Alarm i kuq për sigurinë ushqimore! Sokolaj: Kontrolli i dobët po kërcënon konsumatorët - Business Magazine Albania

Alarm i kuq për sigurinë ushqimore! Sokolaj: Kontrolli i dobët po kërcënon konsumatorët

Nga Fatima Gorezi –  Viti 2025 ka nisur me një sërë ngjarjesh që kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje seriozisht besimin që konsumatori shqiptar ka për produktet që konsumon çdo ditë. Vendi është përballur me disa skandale të njëpasnjëshme që kanë tronditur qytetarët dhe kanë rritur shqetësimet për një sistem kontrolli që duket të jetë ende në nivele të ulëta. Një ngarkesë me mandarina të kontaminuara me pesticide të rrezikshme u kthye nga jashtë vendit, dhe më pas u raportua se ato kishin përfunduar në tregun vendas, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve. Për më tepër, një rast tjetër përfshinte mishin e pulës të importuar nga Brazili. Më 21 mars, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë konfirmoi praninë e salmonelës në 7.8 ton fileto pule, e cila ishte shpërndarë në 10 qarqe të vendit para se të bllokohej nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Pas kësaj, një tjetër shqetësim u ngrit me tre ngarkesa të ndryshme të luleshtrydheve të importuara nga Greqia, të cilat ishin të ndotura me pesticide dhe që ishin shpërndarë në treg, pavarësisht risqeve që ato paraqisnin për shëndetin e konsumatorëve.

Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore dhe themelues i Qendrës ALERT, thekson se rastet e fundit tregojnë mungesën e një sistemi të qëndrueshëm kontrolli dhe transparence: “Problemi është sistemik. Nga prodhimi deri te tregtimi, zinxhiri i kontrollit nuk funksionon siç duhet. Institucionet nuk bashkëpunojnë, dhe mungon një ndjeshmëri e vërtetë për mbrojtjen e konsumatorit.
Ku synon të shkojë Shqipëria?
Qasja e Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore është e qartë: një sistem i integruar “nga ferma në tryezë”, që siguron standarde të larta të mbrojtjes për konsumatorin dhe njëkohësisht lehtëson eksportin e produkteve vendase në tregun europian. Edhe Shqipëria ka në plan të ndjekë këtë qasje, por siç thotë Sokolaj ne jemi ende shumë larg asaj që quhet kontroll efektiv. Nëse nuk ndërtojmë një sistem të koordinuar, me përgjegjësi të qarta dhe inspektim të pavarur, nuk mund të pretendojmë të jemi pjesë e tregut europian me produkte të sigurta.

 

Si e vlerësoni aktualisht nivelin e sigurisë ushqimore në Shqipëri?
Nëse do të kishte njësi matëse, për shembull nota nga 1 deri në 10, do të thoja diku mes 6 dhe 7. Ashtu siç dhe ka pasur përmirësime nga viti në vit, kjo më shumë për shkak të investimeve serioze të prodhuesve e tregtarëve se sa për shkak të “frikës” nga institucionet, në të njëjtën kohë shfaqen dhe problematika nga më të ndryshmet. Problemet në siguri ushqimore, rastet alert në prodhim vendas apo produkte importi janë të njohura e të përditshme në të gjithë BE-në e vendet e tjera; edhe në Shqipëri janë po kaq të shpeshta. Por për shkak të mungesës së theksuar të edukimit të konsumatorëve, si dhe një problematike të hasur rregullisht në media, sidomos portale online, mungesës së theksuar të dijeve në këtë fushë nga reporterët e fatkeqësisht dhe mungesës së vullnetit për të lexuar, e bëjnë në dukje dhe më alarmuese situatën. Megjithatë, probleme ka nga më të ndryshmet, në të gjitha hallkat e zinxhirit; prodhim, furnizim, tregtim… herë herë dhe në bazën ligjore.
Cilat mendoni se janë hallkat më të dobëta në këtë sistem?
Sistemi i sigurisë ushqimore përbëhet nga një zinxhir i gjatë, me shumë hallka. Madje, në secilën hallkë, do të duhej të lidhej një tjetër zinxhir dhe ai më shumë hallka. Dhe në ërrësirën e vet, është një punë komplekse dhe gjigande, që nuk varet vetëm nga një hallkë, por nga të gjithë ata që janë në këtë sistem, prodhues, importues, tregtarë të mëdhenj, tregtarë të farave e fidanëve, produktesh të mbrojtjes së bimëve (pesticide) dhe atyre veterinare (PMV), fermeri apo blegtori që i përdor etj. Megjithatë, do të doja të theksoja faktin se, mungesa e paditurisë së blegtorëve apo fermerëve, në shumë raste dhe babëzitja për të shitur edhe pa pasur kohën e vet produktet që ata prodhojnë, bëjnë që zinxhiri i sigurisë ushqimore të cënohet që në prodhim.
Sigurisht, dobësi shfaqen edhe në kontrollet mbi baza të vërtetë risku, kontrolli i të fortëve në biznesin e industrisë ushqimore, i atyre që janë sponsorava fushatash, cilësia e kontrolleve/inspektimeve e në shumë raste dhe e korrupsionit.

