Koha për të qeverisur një sipërmarrës?! Pse Shqipërisë dhe Botës u duhet modeli Trump? Shteti si një kompani dhe qytetarët aksionerët e saj - Business Magazine Albania

Koha për të qeverisur një sipërmarrës?! Pse Shqipërisë dhe Botës u duhet modeli Trump? Shteti si një kompani dhe qytetarët aksionerët e saj


Në përgjithësi nuk preferoj të promovoj individët, por idetë. Individët ndryshojnë për t’u shërbyer nevojave dhe qëllimeve të tyre, duke zhvendosur parimet dhe larguar vlerat. Idetë, nga ana tjetër, mbeten, të vendosura përjetësisht në gur, të palëkundura dhe të pandikuara nga ndryshimi i rrethanave. Idetë, ndryshe nga individët, nuk të lënë në baltë kurrë, nuk të braktisin asnjëherë dhe gjithmonë të shpëtojnë. Megjithatë, në përjashtim të këtij rregulli, do të bëj një “endorsement”, të një ideali që është rimishëruar në një individ që mban emrin e Donald J. Trump.

Qytetarët amerikanë, por dhe ata të shumë vendeve të tjera të botës, janë të lodhur nga politikanët që shpallen si self-made kur janë të rremë nga koka te këmbët, të gatuar në laboratorët e fondacioneve të fshehta për qëllimet e tyre. Njerëzit janë të frustruar me liderët e vetëshpallur, puna e të cilëve është të sabotojnë vetë partitë apo grupimet e tyre sipas urdhrave të bosëve të tyre. Dhe qytetarët janë të irrituar që e ardhmja e tyre shkruhet në zyrat e burokratëve, spekulatorëve dhe pseudo filantropëve. Trump qëndron si një refuzim i të gjithë kësaj.

Pas dekadash të frikësuar nga fuqia e establishmentit, elektorati amerikan më në fund filloi të luftonte. Qytetarët amerikanë zgjodhën një kandidat që përfaqësonte guximin dhe frustrimin që ata ndjenin prej shumë kohësh.

Në rradhë të parë, Presidenti Trump ka mbrojtur vazhdimisht atdheun dhe popullin e tij me një vendosmëri të paparë që nga koha e George Washington.

Së dyti, Trumpi nuk kërkon falje për atë që përfaqëson dhe nuk përkulet para intimidimit mafioz të së majtës. Ai pati përballë një makineri të fuqishme të përbërë nga të gjitha mediat e establishmentit, Partia Demokratike dhe një pjesë e Partisë Republikane. Gjithësesi, ai fitoi, pasi pas çdo goditje që merrte nuk kthente faqen tjetër siç kanë bërë gentlemen-ët e së djathtës deri më sot, por luftonte për vlerat e harruara dhe traditën e popullit të tij nën sulm nga globalistët.

Presidenti amerikan u erdhi në ndihmë bashkëkombasve të tij në një moment kur vlerat dhe principet shekullore të tyre, traditat dhe mënyra e jetesës ishin nën një goditje të pashembullt nga internacionalistët e majtë. Qeveria sa vinte e zmadhohej, taksat sa vinin e shtoheshin, sistemi gjyqësor po ndryshonte nga lobet e majtë dhe burokracia po u zinte frymën sipërmarrësve dhe bizneseve të mesme e të vogla. Trump u ofroi amerikanëve një zgjim të dinjitetit të tyre, të ndjenjës patriotike dhe të shpirtit të sipërmarrjes. Ai i paraqiti një kontratë elektoratit dhe në këto dy vite ka treguar se po përmbush çdo pikë të saj.

Lexo: Burokratët europianë sërish nuk kanë kuptuar asgjë

Në tremujorin e parë të vitit 2019, ekonomia u zgjerua me 3,2 për qind. Analistët kishin pritur një normë të shëndetshme, por më të ulët, prej 2.5 përqind. Numri mahnitës reflektoi rritjen  galopante në të gjitha anët: në paga, në tregun e punës, në bursë dhe eksporte.

Shkalla e papunësisë është në pikën më të ulët në gjysmë shekulli dhe midis grupeve të veçanta si afrikano-amerikanët, hispanikët dhe gratë, shkalla e papunësisë është në ose afër pikave më të ulëta historike. Ekonomia e Trump ka krijuar më shumë se 5 milionë vende pune, shumë prej tyre në sektorin e prodhimit. Jo shumë kohë më parë Presidenti Obama e deklaroi atë sektor të vdekur dhe të varrosur.

Vendi po shijon një ekonomi të begatë të ndërtuar mbi një ringjallje të ekonomisë së tregut të lirë, taksave më të ulëta, liberalizimit, hapjes së sektorit të energjisë dhe reformës së tregtisë. Dhe zoti Trump arriti këto rezultate të jashtëzakonshme, ndërsa ishte nën hetime të posaçme të Demokratëve, nga të cilat tashmë është i lirë dhe i shpallur i pafajshëm.

