuk hoqi dorë nga dëshira për të krijuar një sipërmarrje të vogël, falë pasionit të së cilit u krijua “Almotech” (Albanian Mobile Technology). Kalipso është pjesë e Almotech, projekti me të cilin Erioni rrëmbeu çmimin në ICT Awards.

Kalipso lindi nga një nevojë e së përditshmes. “Duke zhvilluar disa produkte në sektorin e turizmit për një klient gjerman, vumë re se tregu aktual i guidave dhe i referencave për eksplorimin e pikave turistike të Shqipërisë nuk ishte aspak i aksesueshëm në një formë dixhitale, të thjeshtë, unike dhe gjithëpërfshirëse. Shumë eksperienca që përjetohen nga njerëz të ndryshëm janë po aq të fragmenuara sa është pothuajse e pamundur që t’i gjesh kollaj në botën e sotme dixhitale. Pikërisht, të gjitha këto na shërbyen për të përqëndruar kërkimin tonë. Gjetjet na ndihmuan të shtrojmë listën e prioriteteve për konceptimin dhe më tej realizimin e Kalipso”, thotë Erioni.

Kalipso përfaqëson një platformë që shërben në një mënyrë të thjeshtë, të mirëorganizuar dhe të mirëmenaxhuar për aktivitete turistike. Përveç qëllimit për t’u shërbyer bizneseve në fushën e turizmit, efekti maksimalizohet nga fakti se ai i shërben një audience të gjerë publike, qoftë turistë lokalë apo të huaj. Kalipso u mundëson klientëve të këtyre bizneseve (guidave dhe agjencive turistike) të eksplorojnë informacione e të dhëna mbi veçantitë dhe shumëllojshmërinë që ofron natyra shqiptare.

Përmes “Kalipso”, përdoruesit e guidave mund të kryejnë rezervimin në guidën e preferuar (kohën e përshtatshme, destinacionin e preferuar dhe informacionin e nevojshëm paraprak). Ata mund të përfitojnë këshillim si të përgatiten për eksperiencën. Përdoruesit mund të përfitojnë këshilla për një udhëtim të këndshëm e të sigurtë, të marrin detaje mbi itinerarin, hartën dhe një numër shërbimesh lokale.

Platforma përmbledh tre elementë: panelin e menaxhimit (për admin dhe guidat), faqen e dedikuar të internetit dhe aplikacionin (për përdoruesit). Aksesi i përmbajtjes dhe i të dhënave mund të jetë online dhe offline. Çdo informacion është i disponueshëm në disa gjuhë, si dhe është i sinkronizueshëm dhe i menaxhueshëm në kohë reale.

Erioni ndihet i vlerësuar me këtë çmim. Procesi i parapërgatitjes për konkurimin ka qenë një përgjegjësi e madhe për të treguar vlerat dhe detajet që kanë bërë diferencë në punën e tyre për realizimin e Kalipso. “Ishte shume emocionuese kur Ministri për Sipërmarrjen i Republikës së Kosovës lexoi vendimin e Jurisë dhe përmendi emrin tim si fitues. Do ta mbaj mend gjatë”, shprehet Erioni.

E ardhmja për Erionin është vijueshmëria e vizionit, e ambicies dhe e investimit që ka sot. Në të ardhmen e afërt një prej synimeve të grupit të punës është maksimalizimi i vënies në shfrytëzim të produkteve dhe shërbimeve të realizuara së fundi. Flitet për 5 projekte që tashmë janë të përfunduara, një ndër të cilat është edhe “Kalipso”. Synim i rëndësishëm është edhe dedikimi ndaj punës novatore dhe i punës kërkimore për to. Ai nuk harron të përmendë investimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor. Kualifikimi dhe rritja profesionale e skuadrës mbetet prioritet i përditshëm.

