Bankomatët Postare do të luajnë rolin e një zyre postare që shpërndan pakot. Këto pajisje automatike janë konceptuar që t’u japin mundësi klientëve të tërheqin pakot e tyre në mënyrë automatike. Klientët nuk kanë më nevojë të presin në radhë në zyrat postare, për të marrë një pako, por mund të vijnë vetë të paraqiten për të tërhequr pakot e tyre në shtatë ditë të javës.
Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e Bankomatëve Postarë, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare Majlind Lazimi, tha se ky është një projekt që ka disa muaj që është menduar dhe tashmë është finalizuar.
Ky projekt do t’ju vijë në ndihmë qindra qytetarëve, të cilët sot përdorin shërbimin postar të blerjeve online apo të pakove të ndryshme nga jashtë vendit, përmes zyrave postare, kryesisht në zyrën që ndodhet tek Stacioni i Trenit apo tek Komuna e Parisit. Tashmë përveç këtyre dy zyrave, Posta Shqiptare ofron dhe shërbimin e Bankomatëve Postarë, një opsion i ri se si klientët mund të marrin një shërbim postar bashkëkohor dhe shumë inovativ.
Lazimi tha se ky është një projekt pilot, i cili u mendua fillimisht për qytetin e Tiranës dhe do të ofrohet në dy pika kryesore, tek zyra postare Nr. 5, si dhe tek zyra postare Nr. 29 dhe në rast se ky projekt do të vazhdojë të jetë i suksesshëm, besoj se shumë shpejt do të shtrihet edhe në qytete të tjera të rëndësishme.
Mënyra e procedimit për tërheqjen e pakove është e thjeshtë dhe e ngjashme me procedurën e tërheqjes bankare. Në momentin që pakoja mbërrin në bankomatin postar, klientit i dërgohet një mesazh ku lajmërohet për mbërritjen e pakos, si dhe një kod personal.
Klienti në momentin që shkon për të bërë tërheqjen e pakos, i kërkohet që të shkruajë kodin që i është dërguar me mesazh. Pasi shkruan të dhënat, klienti kryen pagesën prej 30 lekësh të reja, tarifë fikse për këtë lloj shërbimi dhe pasi kryen pagesën, hapet sirtari dhe klienti mund të tërheqë pakon.
Në momentin që tërhiqet pakoja, sistemi dërgon automatikisht një mesazh informues, nëpërmjet të cilit njoftohet klienti për tërheqjen e pakos.
Burimi: ata.gov.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.