Si duhet nxitur bujqësia, opinione nga prof. Elvin Meka e dok. Majlinda Kullaj

Si duhet nxitur bujqësia, opinione nga prof. Elvin Meka e dok. Majlinda Kullaj


Bujqësia këtë vit duket se ka marrë një vëmendje të shtuar nga qeveria shqiptare. Projekti i Rilindjes së 100 fshtrave, shtimi i subvencioneve, ulja e TVSH-së për agro-turizmin, dhe një aksion i paralajmëruar nga Ministria e Bujqësisë në segmentin e qumështit, rrisin shpresat për më shumë prodhim.

BusinessMag ka kërkuar opinionin e dy specialistëve në ekonomi e bujqësi, për të kuptuar nëse me këto ndërhyrje është prekur thelbi i problemit të bujqësisë dhe sa gjasa ka rimëkëmbja e sektorit.

Kujtojmë se politikat për zhvillimin e bujqësisë nuk kanë munguar edhe më parë, por siç vërehet edhe nga opinionet problemet vijojnë të jenë të njëjta pothuaj në 27 vite. Në epiqendër të shqetësimit është ngastra e vogël, ndërsa mbështetjet nuk duket se kanë qenë efektive. Por, sot kur edhe bota e zhvilluar po rend drejt praktikave të thjeshta të afrimit të klientit me pikën e prodhimit, mundësitë duken më të mëdha për një vend si yni, ende pak të zhvilluar në bujqësi.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.

Grumbullues & Distributor, mundësi për zhvillim të integruar

Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka, Administrator, Kolegji Universitar “Luarasi”

Sektori bujqësor në Shqipëri vijon të mbetet ende në nivele minimale zhvillimi, në raport me të gjithë sektorët e tjerë, diktuar kjo nga një sërë faktorësh ekonomikë, financiarë e socialë. Deri më sot, zhvillimi i bujqësisë ka ecur në shinat e një zhvillimi tradicional dhe spontan, pa një sipërmarrje dhe vendimmarrje të mirëkoordinuar, qoftë në rang politik ashtu dhe në nivel biznesi. Gjatë 20 -25 viteve të fundit, prodhimi vendas bujqësor ka qenë dukshëm në disavantazh në raport me importet. Nga ana tjetër, bujqësia mbetet pradoksalisht sektori më pak i kredituar nga sistemi bankar me vetëm 1.1 – 1.3 përqind të totalit të huasë. Tashmë është imperative domosdoshmëria e zhvillimit të një tregu të integruar bujqësor në Shqipëri (dhe pse jo edhe në rajon, brenda hapësirës shqiptare) dhe më tej, funksionimi i një tregu formal e të rregulluar mallrash bujqësore, i cili do të ketë efekte të shumëfishta pozitive në drejtim të zhvillimit të tregut vendas, rritjes dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të vendit, punësim, etj.

Zhvillimi i integruar i bujqësisë. Nënkupton organizmin dhe menaxhimin e prodhimit bujqësor sipas parimeve të menaxhimit të biznesit, pra organizimit në mënyrë të përqendruar dhe të koordinuar të prodhimit bujqësor në shkallë të gjerë, në të gjitha hallkat dhe proceset në të cilin ai kalon. Aktualisht, bujqësia në Shqipëri karakterizohet nga një zhvillim i fragmentuar, i mbështetur kryesisht në ekonominë familjare dhe fermën e vogël (me një sipërfaqe mesatare të fermës: (~ 1.14 ha), ku fermat individuale identifikohen thuajse krejtësisht me familjet fermere.

Nga ana tjetër, prodhimi fermer në pjesën dërrmuese nuk vjen si produkt i një kërkese, apo porosie paraprake nga tregtarët e mëdhenj apo bizneset e fokusuara në agroindustri, më shumë sesa nga intuita e vetë fermerëve, spontaniteti dhe eksperienca e mëparshme e kërkesës së tregut. Planifikimi dhe porosisa paraprake e prodhimit bujqësor është ende në fazë ngritjeje dhe zhvillimi, por jo dominuese). Gjithashtu, kanalet e shpërndarjes janë tejet të decentralizuara, ku fermeri në shumë raste del drejtpërdrejt në treg (qoftë shumicë apo pakicë), pa ndërmjetësim apo grumbullim të centralizuar të produktit bujqësor, i cili ekziston, por nuk ka një kapje apo mbulim të konsiderueshëm të territorit dhe jo për një llojshmëri të madhe produktesh bujqësore.

Zhvillimi i bujqësisë sipas parimit të zhvillimit të integruar mbështetet në rolin e Grumbullues & Distributorit (G&D), tashmë të organizuar si shoqëri tregtare (biznes), i cili mund të modelohet si një nyje e rëndësishme ndërmjetësimi midis fermerëve prodhues dhe tregtarëve (të shumicës), duke luajtur një rol specifik në:

  • grumbullimin,
  • magazinimin,
  • ambalazhimin,
  • ruajtjen e mallrave bujqësore.

