Ka nisur në Tiranë komandimi online i kabinave elektrike. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan investimet e kryera në sistemin e komandimit online të kabinave elektrike dhe zyrave të Shërbimit ndaj Klientit në Tiranë.
Administratori i OSHEE-së, tha se sporteli i kujdesit ndaj klientit është në kushte tërësisht të rinovuara. “Risia e këtij inaugurimi është salla e dispecerisë qendrore të Drejtorisë Rajonale Tiranë, ku ne kemi implementuar për herë të parë monitorimin online të kabinave. Këtu janë rreth 30 kabina të qendrës së Tiranës që monitorohen online dhe ky është një proces që do të vazhdojë të shtrihet. Brenda vitit në rreth 250 kabina të tjera në Tiranë dhe do të vazhdojë të zgjerohet në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe në Elbasan, qytetet kryesore”, tha Çela.
Komandimi në distancë i kabinave elektrike pritet të mundësojë riparimin më të shpejtë të defekteve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se ky është shembull i rrugës së modernizimit në të cilën ka hyrë Operatori i Shpërndarjes.
Por, krahas investimeve në infrastrukturë, kjo kompani pritet të rrisë shpenzimet edhe në pjesën e menaxhimit.
Ministri i Energjisë Gjiknuri ka theksuar se, “Shumë shpejt ne do të përzgjedhim edhe dy konsulentë shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e menaxhimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Njëri do të jetë si konsulent biznesi apo një lloj bashkëmenaxheri shumë profesionist, për ta menaxhuar kompaninë nga pikëpamja komerciale (këtu kemi mbështetjen e bankës gjermane KfW). Gjithashtu do të kemi një tjetër konsulent për përfundimin e procesit të outbandit, pra të ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes në tre shoqëri të reja. Qëllimi final do të jetë që kompania të përgatitet për fazën më të thellë dhe më intensive të procesit të liberalizmit”.
Investimet në sistem po bëhen edhe falë financimeve të huaja. Një kredi e re që ka nisur të disburzohet nga BERZH për KESH-duket se po lehtëson edhe sistemin e transmetimit. (Kujtojmë se KESH mbart disa detyrime të prapambetura ndaj OSHEE-së.
Ministri i Energjisë spjegoi se, “ky është një tjetër gur kilometrik në forcimin e reformave, pasi do të bëjë të mundur një disiplinë më të mirë financiare. Janë 218 milion Euro, të cilat jepen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sektorin elektroenergjetik. Çfarë bën kjo?! Kjo bënë që të disiplinohet marrëdhëniet e pagesave mes shoqërive dhe fillimi i uljes së stokut të borxhit publik në vite. Ju e dini që sektori elektroenergjetik ka qenë një barrë e rëndë që ka krijuar një borxh publik sidomos deri në vitin 2013 dhe ristrukturimi i kësaj kredie bën të mundur që ky borxh të fillojë e të ulet duke hapur hapësira në Buxhetin e Shtetit për investime të tjera në fusha të tjera, por qoftë edhe në energji, jo më si borxhet që ishin krijuar nëpërmjet overdrafteve”,
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.