Shërbimi Publik i vitit, fiton Platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për këshillim dhe orientim në karrierë, “Busulla.COM” në Kosovë (Sovran Berisha)

Një çmim mjaft i rëndësishëm në Albanian ICT Awards është ai i shërbimit publik të vitit. Këtë vit ky çmim u nda për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Busulla.com ishte projekti fitues në Kosovë me përfaqësues Sovran Berishën. Platforma për këshillim dhe orientim në karrierë, e mbështet orientimin në karrierë për përdoruesit përmes pesë hapave të këtij procesi. Për ta lehtësuar qasjen në platformë, ajo është e disponueshme si website dhe aplikacion mobile. Nxënësit, studentët dhe kandidatët e interesuar mund ta realizojnë njohjen e vetvetes përmes testeve të karrierës, siç janë: Interesat, Vlerat, Aftësitë dhe Preferencat (IVAP); Testi për Vlerësim të Potencialit dhe Testi Certifikues Basiçheck®.

Eksplorimi i botës së profesioneve është hapi i dytë i procesit të orientimit në karrierë. Përmes këtij moduli kandidatët mund të informohen rreth pagës mesatare, kërkesës, njohurive dhe shkathtësive të kërkuara, nivelit të kërkuar të shkollimit, aktiviteteve, përgjegjësive, etj. Gjithashtu, ofrohen video të secilit profesion, qëllimi i të cilave është njohja nga afër e kandidatit me profesionin dhe ambientin e punës.

Identifikimi i shkollave dhe kolegjeve/universiteteve është hapi i tretë i procesit të orientimit në karrierë. Busulla.COM ofron modulin me të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit, ku ofrohen informacione rreth drejtimeve, profileve, lëndëve dhe pagesës.

Identifikimi i vendeve të lira të punës dhe praktikës është moduli i platformës. Platforma ka aktualisht rreth 3,000 shpallje për vende të lira punë dhe praktikë. Në platformë kanë mundësi të aksesojnë bizneset dhe përdoruesit aktivë.

Këshillimi online është hapi i fundit i procesit të orientimit në karrierë, i cili administrohet përmes modulit Këshilltari online. Ai ofron këshilla por edhe forume diskutimi, videot e historive të suksesit dhe këndin e pyetjeve të shpeshta.

Platforma është funksionale që në Nëntor 2017 për shkollat publike në Kosovë. Aty mund të përfitojnë edhe individë dhe institucione të tjera. Vlera më e madhe e platformës qëndron tek ofrim i bazës shkencore për procesin e orientimit në karrierë dhe qasje të lehtë në informacione. Ndaj, sfida në proces ka qenë sigurimi i të dhënave për të gjitha institucionet e arsimit. Këto të dhëna janë mbledhur nga ekipi i kompanive implementuese, në bashkëpunim me institucion arsimor publik.

Busulla.COM është platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ndërsa konsorciumi i kompanive Smart Bits dhe Basic Check është implementues i projektit. Kompania Smart Bits, degë e kompanisë Smart Bits GmBH në Zvicër, është e vendosur në Prishtinë dhe përbëhet nga një ekip prej 17 personash, të cilët janë të angazhuar në implementimin dhe shpërndarjen sa më të suksesshme të projektit tek përdoruesit.

“Duke kuptuar rëndësinë dhe dobinë e platformës në procesin e orientimit të të rinjve në karrierë, platforma ka tërhequr vëmendjen e partnerëve të shumtë. Në forma të ndryshme të bashkëpunimit kemi arritur të sigurojmë partneritete me Luxembourg Agency for Development Cooperation, GIZ, Programin ASSET dhe World Learning të USAID, dhe Projektin EYE”, shprehet Sovrani për BusinessMag.

“Ky çmim konfirmon vlerën dhe rëndësinë e platformës në shoqërinë tonë. Padyshim që këtë arritje do ta përdorim për të stimuluar risi të tjera dhe më shumë punë përmes projektit”, shprehet Sovrani në lidhje me çmimin e fituar.

