Përfshirja e të rinjve në tregun e punës vijon të mbetet një sfidë për Shqipërinë. Kompanitë private nga njëra anë, vijojnë të mbeten “të etura” për profesionistë, ndërkohë arsimi profesional ka përshpejtuar së fundi hapat për t’iu afruar nevojës së biznesit.
Java e ardhshme shënon një moment të rëndësishëm për Arsimin dhe Formimin Profesional. Për të dytin vit rradhazi, festohet Java Evropiane e Aftësive Profesionale. Në datat 20-24 Nëntor, kompani dhe institucione të shumta në të gjithë Evropën do të organizojnë qindra aktivitete me qëllim promovimin dhe zhvillimin e aftësive profesionale mes të rinjve.
Këtë vit Swisscontact, së bashku me shumë kompani të sektorit privat, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, shkollat profesionale partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’ dhe UNDP, i bashkohet kësaj nisme, duke organizuar Javën e Praktikave Profesionale në Shqipëri.
“Mendojme që kjo javë eventesh, do të shërbejë për të dëshmuar mes historive të praktikantëve dhe bizneseve partnere, ndikimin pozitiv që modeli i praktikave ka patur për nxënësit dhe komunitetin që në vitin e parë.” – shprehet Z. Fatjon Dragoshi, Menaxher i Projektit ‘Aftësi për Punë’ (S4J)
“Ky model të cilin ne e kemi implementuar në vitin tonë të parë të punës, bazohet në modelin zvicerian, por e kemi pershtatur sipas kushteve të arsimit profesional dhe zhvillimit ekzistues te sektorëve të biznesit në Shqipëri,” vazhdon Z. Dragoshi.
Përgjatë kësaj jave do të organizojmë 9 aktivitete në qytetet ku projekti i SwissContact, ‘Aftësi për Punë’ (S4J) operon prej mëse 1 viti, përkatësisht në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Berat dhe Vlorë. Në serinë e eventeve përfshihen Panaire Praktikash Profesionale, konferenca dhe seminare që synojnë të ndërgjegjësojnë publikun dhe të ftojnë palë të ndryshme të interesuara të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë dhe ofertës së arsimit dhe praktikave profesionale në Shqipëri.
Aktivitetet e javës do të përmbyllen me lançimin e Aleancës Shqiptare për Praktikat Profesionale.
Swisscontact dhe skuadra e projektit ‘Aftësi për Punë”, fton kandidatët për punëtë gjithë sipërmarrësit t’u bashkohen aktiviteteve të organizuara në formën e Panaireve të Praktikave Profesionale në Shkollat e Arsimit Profesional ku projekti zhvillohet.
Njëkohësisht në konferencat dhe takimet e kësaj jave, dedikuar praktikave profesionale, janë të mirëpritur ata që duan të mësojnë më shumë mbi rolin e rëndësishëm që Arsimi Profesional luan në zhvillimin e vendit dhe mbi vlerat e bashkëpunimit të ngushtë mes biznesit dhe arsimit profesional në këtë drejtim.
Përgjatë këtyre aktiviteteve krijohet mundësia për t’u takuar me nxënës që ndjekin praktika afatgjatë pranë kompanive të sektorit privat, menaxherë dhe mentorë të afro 80 kompanive që bashkëpunojnë me shkollat partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’, mësues dhe instruktorë, ekspertë të AFP si dhe gazetarë.
Java e Praktikave Profesionale në Shqipëri, do të promovojë krijimin e një sistemi funksional per sigurimin e praktikave profesionale midis 3 aktorëve: shkollës, biznesit dhe nxënësit.
Aktivitetet që zhvillohen njëkohësisht në disa qytete të vendit pritet të përfshijnë prindër, nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe nxënës dhe mësues të shkollave të mesme (profesionale ose jo), banorë të qyteteve ku do të zhvillohen aktivitetet, biznese rajonale, sipërmarrje të mëdha mbështetëse dhe ekspertë të kësaj fushe.
Java e Praktikave Profesionale synon të krijojë mundësi por edhe të rrisë angazhimin e kompanive të mëdha e të mesme për të kontribuuar në rritjen e numrit të të rinjve me aftësi profesionale të kualifikuara në sektorë të rëndësishëm si Turizëm, Teknologji Informacioni & Komunikimi etj.. Disa kompani pritet të angazhohen të mirëpresin praktikantë nga shkollat profesionale në vendet e punës.
#Kontakt
Mediat e interesuara janë të ftuara të marrin pjesë. Për më tepër informacion dhe një program të detajuar të javës jeni të ftuar të na shkruani në adresën ines.poshnjari@swisscontact.org
Vlerësojmë bashkëpunimin tuaj duke e publikuar artikullin në mediat që përfaqësoni!
Rreth “Aftësi për Punë” dhe Swisscontact
Projekti ‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga Swisscontact (SC), një fondacion i pavarur zviceran për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombtar. Swisscontact operon në Shqipëri që nga viti 1992 me zbatimin e projekteve që kanë në fokus zhvillimin e Arsimit dhe Trajnimit Profesional, si dhe Zhvillimin e Sektorit Privat. Swisscontact bazohet në qasje inovative, bashkëpunim me sektorin privat, një fokus të fortë në mësimin praktik, orientim drejt botës së punës, decentralizim me përfshirjen e palëve të interesuara lokale dhe kontributet në reformimin e sistemeve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.