OTE konfirmon shitjen e ‘Telekom Albania’ tek Spas Roussev dhe Elvin Guri për 50 milionë euro - Business Magazine Albania

OTE konfirmon shitjen e ‘Telekom Albania’ tek Spas Roussev dhe Elvin Guri për 50 milionë euro


Shkruar nga Monitor

Pas disa muajsh negociatash është finalizuar transaksioni për shitjen e Telekom Albania, operatorit të dytë të telefonisë celulare në vend.

Grupi grek OTE- i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania- njoftoi zyrtarisht se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) tek kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga Z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro shqiptar”.

Blerësit

Spas Roussev është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB).

Elvin Guri

Elvin Guri është një sipërmarrës shqiptar që ka një përvojë 20 vjeçare në sipërmarrje jashtë Shqipërisë, por deri tani nuk ka pasur asnjë biznes në Shqipëri (emri i tij nuk figuron si aksioner në Qendrën Kombëtare të Biznesit). Sipas një artikulli të publikuar nga Universiteti Amerikan i Bullgarisë, ku ai përfundoi studimet në viin 1996, Guri ka përvojë si analist financiar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër. Në vitin 2001, së bashku me një partner krijoi “JetFinance.”

Në vitin 2015 ai mori një EMBA nga University of Oxford – Said Business School. Sipas profilit në Bloomberg, ai është investitor dhe sipërmarrës me një histori të suksesshme në shërbimet financiare. Si këshilltar dhe investitor, ai ka qenë i përfshirë në marrëveshje në sektorin e institucioneve financiare (Republika Çeke, Ukraina, Polonia, Rumania, Serbia, Shqipëria, Maqedonia), në fondet e sipërmarrjeve të teknologjisë dhe bioteknologjisë (Zvicër, Bullgari) në pasuritë e paluajtshme (SHBA).

Negociatat për shitje

Grupi OTE, pranoi në fund të shtatorit se ishte në negociata me disa palë për shitjen e Telecom Albania. Ofertues ishin Telekomi i Serbisë, bullgarja Vivacom, grupi çek PPF, Albtelecom në Shqipëri dhe sipërmarrësi grek Vardis Vardinogiannis, me interesa në naftë dhe transporte. Telekom Srbija, bëri një ofertë të lartë, në momentin e fundit, për Telekom Albania, duke i zënë në befasi konkurrentët e tjerë dhe duke hapur një debat të gjerë politik, duke detyruar dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të mos shprehet në favor të këtij transaksioni.

Lexo: River Styxx Capital do të blejë 85 % të aksioneve të Telenor Banka në Serbi

Si u zhvlerësua Telekom Albania?

OTE shpenzoi 80 milionë euro kur në vitin 2000 bleu 85% të aksioneve të Telekom Albania, që në atë kohë quhej AMC. Investimi rezultoi mjaft i leverdisshëm dhe u kthye në një kohë rekord, teksa AMC ishte ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.

Deri në vitin 2009, kur në tregun celular kishte vetëm dy operatorë, Telekom Albania (në atë kohë AMC) kishte fitime mjaft të larta. Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017, sipas të dhënave historike të analizuara nga Monitor.

Telekom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar.

Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet u rivlerësuan në ulje, çka së bashku me humbjet e mëdha bëri që t’i ulej vlera kompanisë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0