“Shpikës Made in Albania” ishte tema e diskutimeve në një mbrëmje të pazakontë për një ndër emisionet më të ndjekura nga shqiptarët, Opinion në televizionin Klan, dedikuar edicionit të katërt të Albanian ICT Awards.
Mbrëmjen e së mërkurës Opinion foli i gjithi për potencialin e trevave shqipfolëse në sektorin ICT dhe nismën Albanian ICT Awards e cila në datën e 29 Prill finalizoi një tjetër edicion të suksesshëm mes suprizave dhe emocioneve të shumta.
Prof. Shkёlzen Cakaj fitues i ICT Hulumtuesi i Vitit, Prof. Ilir Çapuni – anëtar i jurisë së Albanian ICT Awards, Enkelejd Zotaj – përgjegjës për IT në Raiffeisen Bank, Hadie Hajdini – koordinatore e Albanian ICT Awards, Ardian Alaj – koordinator i Albanian ICT Awards, Florian Piraj – inxhnier pranë Formon, Genti Selenica – fitues i ICT Mobiliteti i Vitit dhe Leutrim Berisha – hakeri i bardhë i cili u shpërblye me një mirënjohje nga ICT Awards ishin të ftuarit e Blendi Fevziut në emisionin e radhës.
Lidhur me atë çfarë është ICT Awards dhe sesi filloi, emisioni Opinion i referohej si “eventi më i rëndësishëm në sektorin e teknologjisë së informacionit në Shqipëri duke nxitur një ekosistem të shëndoshtë, i cili ka filluar të prodhojë sukseset e para si investimi në Gjirafa.com dhe Evis Hoxha e cila u shpall një prej 20 femrave fituese të bursës Google Anita Borg.
Përgjatë 60 minutave të Opinion u fol për projektet fituese të edicionit të katërt në shtatë kategoritë e Albanian ICT Awards, secili prej tyre me suksesin e vet të pakontestueshëm. Leutrim Berisha, 22-vjeçari nga Kosova foli për eksperiencën e tij në zbulimin e dobësive të faqeve të internetit si ajo e Pentagonit dhe krenarinë e të qenurit haker i bardhë. Ilir Çapuni dhe Enkelejd Zotaj detajuan projektet fituese të ICT Diploma e Vitit fituar nga Evio Abazi, ICT Femra e Vitit fituar nga Erisa Terolli dhe ICT Ylli në Ngritje fituar nga Bleart Këpuska, ndërsa Genti Selenica foli për eksperiencën e tij me ‘Baboon’ në cilësinë e themeluesit.
15-35 vjeç ishin moshat e kandidatëve të Albanian ICT Awards citoi Hadie Hajdini. Në mungesë të Rron Cenës – fitues i ICT Inovacioni i Vitit, Florian Piraj, inxhinier pranë ‘Formon’ tregoi për Fevziun jo vetëm suksesin, por avantazhet e printerave 3D.
Në një pyetje drejtuar Prof. Shkёlzen Cakaj nga Fevziu lidhur me sfidën e të qenurit pjesë në një konkurs të tillë mbizotëruar nga të rinjë ai iu përgjigj me fjalët: “Unë ndihem i ri akoma!”
Në fund të emisionit zuri vend një intervistë me bashkëthemeluesin e ICT Awards, Kushtrim Shala, i cili foli për rrugëtimin e ICT Awards që nga diskutimet rreth nismës në 2010-n dhe më pas 2012-a do të vinte për të finalizuar përpjekjet dhe vizionin me edicionin e parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.