Fasonët – Përfaqësuesi i Dhomës së Fasonëve, Gjergj Gjika, shprehu shqetësimin e tij për taksën e ambienteve që përdoren për shërbime e tregti.
Buka – Prodhuesit e bukës kërkojnë uljen e TVSH-së. Sipas tyre, “lëshimi i kuponit tatimor për një byrek nuk është normale”
Sigurimet – Shoqëritë e sigurimeve kërkojnë të mos rritet taksa mbi primin nga 3% në 10%. Sipas Avni Ponarit, kjo është frenuese.
Bujqësia – Biznesi propozon për bujqësinë: TVSH 8%, tatimfitimi 0%, taksa e pronës 10%.
Turizmi – Për turizmin: TVSH 8%, tatimfitimi 10%, dividenti 10%, sigurimet 10%, TAP-i 10%.
Transporti – Biznesi propozon: Tatimfitimi 10%, dividenti- 10%, sigurimet 10%, TAP 10%
Rritja e fashës ndarëse të biznesit të vogël do të nxisë evazionin fiskal. Kjo ishte vërejtja e thuajse të gjithë përfaqësuesve të dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit që ishin thirrur dje, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë në një seancë dëgjimi për paketën fiskale 2016. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se ishte “pro heqjes së taksës për biznesin e vogël, por rritja e fashës do të rrisë evazionin”. Pyetjes së deputetit të PD-së, Edmond Spaho, nëse ishin dakord me heqjen e taksave për biznesin e vogël, Jaka iu përgjigj se “Jemi dakord në parim me heqjen e TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) për biznesin e vogël, por jemi ende në ngërçin e se çfarë duhet të trajtojmë si biznes të tillë, pra duhet një kategorizim më i mirë. Jemi dakord me disa grupe si biznese familjare, persona fizikë, bujqësi, por jo në rastet e bizneseve të cilët do të blejnë mall me TVSH dhe do e shesin pa TVSH”, tha Jaka. “Është e thjeshtë të thuash përjashtojmë bizneset e vogla nga taksat, por cilat biznese?! Kjo mund të sjellë hapësirë edhe për abuzime”, tha Jaka.
Sipas Jakës, nëse nuk kemi një ndarje të drejtë të sipërmarrjes së vogël, nuk na intereson kjo masë. Ndërkohë, Jaka propozoi që të kategorizohen profesionet e lira, për efekt të llogaritjes së masës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. “Duhen analizuar aftësitë e tyre në treg dhe të bëhet një kategorizim sipas kësaj”, tha Jaka. Më tej Jaka bëri thirrje që të ulen tensionet politike. “Duhet të kemi një ekonomi të gjeneruar. Mazhoranca dhe opozita kanë dorë në uljen e konsumit. Stabiliteti politik është i rëndësishëm për të ofruar garanci te qytetarët. Toleranca politike duhet t’i shërbejë qytetarit. Biznesin duhet ta shohin si partner. Duhet të jenë më të kujdesshëm kur u adresohen qytetarëve. Sugjerimi im është që respektoni qytetarin ditën e enjte”, iu drejtua Jaka deputetëve të pranishëm. Lidhur me ashpërsimin e sanksioneve ndaj biznesit për shkeljet tatimore, Jaka i kërkoi qeverisë të tërhiqet nga represioni. “Bizneset informale kontrabandiste, kanë qenë ortakët e pjesës së zezë të politikës. Pra, nuk është se biznesi me penalizime të rritura tashmë mund të formalizohet. Jo. Unë ju siguroj që sado t’i rrisni penalizimet, po ata njerëz të kontrabandës dhe informalitetit do të jenë dhe më të fuqishëm”, tha Nikolin Jaka.
Dhoma Amerikane
Edhe Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), aprovoi vendimin e heqjes së taksës për bizneset e vogla, por theksoi se duhet transparencë. Sipas AmCham, heqja e taksave mund të sjellë edhe parregullsi në treg, në rastin e një biznesi të madh që mund të ndahet deri në 4 njësi të vogla që të mos paguajë detyrime. Lidhur me propozimin e Spahos, që qeveria të japë subvencione në vend që të ulë taksat, bizneset deklaruan se politikat e tilla si subvencionet zgjasin, ndaj ulja e TVSH-së është më e përshtatshme për ta.
Turizmi
Presidenti i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi, deklaroi se taksat e larta nuk e stimulojnë turizmin. Shqipëria renditet 35 vende poshtë Maqedonisë për TVSH-në e turizmit. “Nuk bëhet fjalë për të konkurruar rajonin, Malin e Zi që ka një të tretën e të gjithë resorteve dhe Kroacinë se na ka lënë prapa në kohë. Po ne po na konkurron Maqedonia me një gjysmëliqeni”, tha Zak Topuzi. Ai tha se Kryeministri dhe ministri premtuan uljen e TVSH dhe nuk e realizuan.
Rritja e akcizës së birrës ndihmon importin
Luan Bregasi drejtues i “Biznes Albania” veçoi disa probleme, që duhen parë me një sy kritik për t’u ndryshuar. ”Jemi dakord me formalizimin, por duhet parë legjislacioni me kujdes, duhet raport mes masës administrative dhe dënimit penal“, tha Bregasi. Bregasi kërkoi uljen e taksës së pronës për shërbime dhe tregti, të taksës së fjetjes, të akcizës për prodhimin vendas të birrës. “Si mund të vijë të investojë një industri e huaj këtu, të ngrejë një fabrikë, kur e ka më mirë ta sjellë nga importi birrën se ta prodhojë në vend. Sepse kostot tona janë më të larta se importi”, deklaroi Bregasi.“Çfarë na shtyn ne të shtojmë akcizën për prodhimin vendas, presioni ndërkombëtar apo presioni i importit”, u shpreh Stefan Pinguli. Sipas tij, ligji i akcizës dëmton prodhimin vendas. “Klima e prodhimit të birrës në vend nuk është e mirë ndaj ka shumë import. Me këto politika të huajt nuk tërhiqen të investojnë në vend, por më mirë sjellin prodhimin e tyre”, tha Pinguli. Ai shtoi se të gjithë prodhimin e birrës e bëjmë me mall importi, prandaj kostot janë të larta.
/ACP/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.