Regjistrimet e një biznesi po stimulohen të bëhen online. Qeveria ka thjeshtuar disa procedura në këtë drejtim duke lehtësuar aksesin në shërbimet e ofruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, përfshirë këtu edhe heqjen e një tarife simbolike.
“Po tentohet drejt aplikimeve online për shkak se e gjithë koha e harxhuar në sportele do të minimizohet dhe vendi i aplikimit do të ishte kudo që mund të kishte dëshirë, apo mundësi, apo nevojë për t’u kryer nga aplikanti”, thotë Pranvera Behushi, drejtore e Përgjithshme e QKB-së.
Por edhe me paraqitjen fizike pranë sporteleve të QKB-së, synohet që për bizneset e vogla regjistrimi të bëhet brenda pak minutash.
“Për personat fizikë do të ketë edhe një formular, siç është tani dhe këtë procedurë, nga 24 orë, mund të shkojë edhe në 10 minuta”, thotë drejtoresha Behushi.
Në katër muaj, pranë QKB janë regjistruar rreth 5 mijë biznese të reja dhe janë ç’regjistruar 942 subjekte. Në fakt ç’regjistrimi është një procedurë e gjatë dhe bëhet nga tatimet, por në QKB bëhen aplikimet.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka një sportel nga administrata fiskale, ku jepet informacioni.
“Për t’i ardhur në ndihmë biznesit në QKB, është parë e arsyeshme që një individ nga tatimet, të vijë dhe të sqarojë të gjithë aplikantët në kohë reale në lidhje me detyrimet e tyre tatimore, pastaj pjesa e procedurave është pjesë tatimore dhe jo pjesë e QKB-së”, sqaron drejtoresha e QKB.
Burimi: Top Channel
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.