Gjithashtu, ky subjekt mund dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në drejtim të sigurimit të mbështetjes dhe lehtësive të nevojshme (teknike, financiare, siguruese), gjatë gjithë zinxhirit të krijimit të vlerës së mallrave bujqësore. Së fundi, ky lloj modeli është lehtësisht i aplikueshëm në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan dhe nuk kushtëzohet nga natyra e kulturave bujqësore.

Problematikat që lidhet me zhvillimin e integruar të bujqësisë janë:

  • Saktësia dhe rregullsia e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore,
  • Madhësia e kufizuar e fermave individuale,
  • Kultura e respektimit institucional dhe individual të kontratave,
  • Negocimi i kontratave në grup dhe gjetja e çmimeve kompromis.

Avantazhet për zhvillimin e integruar të bujqësisë me G&D

Avantazhet e pranisë G&D në bujqësinë shqiptare do të siguronte një sërë avantazhesh, ndër të cilat më të rëndësishmet do të ishin:

  • Rritje të prodhimit bujqësor dhe rritje të sipërfaqes së punueshme të tokës,
  • Sigurimi i një baze të qëndrueshme për punësim në sektorin bujqësor dhe agropërpunues,
  • Përdorimi i kontratave për prodhim dhe tregtim të mallrave bujqësore, dhe përcaktim të çmimeve sipas kontratave,
  • Sigurimi i prodhimit bujqësor dhe minimizimi i humbjeve dhe dëmeve, nëpërmejt kontratave të sigurimeve,
  • Centralizim i tërheqjes së produktit bujqësor nga tregtarët,
  • Mundësi kreditimi për veprimtarinë prodhuese dhe tregtuese të prodhimeve bujqësore,
  • Aplikim standardesh europiane në marketimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore,
  • Planifikim më të mirë të kërkesës për mallra bujqësore,
  • Shmangie e shtrembërimeve dhe konkurrencës së pandershme në treg,
  • Mundësi për eksport të organizuar dhe me cilësi konkurruese,
  • Më shumë të ardhura fiskale për qeverinë.

Zhvillimi i avancuar i tregut të mallrave në Shqipëri

Në varësi të suksesit të skemës së G&D, ekziston plotësisht mundësia e organizimit dhe ngritjes së Bursës së Mallrave (BM), objekti i së cilës do të jetë tregtimi i kontratave të ndryshme për mallrat bujqësore, hartimi i rregullave dhe rregullimi i tregut të mallrave bujqësore, kryerja e kërkimeve, marketingu dhe edukimi i grupeve të interesit, lidhur me prodhimin bujqësor dhe aspektet financiare respektive të lidhur me të. Hapja dhe funksionimi i Bursës së Mallrave krijon një alternativë të re dhe të favorshme për bizneset që do të listojnë kontratat e tyre, dhe një mundësi më të mirë investimi për investuesit privat e institucionet financiare, për një përfitim sa më rezultativ në treg. Bursa e Mallrave dhe zhvillimi respektiv i tregut të mallrave bujqësore siguron shumë avantazhe mikro e makroekonomike dhe ndihmon në zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike e sociale të fermerëve.

Të sigurohet kontrolli i cilësisë

Dr /Majlinda Kullaj(Cakalli). Pedagoge e Ekonomiksit Publik pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës(UBT)

Bujqësia shqiptare, në pjesën më të madhe të territorit të vendit, vazhdon të jetë një bujqësi për vetëmbështetje, e karakterizuar nga përdorim i ulët i inputeve bujqësore, teknologji bujqësore të vjetëruara, rendimente dhe cilësi e ulët. Fragmentimi i skajshëm i tokës bujqësore në mbi 300 mijë ferma, me mbështetje shumë të pakët nga qeveria, e ka tejzgjatur procesin e ristrukturimit të saj.

Falë disa avantazheve krahasuese, siç është klima dhe krahu i lirë i punës, në disa rajone kemi një specializim të prodhimit (prodhimi i hershëm i perimeve të serës, shalqirit, mandarinës, mollës, gështenjës, ullirit, vreshtave, etj.). Sidoqoftë, këto avantazhe krahasuese janë të pamjaftueshme pa një mbështetje intensive me financim për të specializuar dhe rritur edhe më shumë sipërfaqet e mbjella me këto produkte nga njëra anë dhe efektivitetin e prodhimit të tyre nga ana tjetër (ulje e kostove, rritje e rendimeve, plotësimi i standardeve të cilësisë).

Infrastruktura bujqësore (rrjeti i ujitjes, kullimit, rrugët rurale, etj.) bëhet pengesë për mbjelljen e kulturave me vlerë të lartë, të cilat janë më konkurruese në kontekstin e fermave të vogla. Migrimi i brendshëm, largimi i rinisë nga zonat rurale drejt qendrave urbane apo emigrimi ka filluar të përbëjnë një problem për sigurimin e fuqisë punëtore në zonat me bujqësi intensive në Shqipëri, për më tepër, punëtorëve të specializuar.

Kreditimi nuk është me interes për fermerët pasi normat e interesit të bankave ose shoqërive të mikrokredisë shpesh e kalojnë fitimin në bujqësi ndërkohë që Europë dhe SHBA, bujqësia vazhdon të zhvillohet në një kontekst mbështetjeje me subvencione, garantimin e çmimeve minimale, etj. pasi normat e fitimit për shumë produkte bujqësore në raport me çmimin e tyre në treg nuk janë me interes pa këto subvencionime.

Çfarë duhet të bëhet për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit?!

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë do të varet më së shumti nga mbështetja qeveritare. Nga pikëpamja e mbështetjes financiare të sektorit, kemi patur dy qasje në të kaluarën; qeveria e djathtë mbështeti anën e ofertës, pra subvencionoi rritjen e sipërfaqes së mbjellë për disa kultura konkurruese (frutat, ulliri, perimet e serrave, bimët aromatike, etj.). Në përgjithësi, efekti ishte pozitiv në prodhim, por sidoqoftë një pjesë e mirë e kësaj mbështetje shkoi për ferma të vogla, për vetëmbështetje. Prodhimi i shtuar shpesh ishte me cilësi dhe standard shumë heterogjene duke e bërë të vështirë shitjen e përqendruar të tij.

Qeveria e majtë e orientoi mbështetjen tek konsoliduesit në përpjekje për të orientuar më drejtë edhe fermerët lidhur me kërkesat e tregut të brendshëm dhe të jashtëm. Mendoj se qasja e duhur duhet të jetë në mes; pra, të vazhdojë mbështetja e prodhimit të kulturave konkurruese, si për shembull, rritja e sipërfaqeve të mbjella me serra, pemëtore, etj. në zonat ku tashmë kemi një specializim të prodhimit.

Pjesë të tjera të territorit, kryesisht zonat kodrinore dhe malore, me një reliev të thyer, duhet të mbështeten për prodhimin e produkteve tipike, organike dhe për agroturizëm, pra krijimi i një vlere të shtuar më të madhe. Vende me bujqësisë shumë të zhvilluar por që ka sjellë problematika në lidhje me degradimin e tokës, rënien e fitimit të fermerëve dhe rrjedhimisht shpopullimin e zonave rurale, po përpiqen të zhvillojnë disa strategji marketingut që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të tilla si: rigjallërimi i tregjeve të fermerëve, pika shitje anash rrugëve, operacione të tipit ‘vile vetë’ dhe bujqësinë e mbështetur në nivel komuniteti (konsumatorët kontraktojnë fermerët të cilët i furnizojnë rregullisht, zakonisht çdo javë, me një arkë produktesh të stinës).

Për shkak të të ashtuquajturës prapambetje të bujqësisë dhe zinxhirit të ofertës bujqësore në raport me këto vende me bujqësi të zhvilluar, Shqipëri i ka disa prej këtyre formave të marketingut dhe mund t’i adoptojë më lehtë të tjerat. Pra, shumë prej kësaj ‘prapambetje’ mund të kthehet në një strategji marketingu për promovimin e produkteve bujqësore shqiptare në një kontekst europian.

Por kjo strategji kërkon edhe një mbështetje në drejtim të krijimit të sistemit të cilësisë së produkteve bujqësore. Deri tani, kemi disa “çertifikata cilësie” të printuara në zyrat e Ministrisë për disa produkte tipike por jo një sistem të mirëfilltë të mbështetur nga analiza laboratorike. Pa këtë sistem të kontrollit të cilësisë vetë shqiptarët e aq më pak të huaj, nuk do të jenë kurrë të sigurt për atë që konsumojnë dhe porta e BE për shumë produkte bujqësore nuk do të hapet.

Qeveria shpreson shumë në hapjen e negociatave por negociimi i kapitullit të bujqësisë është më i vështiri. Për shumë zona rurale dhe periurbane të Shqipërisë, agroturizmi paraqet një prej bizneseve me potencial të lartë. Nëse shmangim diskutimin mbi problemet e administrimit tatimor të zbritjes së TVSH-së dhe efekteve në buxhet, ulja e TVSH-së është një nismë që do ta përshpejtojë zhvillimin e agroturizmit. Qeveria mund ta përdorë këtë skemë edhe për të vendosur disa kritere lidhur me standardet që duhet të plotësojnë këto biznese sipas praktikave më të mira të vendeve fqinje si Italia që e ka shumë të zhvilluar këtë sektor.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0