Burokratët europianë sërisht nuk kanë kuptuar asgjë - Business Magazine Albania

Burokratët europianë sërisht nuk kanë kuptuar asgjë


Nga Nikola KEDHI

Një votë revolte, zhgënjimi dhe ndëshkimi!

Kjo qëndron në thelb të zgjedhjeve europiane që u zhvilluan nga data 23 në datën 26 Maj në 28 vendet e Bashkimit Europian.

Të lodhur nga burokratë të korruptuar, marrëveshje okulte të korridoreve te Brukselit dhe politikanë që shikojnë zgjedhësit e tyre nga lartësitë e Pallateve Qeveritare nga ai i Elysee-së, në atë të Moncloas e deri në Downing Street, votuesit europiane dolën në numrat më të mëdhenj të 20 viteve të fundit për të tërhequr vëmendjen e shërbëtorëve të tyre në Parlamentin European, që çdo herë pas marrjes së mandatit, harrojnë se për çfarë janë zgjedhur.

Partitë Popullore Europiane (PPE) dhe Aleanca progresiste e socialistëve dhe demokratëve, dy grupimet tradicionale të Parlamentit Europian (PE), respektivisht të qendrës së djathtë dhe të majtë, kanë pësuar një rënie të konsiderueshme në krahasim me legjislaturën e kaluar. Popullorët europianë kanë marrë 37 vende më pak, ndërsa aleatët e tyre në legjislaturën e kaluar, pra socialistët, kanë marrë 41 me pak, duke e bërë të pamundur përsëritjen e aleancës aspak naturale të deritanishme, pasi nuk kanë numrat për të bërë shumicën. Të dyja grupimet që kanë pasur pushtetin dhe fatet e Bashkimit Europian në dorë prej gjysmë shekulli, janë ndëshkuar për dy arsye:

  • Kanë qënë në një trajektore që i ka çuar gjithmonë e më larg qytetarit të thjeshtë Europian, duke e lënë Europën të fundit për nga rëndësia në skenën botërore, në mëshirën e rivalëve gjeopolitikë dhe ekonomikë dhe të krizave financiare që kanë zënë vend prej vitit 2008, por me shkaqe shumë më të hershme.
  • Aleanca mes popullorëve dhe socialistëve ka bërë që të shkrihen dallimet ideologjike mes dy grupimeve që normalisht qëndrojnë larg njëri-tjetrit si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ana sociale dhe kulturore.

Për rrjedhojë, votuesit europianë kanë preferuar të votojnë grupimet ekologjike të të gjelbërve dhe grupin liberal ALDE, ku bën pjesë dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe forcat politike të djathta të sovranistëve, që besojnë në një Europë të kombeve, të bashkuar rreth vlerave kristian demokrate, përgjegjësisë ndaj qytetarit, dinjitetit kombëtar, taksave të ulëta, forcimit të sipërmarrjes dhe fuqizimit të biznesit të vogël dhe të mesëm si dhe reduktimit të ndjeshëm të burokracisë.

Gjithësesi, Partitë Popullore Europiane janë forcë e parë, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme. Por, në vend që të dëgjojnë thirrjen e fortë plot bindje për ndryshim, popullorët europianë zhgënjejnë, duke treguar që në momentet e para të daljes së rezultateve se janë të gatshëm të ripërsërisin marrëveshjen e vjetër me socialistët dhe të gjelbërtit, pa harruar dhe grupimin e qendrës ALDE.

Por çfarë do të thotë kjo për Europën, qytetarin e thjeshtë dhe ekonominë në terma makro? Partia Popullore Europiane pretendon se është një grupim i djathtë që beson të shteti i vogël, taksat e ulëta, derregullimi dhe forcimi i individit. Nga ana tjetër kërkon të krijojë një aleancë me forca të cilat besojnë te barazia e rezultatit dhe jo te barazia e mundësive. Të tëra këto forca të majta kërkojnë të rrisin taksat për të financuar programe prej miliona eurosh që kanë të bëjnë me ngrohjen globale, subvencione, ndihma ekonomike e të tjera të ngjashme që nuk ndihmojnë aspak në rritjen e produktivitetit, të PBB-së, në rritjen reale të rrogave dhe në zhvillimin e sipërmarrjes, që është motorri i ekonomisë së çdo vendi.