Objektivi për platformën është që Busulla.COM të vazhdojë të përdoret sa më shumë edhe në të ardhmen nga të gjitha palët, siç janë: nxënësit, studentët, mësimdhënësit, menaxherët e shkollave, prindërit, bizneset etj. Gjithashtu, për të siguruar përfitim sa më të gjerë të publikut, synohet që platformën ta përdorin edhe individë të tjerë për orientim apo riorientim në karrierë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 65 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Rijat Abdullai fitues me projektin “Qendra për shërbime të IT-së” në kategorinë Shërbimi Publik i Vitit në Maqedoninë e Veriut.

Qendra për shërbime IT funksionon për një periudhë të gjatë në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut. Si aplikacion i zhvilluar nga resurset e vetë bankës, përditësohet vazhdimisht sipas nevojave të klientit, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron Banka e Maqedonisë së Veriut.

Produkti është një aplikacion web, nga i cili, punonjësit e bankës e të gjithë ata që merren me të dhënat bankare (që ndërlidhen me sistemin e informacionit të BPRMV-së -bankat komerciale, institucionet shtetërore, kompani private, etj), marrin shërbime nga katalogu i aplikacionit.
Kërkesat nga katalogu i shërbimeve menaxhohen nga departamenti i IT-së, pavarësisht prej kategorisë dhe peshës së shërbimit. Në total bëhet fjalë për mbi 3.500 përdorues.

Qendra për Shërbime të IT-së synon që çdo shërbim i IT-së që ofrohet nga katalogu i shërbimeve, të dorëzohet deri tek përdoruesi në formë efektive dhe efikase.

Një kërkese bazë fillimisht përçohet tek stafi për shërbime të IT-së. Nëse stafi nuk mund ta zgjidhë vetë, e drejton tek njësi më të specializuara brenda departamentit të IT-së. Çdo hap evidentohet dhe çdo evidencë shënon kohën e nevojshme për realizim. Në bazë të realizimit të kërkesave, bëhet edhe informimi i klientit ose parashtruesit të kërkesës.

“Gjatë zhvillimit të projektit, kanë marrë pjesë më shumë të punësuar të bankës, respektivisht 4 zhvillues softueri”, thonë pas marrjes së çmimit. Përpos funksionimit si qendër për IT-shërbime, projekti, tani është në një fazë tjetër, në të cilën të njëjtit i shtohet edhe pjesa e CMDB (Configuration managment).

“Mbështetje kemi pasur nga disa banka qendrore europiane, sidomos banka qendrore e Holandës, me të cilën kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm si pjesë e asistencës teknike që ajo na ofron dhe bankat tjera të Bashkimit Europian”, shprehet Rijati për BusinessMag.

“Pjesëmarrja në Albanian ICT Awards ishte krejt e rastësishme. Pas vizitës së ekipit të ICT Media në UEJL në Shkup, na lindi ideja që të marrim pjesë”, thotë Rijati.

Bankat qendrore janë institucione specifike, ndaj edhe kërkesat e projekteve janë jo standarde dhe si të tilla duhet të programohen vazhdimisht në formë autentike, thotë ai duke theksuar se për çdo vit kalendarik ata pasurojnë edhe katalogun e shërbimeve.

Fiona Meqa fituese e çmimit Ylli në Ngritje me projektin “Shtëpia e Zgjuar” (smart home)

Kush tha që një vajzë 12 vjeçare, me një pasion dhe talent të madh nuk mund të fitojë një çmim që premton shumë për të. Fiona Meqa, nxënëse në klasën e VII të SHFMU “Fehmi Agani” në Gjakovë është fituesja e çmimit Ylli në Ngritje me projektin Shtëpia e Zgjuar, në këtë edicion të ICT Awards. Një vajzë që adhuron librin, sportin, muzikën, por më së shumti pëlqen që kohën e lirë ta kalojë duke hulumtuar rreth risive të TIK, na tregon disa nga punimet e saj në fushën e IT si: Llampa e tavolinës, e bërë nga materiale të riciklueshme, Dritat e Trafikut – Semafori, punim për lëndën e TIK-ut në shkollë, Roboti që përcjell vijën e zezë, punim final i kursit të elektronikës si dhe Shtëpia e zgjuar, fituese në kategorinë “Ylli në ngritje i vitit” në edicionin e fundit të Albanian ICT Awards.

