BM: Përshëndetje Albana. Përgëzime për çmimin “ICT Diploma e Vitit”. Përpara se të flasim për projektin tënd, a mund të na bësh një përshkrim të shkurtër të vetes tuaj ?
Albana Roçi: Unë jam nga qyteti i Peshkopisë, por aktualisht banoj në Tiranë. Studimet e larta, bachelor dhe master, i kam kryer në universitetin Epoka, pranë departamentit të Inxhinierisë Kompjuterike. Nga viti 2014, kam punuar si asistente kërkimore në universitetin Epoka.
BM: Si ndiheni pas fitores të këtij çmimi? Kush ishin mbështetësit për të marrë pjesë në ICT Awards?
Albana Roçi: Çmimi “ICT Diploma e vitit” ka rëndësi të veçantë për mua, sepse ky është një vlerësim i punës tonë mes shumë projekteve interesante. Një falenderim të veçantë ndaj udhëheqësit të temës time të diplomës Dr. Arban Uka dhe familjes time.
BM: Çfarë është “Iris Recognition”? Na trego më shumë rreth këtij projekti.
Albana Roçi: Iris Recognition është një nga degët e Biometrikës, e cila merret me identifikimin e personave bazuar në strukturen e irisit. Qëllimi i këtij projekti është të arrihet përmirësimi i saktësisë, ulja e gabimit dhe optimizimi i kohës së ekzekutimit. Iris Recognition ka pesë faza kryesore: përftimi i databazës, segmentimin, normalizimin, enkodimin dhe krahasimin. Ne kemi kontribuar në fazën e segmentimit dhe të enkodimit të informacionit.
BM: A është realizuar si projekt apo ngelet thjesht një temë diplome?
Albana Roçi: Në punët kërkimore ka gjithmonë vend për përmirësime, unë aktualisht po punoj akoma me Iris Recognition. Në të ardhmen mund të realizohet si projekt për tregun shqiptar.
BM: Ku e gjen përdorimin kjo risi? Cilat janë fushat e aplikimit?
Albana Roçi: Iris Recognition ndihmon në fushen e sigurisë se informacionit. Ajo mund të gjejë përdorim në sistemet bankare, në mundësimin e hyrjes në ndërtesa dhe pajisjeve, në dogana, në aeroporte etj.
BM: Sa e sigurtë është kjo metodë biometrike njohjeje në qoftë se përdoret për këto platforma apo sisteme(banka, aeroporte, etj.)?
Albana Roçi: Iris Recognition është një ndër që janë përdorur për sigurinë, sepse irisi ka model unik, nuk ndryshon me kalimin e moshës, është i dukshëm, nuk mund të ndryshohet në mënyrë kirurgjikale pa dëmtuar shikimin e personit.
BM: Pse menduat pikërisht këtë temë për të bërë diplomën tuaj? Çfarë iu tërhoqi?
Albana Roçi: Unë zgjodha të punoja në Biometrikë sepse në temën e diplomës së bachelorit kam punuar me algoritmat e Inteligjencës Artificiale dhe kjo fushë ishte e njohur për mua. Zhvillimi i algorithmave në Iris Recognition është një fushë interesante dhe sfiduese. Gjithashtu këto algoritma kanë një model shumë të bukur matematikor, e cila është edhe arsyeja pse zgjodha të punoja me këtë projekt.
BM: Së fundmi, cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Albana Roçi: Në planet e mia për të ardhmen përfshihet përfundimi i studimeve të doktoratës.
BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto