’TechSpace’, shtëpia më e re e teknologjisë në Shqipëri, hap dyert për të rinjtë dhe projektet TIK - Business Magazine Albania

’TechSpace’, shtëpia më e re e teknologjisë në Shqipëri, hap dyert për të rinjtë dhe projektet TIK


Nën sloganin ‘Mëso, guxo, krijo!’, ‘TechSpace’, shtëpia më e re e teknologjisë në Shqipëri, mblodhi në ditën e parë të veprimtarisë së vet me dhjetëra të rinj, të reja, përfaqësues të startup-eve, studentë dhe ekspertë vendas dhe të huaj të TIK-ut.

Në prani të Kryeministrit Z. Edi Rama, ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Z. Eduart Shalsi, Znj. Mirlinda Karçanaj, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, institucion i cili menaxhon dhe administron ‘TechSpace’, drejtorit të Përgjithshëm të ‘Vodafone Albania’, Z. Achilleas Kanaris dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Spiro Drushku dhe dekanit të Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit, Prof. Asoc. Vladi Koliçi, nisi zyrtarisht funksionimi i këtij labi, që do të jetë hapësira e edukimit për teknologjinë, inovacionin dhe dëshirën e sipërmarrjes.

Lexoni: Ministria e Financave hap praktikat profesionale për 266 studentë

“Ky është një moment i rëndësishëm i sinergjisë që ne duam të krijojmë mes qeverisë dhe universiteteve dhe shkollave. Këtu, në këtë hapësirë ne dëshirojmë që studentët e universiteteve të fushës, por edhe të gjithë nxënësit e shkollave profesionale që janë të lidhur me teknologjinë, të kenë shtëpinë e tyre dhe të krijohet një hapësirë ballafaqimi të ideve, sfidash të reja, konkurrence mes njëri-tjetrit,” u shpreh kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se prioritet mbetet dixhitalizimi i marrëdhënieve me publikun dhe shembull shumë i mirë për këtë proces është e-Albania, përmes së cilës kryhen pagesa dhe aplikime, si dhe përfitohen dokumente me vlerë ligjore dhe platforma e bashkëqeverisjes.

Z. Rama dha një lajm për të gjithë të rinjtë që do të bëhen pjesë e ‘TechSpace’ me projektet e tyre inovatore, se në harkun kohor të një viti pune, 10 më të mirët do të shpërblehen me një vizitë në një destinacion fantastik për ambiciozët e fushës TIK, siç është Silicon Valley. Gjithashtu, Z. Rama bëri me dije se është në fazën fillestare të konceptimit, organizimi i një festivali çmimesh, i cili do të ketë në qendër stimulin financiar. Kryeministri theksoi edhe ndërmarrjen e një programi të veçantë të AKSHI-t për të stimuluar financiarisht projektet më interesante.
Kreu i qeverisë u bëri me dije të rinjve, se nëse ata do të sjellin ide dhe projekte tërheqëse do të mund të përfitojnë financiarisht nga një kompani e rëndësishme e telefonise mobile, siç është ‘Vodafone Albania’ .

Drejtori i ‘Vodafone Albania’, Z. Kanaris, në një koment të shkurtër gjatë eventit u shpreh se kompania e telefonisë po punon me një numër universitetesh dhe shumë biznese të reja në rang global duke i financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim jo vetëm promovimin e kompanisë në arenën globale, por edhe për shoqëritë në të cilat vepron ‘Vodafone’. “Unë besoj se iniciativa si kjo e sotmja do ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë në drejtimin e një shoqërie të avancuar dixhitale. Çdo vit, ‘Vodafone’ financon 5 projekte novatore nga e gjithë bota, të cilat marrin më pas financim. Shpresoj që një prej këtyre projekteve të jetë nga Shqipëria,” u shpreh Z. Kanaris.

Më herët, drejtoresha e AKSHI-t, Znj. Karçanaj zhvilloi edhe një tur prezantues të të gjithë ambienteve të ‘TechSpace’, duke evidentuar këndet e posaçme për startup-et e reja, ato më të maturuara, hapësirat ku do të kryhen trajnime falas, hapësirat të dedikuara për mentorime, këndet e argëtimit, këndet e bashkëveprimit dhe organizimeve mes të rinjve që do jenë pjesë e labit, etj.

Lexoni: Grante për Start up. Bashkia e Tiranës hap programin për nxitjen e punësimit

“Në ambientet ‘TechSpace’ do të organizohen dhe promovohen startup-e, do të mbështeten nga ana e infrastrukturës dhe logjistikës të gjithë të rinjtë e interesuar që duan ndihmë, si dhe do të organizohen në mënyrë të pandërprerë trajnime falas, asistencë, mentorime dhe udhëzime për pjesëtarët e labit,” u shpreh znj. Karçanaj.

Gjatë turit prezantues, kreu i AKSHI-t, promovoi edhe risinë e fundit të Agjencisë që drejton, pikërisht opendata.gov.al, portali i cili mundëson të dhëna të hapura në fushat e shëndetësisë, thesarit, buxhetit, doganave, arsimit, biznesit dhe shumë me gjerë.

“Portali ‘Open Data’ ofron transparencë, por mbi të gjitha do të shërbejë si një burim të dhënash të hapura jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për startup-et apo studentët,” u shpreh kreu i drejtuesja e AKSHI-t.

Në fund të eventit, ministri Shalsi, dy dekanët e fakulteteve dhe znj. Karçanaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes institucioneve respektive.

/AKSHI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0