“Ideja fillestare për projektin “Shtëpia e zgjuar” vjen nga shqetësimet e prindërve kur ndodheshim jashtë shtëpisë dhe binte nata”, thotë Fiona. “Ata gjithnjë merakoseshin për sigurinë e shtëpisë, e cila ishte në errësirë”.

Shtëpia e zgjuar funksionon duke shfrytëzuar rrjetin WiFi për ta kontrolluar atë përmes aplikacionit të instaluar në telefon. Nga ky aplikacion, mund të aktivizohet sistemi i ngrohjes, të realizohet ndezja dhe fikja e dritave nga distanca përmes klikimit apo komandave me zë. Por, edhe në mënyrë të automatizuar, të ndizen dritat në mbrëmje kur drita natyrore zvogëlohet ose ka lëvizje dhe të fiken nëse harrohen në mëngjes kur drita natyrore rritet. Këtij projekti lehtësisht mund t’i ndryshohen dhe adaptohen funksionet që ka, të cilat nuk mund të gjenden diku tjetër të përfshira në një pajisje.

Ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i projektit. Si fillim idea ishte shumë e thjeshtë: ndezje  dhe fikje e dritave, pavarësisht nëse është ditë apo natë. Por, me kalimin e kohës dëshira për të krijuar diçka gjithpërfshirëse bëri që të adaptohet projekti që fitoi çmimin në ICT Awards.

“Mbështetësit kryesorë kanë qenë prindërit e mi, për motivimin e dhënë dhe sigurimin e pjesëve elektronike përmes blerjes online. Një falenderim i veçantë shkon për “IPKO Foundation”, për ofrimin e kurseve të elektronikës në hapësirën krijuese Bonevet”, shprehet Fiona.

Për Fionën “Shtëpia e zgjuar” është një vendbanim me pajisje, të cilat i automatizojnë punët që zakonisht kryhen nga njerëzit. Përmes një aplikacioni mobile dhe me ndihmën e “Shtëpisë së zgjuar” ofrohet mundësia të kontrollohet ndezja dhe fikja e dritave, aktivizimi i ngrohjes, ftohjes etj. Ky projekt e bën jetën më të rehatshme, pa qenë nevoja të lëvizni në shtëpi për të kryer funksionet e ndryshme. Një avantazh tjetër i Shtëpia e zgjuar është kursimi i energjisë elektrike, pasi dritat fiken në mënyrë të automatizuar nëse harrohen ndezur.

“Pjesëmarrja në Albanian ICT Awards ishte një eksperiencë e re dhe shumë e rëndësishme për mua. E konsideroj veten me fat që isha mes finalistëve në mbrëmjen Gala. Në momentin që u thirr emri im u emocionova shumë dhe u ndjeva krenare për veten time, për shkollën ku mësoj, por më së shumti për familjen time. Kjo eksperiencë më frymëzoi që t’i përkushtohem akoma më shumë fushës së TIK, për t’u sfiduar në jetë”, tregon Fiona.

Fiona nuk mjaftohet me kaq. Në të ardhmen do të vazhdojë me integrimin e disa funksioneve të tjera në projektin e shtëpisë së zgjuar, si dhe së shpejti do të realizojë një projekt tjetër të vogël për shkollën e saj, që do të lehtësojë punën e punonjësve teknikë.

“Unë do të vazhdoj me ide inovative dhe t’i kthej ato në projekte praktike”, mbyll intervistën BusinessMag Fiona.