Mungesa e laboratorëve të besueshëm, me gamë të gjerë analizash dhe me analiza të akredituara në varësi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e bën situatën dhe më të paqartë, ndërkohë që i vetmi laborator që duhet të funksiononte si “gjykatë apeli” mbetet Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Gjithësesi, hallka që nuk funksionojnë ka aq shumë, sa do të duhej kohë e gjatë për të diskutuar, siç janë cilësia e tokës, nëse është e kontaminuar apo jo, cilësia e plehrave kimike dhe pesticideve, e produkteve të mbrojtjes veterinare, e mënyrës së tregtimit, por edhe e kontrollit nga instutucionet që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore.

Ndërkaq, hallkat më të rëndësishme që kanë e kanë bërë zinxhirin jofunksional sa duhet është fakti se AKU dhe AKVMB, megjithëse kanë një qëllim final, produkte ushqimore të sigurta, kanë detyra dhe role të ndryshme, duke bërë që ingranzhet të kenë shkëputje. Për shembull, njëri kontrollon importin e pesticideve apo produkteve veterinare, tjetri farmacitë e tregtimit të tyre; njëri kontrollon fermën ose serën/prodhimin në ara, tjetri produktin pasi del në treg. Kjo ka sjellë jo pak probleme në zbulimin në kohë të risqeve, të rasteve kur nuk ka funksionuar diçka dhe produktet kanë shkuar te konsumatori me probleme apo të pasigurta.

Lexo edhe: Siguria ushqimore/ Nga 1 janari 2026, asnjë produkt pa kodin “lot”

A funksionon në mënyrë efikase sistemi i gjurmueshmërisë për produktet ushqimore në treg? Si mund të përmirësohet?
Një nga problematikat që nuk i japin zgjidhje në shumë raste problemeve të sigurisë ushqimore, apo masave ndaj atyre që abuzojnë me të, është sistemi i gjurmueshmërisë. Produktet industriale, ato që prodhohen e tregtohen të ambalazhuara, kanë etiketimin e tyre, por edhe të tjera që tregtohen të hapura e që shiten në njësi sipas kërkesave të konsumatorëve, kanë etiketimin në ambalazhet primare dhe kjo e bën të mundur gjurmueshmërinë. Në shumë raste, gjurmueshmëria mund të ndiqet edhe nëse subjektet tregtarë janë të formalizuara dhe nuk kryejnë evazion fiskal, që do të thotë se gjurmueshmëria ndiqet edhe nëpërmjet faturave tatimore. Megjithatë, ka ende shumë produkte, gjurmueshmëria e të cilave është e vështirë për t’u ndjekur, për shkak të tregtisë në disa raste informale, mungesës së shenjave dalluese, por edhe se në disa raste, sistemi shkëputet…
Në lidhje me këtë pyetje, vlen të përmendet dhe Udhëzimi i Fundit i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipas të cilit, asnjë produkt (veç disa përjashtimeve) nuk do të të dalë në treg nëse nuk ka kodin identifikues që në gjuhën teknike quhet “lot”. Kjo do t’a bëjë më të lehtë gjurmueshmërinë, por do t’i vendosë para një përgjegjësie më të lartë prodhuesit, të cilët janë lehtësisht më të identifikueshëm. Ky udhëzim është i vonuar, mund të ishtë bërë shumë vite më parë, megjithatë, është shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore.

Sa transparent është procesi i monitorimit dhe publikimit të rasteve të shkeljeve të sigurisë ushqimore për publikun?

Inspektimet apo kontrollet, marrja e mostrave sipas planeve vjetore, kontrolli apo analizimet në Pikat e Inspekimit Kufitar për produktet e importit, rezultatet e mostrave të marra etj, në shumicën e rasteve apo thuajse 99 % të rasteve nuk janë publikuar. Kjo përbën një nga problematikat më serioze e më të shpeshta të AKU në raport me konsumatorin. Eshtë detyrim ligjor i këtij institucioni që të komunikojë riskun, me detaje, të qartë dhe me të gjitha mjetet e mundshme, që konsumatorët të informohen në kohë reale. Rastet e alert-eve në të gjithë botën janë të shpeshta; çeshtja është se si do t’i menaxhosh si institucion. Kësisoj, mungesa e komunikimit me konsumatorët, bën që të paqarta të jenë edhe mangësitë, edhe sukseset.

Sa i përputhshëm është legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore me standardet e Bashkimit Europian? A hasen boshllëqe dhe mangësi?

AKU është një institucion 15-vjeçar. Edhe para themelimit të tij vendi ynë ka pasur legjislacion për sigurinë ushqimore. Me krijimin e AKU u hartua një legjislacion dhe më i mirë me ndihmën e ekspertëve të BE dhe EFSA-s (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore). Ky legjislacion është përafruar me atë të BE, kjo edhe dhe falë detyrave të Shqipërisë në kuadër të proceseve të integtimit. Pra, legjislacioni shqiptar është i mirë, ka ende për t’u transpuzuar nga BE, por problem mbeten e do të jenë dhe në vijim kapacitetet institucionale për t’i zbatuar ato, duke nisur që nga vlerësimi dhe menaxhimi i riskut, fuqia laboratorike, cilësia e inspektimeve dhe e fundit, komunikimi i riskut në raste krizash. Megjithatë, ka ende boshllëqe, veçanërisht në akte nënligjore, urdhëra, udhëzime etj.

Lexo edhe: “Me dashurinë për bletët dhe tokën”: Historia frymëzuese e Flora Salit dhe Fermës Sali

Si ndikon informaliteti dhe prodhimi i paautorizuar në tregje në sigurinë ushqimore? A ka statistika për këtë?
Përsa kohë janë tregje informale, statistikat janë shumë të pakta, apo edhe nëse ka disa, mund të mos jenë të besueshme. Megjithatë, tregjet e mëdha agroushqimore, shitj-blerja në rrugë e trotuarë e cënon seriozisht sigurinë ushqimore. Por, edhe mungesa e etiketimeve, kontrolleve, analizave laboratorike në markete të vogla, në produkte me origjinë shtazore etj, përbëjnë tjetër shqetësim serioz për sigurinë ushimore.

A ka Shqipëria një strategji afatgjatë për edukimin e konsumatorëve mbi sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen e shëndetshme?

Shqipëria tashmë ka të miratuar Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikqyrjen e Tregut 2023-2030, një strategji kjo sa e rëndësishme dhe aq cilësore. Kjo strategji, veç të tjerash, përfshin patjetër dhe sigurinë ushqimore dhe institucionet e zinxhirit që kanë përgjegjësi për të. Kjo strategji ngarkon me detyra specifike institucionet, si dhe në të përfshihet edukimi e ndërgjegjësimi i konsumatorëve, detyrë kjo e agjencivë respektive.

Sa i monitoruar është përdorimi i pesticideve, hormoneve dhe antibiotikëve në bujqësi e blegtori? A ka një sistem alarmi të hershëm për rrezikshmëri?
Siç e kam përmendur dhe më lart, përgjegjësia finale e njëjtë e dy institucioneve, AKU dhe AKVMB ka bërë që monitorimi i përdorimit të pesticideve, hormoneve apo antibiotikëve në blegtori apo shpendtari të ketë problemet e veta. Megjithëse fermërë apo blegtorë janë të detyruar të përdorin rregjistrin e fermës, ky i fundit ende nuk funksionon siç duhet. Kjo dhe për shkak të mungesës së kontrolleve rigoroze, në ferma, në famacitë bujqësore e blegtorale, si dhe për shkak të shërbimit këshillimor në nivele jo të mira nga specialistët e institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Përsa i takon një sistemi të alarmit të shpejtë, nëse produktet shqiptare rezultojnë me probleme në BE, atëherë sinjalizohet RASFF i Komisionit Evropian e ky informacion i vjen dhe Shqipërisë. Po ashtu, një alert nga RASFF na vjen në të njëjtën mënyrë dhe për produkte importi, kur ato kanë rezultuar me jokonform në një vend tjetër e që pas verifikimit është vërtetuar se janë shpërndarë dhe në vendin tonë. Në shumë raste, produktet janë shitur e nuk gjenden, pra janë konsumuar. Për ta përmbyllur, përmirësim të situatës së sigurisë ushqimore ka nga viti në vit, megjithatë problemet janë ende të shumta e të mëdha.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0