Shkruar nga Landa Grembi, Inxhinere IT
Ka kaluar pothuajse një dekadë nga koha kur përdoruesve të rrjeteve të telekomunikacionit të lëvizshëm iu ofrua shërbimi 4G LTE. Pikërisht, si në përmbyllje të kësaj dekade, operatorët e telefonisë së lëvizshme në Europë dhe jo vetëm, po gjenden përpara një nevoje të pashmangshme nga tregu: më shumë shpejtësi. Teksa kërkesat janë në rritje përditë, operatorët po përgatiten për gjeneratën e re 5G. Ekspertët e industrisë “shpallin” se 5G-ja do të sjellë një zhvillim rrënjësor, i cili do të ndikojë në çdo aspekt të jetës sonë në një mënyrë apo në një tjetër.
Po çfarë do të jenë këto ndryshime? Sa do të ndryshojë vërtetë jeta jonë përkundrejt asaj që është sot? Fjala, e cila përshkruan në mënyrë gjithëpërfshirëse 5G-në do mund të ishte pa dyshim: shpejtësi. Nëpërmjet kësaj teknologjie përdoruesit e rrjeteve do të kenë mundësi të marrin dhe dërgojnë të dhëna me një shpejtësi deri në 10GB në sekondë, e barazvlefshme kjo 10 herë më shumë se ajo çfarë mundej me 4G, duke ofruar kështu lehtësisht dhe shërbimin e internetit nëpër shtëpi. Por, 5G nuk është vetëm shpejtësi. Ështe gjithashtu dhe një rrjet “i përgjegjshëm” në ofrimin e shërbimit.
Koha e shkurtër e përgjigjes për informacionin e kërkuar në internet zvogëlon shumë hendekun e pritjes nga përdoruesi duke e bërë pothuajse të papërfillshme këtë kohë. Rrjetet 5G do të ofrojnë rritjen e kapacitetit, duke bërë të mundur kështu angazhimin e shumë pajisjeve, të cilat përdoren apo punojnë njëkohësisht. E gjitha kjo pa ndikuar në mënyrën dhe shpejtësinë që këto pajisje ndërveprojnë me njëra-tjetrën apo me sisteme të ndryshme. Nëse do të konsideronim të gjitha faktet e mësipërme, mund të themi pa asnjë hezitim se 5G-ja do të jetë një faktor ndryshues loje përsa u përket jetës së konsumatorëve.
Nëse do t’i marrim me rradhë, e para në listë do të ishte ndryshimi i shërbimit të internetit në shtëpi: linja kabllore do të zëvendësohet lehtësisht me një pajisje (modem dhe router) internet-shpërndarëse duke ofruar gjithashtu instalim më të shpejtë dhe të thjeshtë përsa i përket infrastrukturës. Paisjet e shtëpisë sonë, të ndërlidhura në rrjetet: televizori, kompjuterat, telefonat inteligjentë dhe të gjithë të tjerat, të cilat përdorin internet do të kenë mjaftueshmërisht kapacitet për të punuar e ndërvepruar. E thënë ndryshe për dashamirësit e kinemasë: jo më filma në mes nga Netflix. Filmat do të shkarkohen në disa sekonda. Video në kohë reale për përdoruesit e rrjeteve sociale.
Por, nuk mbaron këtu: të apasionuarit e lojrave do të munden të luajnë në kohë reale. Nga ana tjetër, mjekët do të mund të ndërveprojnë me pacientët e tyre nga distanca duke përdorur robotë të lidhur në rrjet të aftë të identifikojnë, kontrollojnë, ndërveprojnë në mënyrë të ndjeshme me pacientin. Llojet e makinave, do të jenë të programuara të drejtohen nga piloti automatik. Ky i fundit do të përmirësohet duke bërë të mundur kështu zvogëlimin e kohës së reagimit në lidhje me rreziqet e mundshme në rruge e shembuj të tjerë pa fund nga përditshmëria jonë.
Përtej “bollëkut” të përfitimeve, të cilat do të shoqërojnë ardhjen e 5G-së, nuk do të jetë plotësisht e thjeshtë. Si fillim spektri i frekuencave të larta është i kufizuar. Kullat ekzisutese të transmetimit (në pjesën më të madhe të operatoreve) nuk janë në gjendje që të ofrojnë mbulimin e kërkuar, kështu që mijëra antena të tjera do të shtohen në infrastrukturën ekzistuese. Rritja e kompleksitetit të rrjetit do të kërkojë gjithashtu ekspertizë të lartë në lidhje me burimet njerëzore duke filluar nga instalimi deri tek mirëmbajtja.
Rritja e këtyre kostove në një farë mënyre do të transferohet tek konsumatori. Interferencat e sinjalit nga muret, dritaret apo konstruksionet e tjera si këto do të duhen të merren parasysh përpara ofrimit të shërbimit në masë tek konsumatori. Përtej këtyre problematikave 5G sikurse përmendëm më lart do të sjellë ndryshimin në përditshmërinë tonë duke luajtur një rol tejet të rëndësishëm në shumë industri dhe tregje duke filluar që nga konsumatori i thjeshtë deri tek mjekësia. Teknologjia e re po vjen dhe po vjen më shpejt se njerëzit e prisnin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.