Artikulli u publikua më parë në faqen 65 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Agon Avdimetaj fitues i Inovacioni i Vitit në Albanian ICT Awards me projektin Rosie

Inovacioni i Vitit është një ndër çmimet më të lakmuara dhe këtë edicion e rrëmbeu i riu nga Prishtina, Agon Avdimetaj. Agoni ka studiuar për Inxhinieri Kompjuterike dhe qëndron pas themelimit të disa startup-ve si Vianova Health, ZombieSoup, AppSix, të cilat ka arritur t’i shndërrojë në kompani të mëdha dhe lojtarë kryesorë të teknologjisë në rajone të ndryshme të Amerikës, Europës dhe Australisë.

Rosie është një chatbot inteligjent artificial që orkestron detyrat e përditshme për pacientët duke përpunuar miliona të dhëna në kohë reale. Ai ndihmon edhe mjekët dhe anëtarët e familjes të monitorojnë, edukojnë dhe trajnojnë pacientët për shëndet më të mirë.

Gjithashtu Rosie punon me njerëz, të cilët kanë sëmundje kronike në faza të avancuara si rasti i  diabetikëve.

Aplikacioni “Tirana Ime” me risi dhe teknologji të fundit

Në këtë edicion të ICT Awards, Vodafone Albania dhe Bashkia Tiranë përfaqësuar nga z. Elvis Bregu garuan në kategorinë Shërbimi Publik i Vitit, ku u shpallën edhe fitues për Shqipërinë. Në Mars të këtij viti Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Vodafone Albania sollën risitë në aplikacionin Tirana Ime. Bëhet fjalë për një funksion të ri, i cili tregon cilësinë e ajrit në kryeqytet në disa zona. Fillimisht janë vendosur 4 aparaturat e para, të cilat do të testohen dhe më pas do të shtohen të tjera me kalimin e kohës.

Një prej tyre është vendosur në Kashar, një tjetër tek 21 Dhjetori, tek rruga e Elbasanit dhe e katërta tek Sheshi Skënderbej: Këto katër vende janë zgjedhur në mënyrë të tillë që qytetarët dhe të gjithë të kenë mundësi të krahasojnë nivelin e ndotjes.

I bazuar në platformën SmartCity duke përdorur teknologjitë më të fundit të Matjeve të Cilësisë së Ajrit dhe IoT nëpërmjet rrjetit 4G të Vodafone në Shqipëri, ky projekt vjen në shërbim të publikut kryeqytetas dhe vizitorëve të shumtë, si funksionaliteti më i ri dhe inovativ i aplikacionit TiranaIme, duke mundësuar leximin në kohë reale dhe publikimin e të dhënave mbi cilësinë e ajrit në Bashkinë e Tiranës.

Julia Hoxha, fituese e çmimit Gruaja e Vitit në ICT me projektin Zana

Ajo ka një karrierë të pasur akademike. Është bashkëthemeluese e Institutit Shkencor Shqiptar. Ajo vjen nga qyteti i Tiranës dhe aktualisht jeton në Gjermani.

Në ICT Awards VII mori pjesë me projektin Zana. Si ndihmëse me inteligjencë artificiale për personelin mjekësor, Zana ndihmon në monitorimin dhe konsultimin e pacientëve, duke e thjeshtëzuar trajtimin e tyre nëpërmjet analizës së të dhënave të grumbulluara, si dhe ul kostot duke ofruar shërbim në distancë. Ky shërbim realizohet nëpërmjet një ndërfaqeje me komunikim zanor që integrohet lehtësisht në pajisjet dixhitale.

Lidhur me kurorëzimin si Femra në ICT në edicionin e 7-të të Albanian ICT Awards ajo tha se, “ky çmim më inkurajon dhe motivon të punoj më fort për të avancuar teknologjinë në të mirë të shoqërisë si dhe për të lartësuar emrin Made in Albania”.

Artikulli u publikua më parë në faqen 65 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0