Trumpi e sheh qeverinë si një nga kompanitë e tij. Ai heq nga puna ata pjesëtarë të administratës, pa dallim partiak, që nuk janë efikas dhe shpërblen ata që punojnë mirë dhe japin rezultate. Ashtu siç vetëm një sipërmarrës di, ai po zbaton pikat e kontratës me palën tjetër, pra elektoratin, duke arritur të krijojë në pak vite ekonominë më të mirë në të gjithë planetin. Duke rritur mirëqënien, duke e bërë Amerikën të jetë shpresa e aleatëve dhe frika e armiqëve, ka arritur të ngrejë dinjitetin e popullit të vet dhe ndjenjën patriotike.

Teksa shihja 20 mijë patriotë që mirëprisnin Trumpin në skenën e një stadiumi në Orlando të Floridas, ku Presidenti shpalli kandidaturën për një mandat të dytë, nuk mund të mos ndjeja keqardhje për shqipëtarët. Ata njerëz nuk ishin mbledhur aty për të adhuruar Trumpin deri në vetëmohim. Ata ishin mbledhur për të përshëndetur e brohoritur rimishërimin e disa principeve që e majta përçarëse, skllavëruese dhe vrastare përpiqet t’i zhdukë prej më shumë se një shekulli. Patriotizmi, dinjiteti dhe individi i lirë e jo nën zgjedhën e qeverisë qenë vlerat në të cilat u bazuan etërit themelues të SHBA-ve. Këto vlera perfaqëson Donald Trump sot. Te ne këto vlera nuk ekzistojnë. E nuk mund të mos ndjesh keqardhje për njerëz që kanë flakur këto principe dhe ndjekin kryetarët e vegjël, oh sa të vegjël!, të partive dhe fjalën e tyre e marrin si të ishte fragment i Dhjatës së Re. Nga ana tjetër, është shumë kollaj t’ua hedhësh fajin politikanëve dhe shumë e vështirë t’i pergjigjesh pyetjes se kush i la këta politikanë të vjedhin, të shesin burime natyrore e të bëjnë ç’të duan. Nëse do të kishte zë qytetar, e jo adhurues partish, nuk do guxonte shtetar të fuste duart në xhepat e njerëzve. Nuk do të guxonte politikan të ndryshonte kushtetutën në mes të natës, të të rrëmbente pronën teksa je duke fjetur, ta linte vendin pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë, e të tallej me histori kazanesh, tepsishë e filxhanësh, ngjarje që në botën nga vjen Trump as nuk imagjinohen, jo më të ndodhin.

Këta njerëz të skllavëruar nga kryetarët e partive, që pas gjysmë shekulli në diktaturë vuajnë rëndë nga sindroma e Stokholmit, që nuk u besojnë syve dhe veshëve kur u del natyra e vërtetë e atyre që ndjekin, besojnë se zgjedhin të keqen më të vogël. Dhe se ajo e keqe më e vogël është partia e tyre. Qoftë dhe kur është një parti që mban mbi supe 70 e kusur vite krimi. Për sa kohë njerëzit do të mjaftohen me të keqen më të vogël në vend që të luftojnë për më të mirën e mundshme, do zgjedhin fasadën në vend të punës dhe substancës, do të këmbejnë shown e mbjelljes së një peme me betonizimin masiv, do të lejojnë vjedhjen e milionave përkundrejt një rruge bicikletash, do te mbetemi dhe 50 vjet te tjera në të njëjtën pikë ku jemi. Dhe kjo nëse do të kemi fat. Se s’është fare çudi, të gjendemi dhe 40 vjet me larg se ç’jemi sot.

Mund të jemi vendi i vetëm i Europes, që me eksitim adoleshenti mbledh njerëzit e lagjes, pallatit apo rrugës dhe i çon me zor në takime elektorale. Mund të jemi i vetmi vend në Botë në të cilin administrata përndiqet në rrjete sociale se kë pelqen, bën mik apo te kush komenton. Modeli Trump është ai që e refuzon spiunimin, servilizmin, lëpirjen dhe nënshtrimin për një copë vend pune të pamerituar dhe ngre lart dinjitetin e njeriut, nxjerr në pah aftësitë sipërmarrëse të atyre që i kanë dhe çliron ekonominë nga parazitët që i zënë frymën.

Parësore mbetet që njerëzit të kuptojnë se duhet të mendojnë me kokën e tyre, se duhet të heqin dorë  nga dashuria për liderin e partisë, duhet të shkëputen nga mentaliteti komunist që u është rrënjosur në deje dhe se duhet t’i thonë lamtumirë një herë e mirë dhe me perbuzje partisë që ka 75 vjet që sundon këtë popull, herë me ndihmën e fqinjëve që shpeshherë na japin një dorë (të mbrapshtë, e që për dreq qëllon dorë e majtë) e herë me ndihmën e fondacioneve filantropiste.

