Dëmet e pa paguara të shkaktuara për vite resht në tregun e sigurimit të automjeteve po bëhen gjithnjë e më të larta në vlerë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me një vendim të marrë në fund të dhjetorit ka urdhëruar Byronë Shqiptare të Sigurimeve të shlyejë në mënyrë të menjëhershme mbi 920 milionë lekë dëme të mbartura në Fondin e Kompensimit.
Kjo shumë parashikon dëmet që kanë ndodhur nga viti 2001 deri në fund të vitit të kaluar, për të cilat është përmbyllur procesi i trajtimit ligjor, por nuk janë kryer pagesat.
Në vlerësimin e AMF -së, vlera totale e dëmeve që duhen paguar nga fondi i kompensimit deri në fund të këtij viti do të jetë rreth 1.8 miliardë lekë.
Veç shlyerjes së detyrimeve deri në fund të vitit 2017, AMF i ka kërkuar Byrosë së Sigurimeve që fondi i kompensimit për vitin 2018 të parashikohet në vlerën e 895 milionë lekëve. Në këtë shumë përfshihet vlera e dëmeve që janë në proces trajtimi dhe objekt çështjesh gjyqësore, si edhe shuma në formë provigjioni për dëmet që rrezikohet të ndodhin këtë vit.
Fondi i Kompensimit është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara kundrejt palëve të treta. Pas pagesës, Fondi ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e dëmeve nga personat përgjegjës, duke hapur çështje gjyqësore.
Të dhënat statistikore të viteve të fundit tregojnë se në rrugë vijon të qarkullojnë të pasiguruara gati një e katërta e automjeteve. Kjo është një tjetër arësye e vlerës së lartë të dëmeve të shkaktuara e të pakompensuara.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.