Ndërtimi i tubacioneve të TAP në Shqipëri dhe në Greqi do të nisë më qershor. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka marrë pjesë në ministerialin për korridorin jugor të gazit, në Baku të Azerbajxhanit.
“Në këtë takim u theksua edhe njëherë rëndësia e Korridorit Jugor të Gazit dhe mbi të gjitha angazhimi që kanë marrë të gjitha shtetet për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, pra bëhet fjalë për projektin TANAP dhe TAP. Doli shumë e qartë se progresi i TAP është i dukshëm dhe u konfirmua dhe njëherë se financimet janë të mundshme, u garantua se punimet në terren në Shqipëri për tubacionin do të fillojnë në mesin e këtij viti”, tha minsitri Gjiknuri.
Një mbështetje iu dha dhe projektit IAP, gazsjellësi joniano-adriatik, degëzimi i TAP, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë. Me interes tha ministri Gjiknuri është edhe degëzimi i gasjellësit me Kosovën.
“Edhe në deklaratën përfundimtare u përfshi dhe gjeti mbështetje nga vendet pjesëmarrëse ideja e zgjerimit të këtij projekti me atë që tanimë njihet si gazsjellësi Jonian-Adriatik (IAP). Aktualisht, Shqipëria bashkë me Malin e Zi kanë aplikuar në Komisionin Evropian për financimin e dizajnit përfundimtar të këtij gazsjellësi. Nga ana tjetër, u përmend edhe aplikimi që ka bërë Shqipëria dhe Kosova për studimin e fizibilitetit të degëzimit të mundshëm të gazsjellësit me segmentin Shqipëri-Kosovë. Këto janë zhvillime të rëndësishme që u theksuan edhe njëherë dhe gjetën mbështetjen e gjithë pjesëmarrësve në këtë takim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komisionit Evropian dhe të gjitha shteteve të Korridorit të Jugut”, theksoi ministri Gjiknuri.
Gjatë punimeve të konferencës ministri Gjiknuri zhvilloi bisedime me homologët e pranishëm dhe me përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.