Startup-i fitues i vendit të tretë në Startup Live Tirana, ishte projekti Buna-Drita. Për t’u njohur më shumë me grupin dhe projektin e tyre fitues, Business Magazine pati kënaqësinë të zhvillojë një intervistë ekskluzive.
BM: Përshëndetje grupi Buna-Drita. Na tregoni më shumë rreth projektit tuaj. Si lindi ideja? Cilat janë risitë që sjell dhe kujt do t’i shërbejë?
Projekti ynë është avancimi i dy inovacioneve nga fusha e elektronikës dhe zhvillimi i tyre deri në biznes. Bëhet fjalë për projektin “BuNa” – lloj inverteri (shndërruesi) i cili shërben vetëm për ndriçim me poça LED dhe projekti “Drita” që është një formë më e vogël e gjithë sistemit “BuNa” duke përfshirë të gjitha elementet e nevojshme në një kuti shumë atraktive për piknik. Këto dy sisteme kanë harxhime shumë të vogla të energjisë elektrike dhe janë zgjidhje e vërtetë për ndriçimin e shtëpive ndërsa janë zgjidhja më e mirë për vendet malore ku mungon rrjeti elektrik (shtëpi, stalla, objekte pune etj).
/Artikulli u publikua më parë në faqen 67 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.
Ideja erdhi nga mungesat, ndërprerjet e rrymës dhe harxhimet e larta që ishin shkas për hulumtimin dhe zgjidhjen e një problemi elementar për të bërë dritë.
Risitë janë: Eco Friendly, nuk bën fare zhurmë, nuk ka rrezik nga goditja e rrymës, është i mbrojtur nga kontakti i shkurtër elektrik, pajisja nuk ngrohet dhe nuk nxeh fare poçat LED gjatë punës, poçat zgjasin me vite dhe kursen rrymë 6 herë më shumë nga inverteri i fundit në treg. Kjo pajisje ka përdorim shumë të gjerë, pavarësisht nga nevoja.
BM: Kush është ekipi që po punon me këtë projekt?
Ekipi përbëhet nga katër anëtarë: Naser Miftari – profesor i fizikës dhe shpikës i inovacioneve bashkë me Bujar Dalipi – student i elektronikës, Filonid Aliu – ideator, Besim Miftari sipërmarrës i projektit.
Shpresojmë që në të ardhmen e afërt ekipi të rritet edhe më shumë. Gjithashtu i ofrojmë bashkëpunim çdokujt që është i interesuar.
BM: Çfarë ju shtyu të bëheshit e këtij edicioni të Startup Live Tirana? A ishte hera e parë që merrnit pjesë?
Zakonisht ndjekim panaire dhe evente të tilla, sepse aty takon njerëz të vlefshëm, kreativë me plot ide dhe shumë punëtorë siç bëmë edhe në Startup Live ku morëm pjesë për herë të parë.
BM: A ishte e vështirë për ju të bënit pitching përpara jurisë?
Unë dhe Filonidi jemi njerëz që jemi mësuar me skenën pasi kemi një grup rroku që prej 10 vitesh dhe kemi qenë në shumë koncerte, gjë kjo që na ndihmoi goxha për të mos patur emocione edhe pse prezantimi ishte në gjuhën angleze. Problemi ishte që nuk kishim mjaftueshëm kohë për ta përshkruar gjithë projektin për vetëm dy minuta, por ia dolëm mjaft mirë.
BM: Çfarë mendimi keni për idetë e tjera? A pati konkurrencë të fortë midis jush?
Të gjitha grupet ishin serioze në punë dhe konkurrenca ishte e madhe, kishte ide nga më të ndryshmet dhe shpresoj që të mos ngelen thjesht ide, por të realizohen.
BM: Çfarë përfshinte çmimi që fituat? A e prisnit këtë çmim?
Ne u vlerësuam me vendin e tretë ku fituam: 3 muaj ndihmë dhe përshpejtim të projektit nga Yunus Social Business, 6 muaj ndihmë dhe miqësi nga Albanian Innovation, vlerë prej 200 euro online marketing nga njoftime.com dhe më e rëndësishmja fituam full branding & trademark dhe patentimin e pajisjes nga Urbanus!
Prisnim edhe më shumë, por kjo ishte ajo që kishim nevojë më së shumti.
BM: A jeni duke e vazhduar edhe pas Startup Live projektin tuaj dhe në çfarë faze keni arritur?
Atëherë ne si grup kemi punuar për projektet para Startup Live dhe dallonim nga grupet tjera, sepse kishim pajisjen e gatshme në praktikë dhe tërhiqnim vëmendjen më të madhe në sallë me gjithë dritën që bënin pajisjet tona.
Tani jemi në fazën e patentimit dhe kërkimit të investitorëve dhe bashkpunëtorëve që të ketë impakt edhe më të madh, sepse është vërtetë një projekt i madh që kërkon shumë potencial.
BM: Çfarë strategjie marketingu keni vendosur që të përdorni për ta përhapur Buna-Drita?
Nuk kemi ndonjë strategji të veçantë përsa i përket marketingut, por sigurisht online marketing mendoj që është më i përshtatshëm për projektet tona pasi janë projekte që kërkojnë vëmendjen e tregut më të gjerë duke kaluar barrierat ballkanike, sepse është zgjidhje e një problemi që prek të gjithë planetin dhe ne besojmë thellë në përparësitë që ka “BuNa” si pajisje.
BM: Çfarë mësuat nga kjo eksperiencë? Cilat janë planet që keni për të ardhmen e projektit?
Eksperienca në Startup Live ishte nga më të mirat që nuk do harrohet asnjëherë! Kishte shumë të qeshura, shoqëri, muzikë dhe mbi të gjitha të rinj të orientuar drejt së ardhmes plot ambicie dhe ide për punë që na bënë krenarë për Shqipërinë e së ardhmes. Mësuam shumë rreth menaxhimit të projekteve dhe sjelljen në jetë të ideve të ndryshme nga këshillat e jurisë dhe mentorëve.
Planet për projektin tonë janë të shumta, por si plan kryesor është zhvillimi i projektit në një biznes nga i cili përfitojnë të gjithë, sepse vetëm inovacionet apo shpikjet ndërtojnë këtë lloj biznesi.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 67 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.