Duhet të mësojmë ta shohim politikën si një sipërmarrje ku jemi aksionerë të gjithë. Si aksionerë një herë në 4 vjet duhet të zgjedhim një bord drejtues dhe një drejtor ekzekutiv. Si në një kompani, edhe në qeverisje synimi duhet të jetë maksimizimi i fitimit për ne aksionerët. Sa më shpejt të fillojmë ta shohim politikën si një kontratë dhe si një marrëdhënie biznesi, aq më shpejt do fillojë ndryshimi. Vetëm në këtë mënyrë individi do të kërkonte llogari në vend të vraponte drejt justifikimit të liderit. Duke e parë në këtë mënyrë, qytetari vë interesin e tij para atyre të politikanëve.

Njerëzit në këtë vend janë të varfër e të pashkolluar. Janë lënë të tillë që të kontrollohen më kollaj nga e majta që shton të varfërit dhe bën të ndihen të rëndësishëm të pashkolluarit, siç ndodh kudo ku qeverisin këto forca. E majta e ka kuptuar se nëse një njeri e shkollon keq, ja heq mundësitë për ta formuar si qytetar dhe e lë në varfëri, atëherë i ke hequr dinjitetin, që është arma më e fortë e çdo individi. Atëherë ai bëhet i varur nga qeveria dhe e vetmja gjë që mund të bëjë është të pranojë lëmoshën që i ofrojnë qeveritarët, pasi aftësitë krijuese, logjike e sipërmarrëse i janë hequr me forcë. Sa më shpejt të thyhet ky rreth vicioz aq me shpejt modeli i qeverisjes do të ndryshojë. Pas ndryshimit të mentalitetit vijnë gjithë të tjerat, nga mënyra e zgjedhjes së këtyre shërbëtorëve të popullit, llogaridhënia, programet e të tjerat me rradhë. Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që braktisin broçkullat horror e fantastiko-shkencore të socializmit dhe përqafojnë sipërmarrjen e lirë, taksat e minimizuara, besimin në Zot, shenjtërinë e familjes, forcimin e individit dhe mendimit të lirë e logjik.

Natyrshëm, këtë ndryshim nuk mund ta bëjë militanti i partisë, ai që është brumosur me frymën e etatizmit, socializmit e komunizmit. Nuk mund ta bëjë ai ose ajo që nuk mendon, nuk lexon, nuk analizon dhe nuk ka ndërgjegje qytetare e që e hedh votën kot, pa kuptuar se sa dëm bën. Nuk mund ta bëjë ai që ndjek partinë e vet deri në greminë, nuk u beson syve e veshëve të vet, por vetëm zërit të liderit.

E sigurisht nuk mund ta bëje ai qe zgjedh një ideologji që ka vrarë mbi 100 milionë njerëz në shekullin e fundit, që e sheh njeriun si një statistikë, si një pjesë të turmës të zhveshur nga çdo lloj personaliteti, karakteri, principi apo mendimi.

Këtë s’mund ta bëjë as elita mediokre që krijoi komunizmi me njerëz pa kurrfarë vlere, intelekti apo prejardhje që u vunë në drejtim të vendit dhe që vazhdojnë ende ta endin këtë vend kuturu. Këta njerëz nuk mund të kuptojnë çka është thënë më sipër, pasi ajo që ata dinë është si të jenë të varur nga qeveria, si t’i shërbejnë ose binden asaj dhe si të thithin më shumë nga ajo. Nuk e dinë konceptin e institucionit, forcës së ligjit, sipërmarrjes, e iniciativës, e thenies së mendimit të vet të lirë e të painfluencuar, nuk e dinë ç’është e drejta e ndaj nuk mund të refuzojnë të gabuarën. Ndaj kjo analizë apo të tjerat që janë shkruar e do vijojnë s’janë e s’mund të jenë për ta.

Ata që e kuptojnë modelin e duhur të qeverisjes, të zhvillimit të ekonomisë, të arsimimit e të kulturës janë ata që kanë një shkollim të bërë me forcat e tyre, kanë një formim të djathtë, një prejardhje nga shtresa pronarësh apo ish të persekutuar, që rrezojnë ideologjinë e internacionales socialiste të globalizmit dhe përqafojnë doktrinën e konservatorizmit. Pra, ata që nuk kanë pasur në dorë fatet e këtij vendi prej të paktën vitit 1945.

Shumica e heshtur u zgjua nga Donald Trump në Amerikë, e ndjekur nga Britania, Italia, Brazili, Franca etj. Ka ardhur koha që të zgjohet dhe te ne. Dhe gjithçka fillon nga zgjimi i kurajos, formimi i identitetit dhe inkurajimi i vlerave.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0