Pra PPE do të jetë në mëshirën e këtyre forcave të majta që dinë vetëm të shpenzojnë pa fre dhe të rrisin taksat, siç dhe ka ndodhur në 5 vitet e fundit. Por, problemi me socializmin, siç ka thënë Margaret Thatcher, është se, eventualisht, mbarojnë paratë e të tjerëve. Dhe pikërisht këtë është duke vuajtur Europa sot.

Eurozona pas një dekade në rekuperim vazhdon të ketë inflacion të ulët (1.7% në Prill 2019), norma interesi negative dhe tre prej vendeve me borxhin më të lartë në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, Greqia me 181.78%, Italia me 127.5% dhe Portugalia me 117.54%. Politika e lehtësimit sasior që ka përdorur Banka Qëndrore Europiane (BQE) për të stimuluar ekonomitë e Eurozonës dhe rritur inflacionin, ka krijuar dhe një flluskë borxhi në Eurozonë, një ekses likuiditeti prej 18 milionë eurosh, dhe një balancë të fryrë të BQE-së në 40% të PBB-së, ndërkohë që produktiviteti pothuajse nuk është rritur fare.

Në një situatë ku ekonomitë e Bashkimit Europian nuk krahasohen me asnjë nga aktorët kryesorë në botë, të sapozgjedhurit e Parlamentit Europian propozojnë të vazhdohet po njësoj. Arsyeja është frika nga sovranistët dhe konservatorët, të cilët kanë rritur numrat e tyre në krahasim me vitin 2014 dhe do të përbëjnë rreth 23%  të parlamentit të ri.

Aq e madhe ishte frika ndaj këtyre partive, sa shumica e gazetave të establishment-it europian e nisën ditën pas zgjedhjeve me lajmin e mirë se sovranistët nuk kishin shumicën në parlament. Sigurisht, asnjë nuk priste që këto parti të fitonin një shumicë qeverisëse. Do të ishte absurde të mendoje një gjë të tillë, pasi, jo vetëm që janë forca që kanë pësuar rritje vetëm në vitet e fundit dhe sidomos pas fitores së Presidentit amerikan Donald Trump, por edhe sepse partitë tradicionale kanë një elektorat të vetin besnik, të kultivuar në dekada.

Megjithatë, pavarësisht zbehjes që mediat tentojnë t’i bëjnë, konservatorët europiane patën përparime në vendet kryesore të Europës. Matteo Salvini, Nigel Farage dhe Marine Le Pen mund të quhen fitimtarët e vërtetë të zgjedhjeve. Salvini e çoi partinë e tij nga 6% në vitin 2014, në 34% në zgjedhjet e këtij viti. Zv.Kryeministri italian ka një incentivë më shumë për të bërë realitet premtimin e taksës së sheshtë 15%, që do t’i jepte ekonomisë italianë një shtysë tejet të nevojshme. Le Pen arriti të dilte forcë e parë në Francë, duke i dhënë Presidentit Macron disfatën e parë elektorale. Nigel Farage në Britani arriti të dilte forcë e parë me një parti të krijuar vetëm 6 javë më parë, që tregon se frustrimi i britanikëve me mosrealizimin e Brexit është tejet i madh. Në Greqi, partia e ekstremit të majtë e kryeministrit Alexis Tsipras u mund nga Demokracia e Re e qendrës së djathtë. Kryeministri shpalli zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet t’i humbasë sipas të gjitha parashikimeve.

Shumica e ekonomive më të mëdha europiane votoi djathtas; votoi për parti që kanë në program forcim të biznesit me anë të derregullimit, taksave të ulta, incentivave për të investuar, llogaridhënie më të madhe të politikanëve të qytetarët, forcim të identitetit kulturor dhe individual, pa të cilin nuk ka as familje të fortë dhe për rrjedhojë as ekonomi të qëndrushme dhe treg kompetitiv.

Janë këto vlerat që qëndronin në themel të Bashkimit Europian siç u ideua nga Schuman, Monnet, De Gasperi e Adenauer. Këto vlera kanë kohë që janë pluhurosur në shtëpinë gati të rrënuar europiane. Zgjedhjet e fundit janë një fillim i mbarë për të hequr pluhurin e një projekti të mbetur në mes dhe për të ndaluar kthimin e Europës së Bashkuar në një relike të viteve 50-të, prej kohësh të keqtrajtuar, shpeshherë të shitur dhe jo rrallë të braktisur në mëshirë të rivalëve, keqdashësve dhe spekullantëve.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0