Nga besimi te rreziku, brenda botës së bankingut digjital në Shqipëri! - Business Magazine Albania

Nga besimi te rreziku, brenda botës së bankingut digjital në Shqipëri!

Nga besimi te rreziku, brenda botës së bankingut digjital në Shqipëri!
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Episodi më i ri i ThinkBig Podcast është tashmë i publikuar në YouTube dhe sjell në fokus një nga temat më të rëndësishme të kohës sonë: sigurinë e të dhënave dhe parave në epokën digjitale.

Në këtë bisedë, Ornaldo Naqellari, Chief Information Security Officer në JetBank, dhe Tomi Kallanxhi, ekspert i teknologjisë dhe digjitalizimit, ndajnë perspektivat e tyre mbi zhvillimin e bankingut digjital në Shqipëri, rreziqet reale dhe mënyrën sesi funksionon siguria në prapaskenë.

Diskutimi nis nga një realitet që tashmë po e përjetojmë çdo ditë: gjithnjë e më shumë shqiptarë po përdorin pagesat online dhe aplikacionet bankare. Por bashkë me këtë zhvillim, vjen edhe një pyetje thelbësore: sa të sigurt jemi?

Ornaldo ndalet te një element shumë i rëndësishëm, besimi. Ai thekson se në fund të ditës, gjithçka lidhet me të: “pa besim nuk ka biznes dhe garantori i besimit është siguria.”

Në vijim të bisedës, ai e bën edhe më konkrete sfidën kryesore që haset sot. Edhe pse kompanitë investojnë shumë në sisteme dhe teknologji, sipas tij problemi nuk është gjithmonë aty: ai thotë se një kompani mund të investojë qindra mijëra euro në sisteme, por gjithsesi hallka më e dobët mbetet njeriu.

Lexo edhe: Leadership Forum 2026: Kur Inteligjenca Artificiale kërkon lidership njerëzor!

Nga ana tjetër, Tomi e sheh zhvillimin nga këndvështrimi i tregut dhe sjelljes së përdoruesve. Ai shpjegon se besimi ndërtohet me kohën dhe eksperiencën: fillimisht përdoruesit bëjnë blerje të vogla online dhe, sapo ndihen të sigurt, rrisin gradualisht vlerën e transaksioneve.

Një moment interesant në bisedë është edhe mënyra sesi shpjegohet siguria në bankat digjitale. Ornaldo përdor një analogji shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme: ai thotë se siguria ndërtohet në shtresa, njësoj si një qepë, ku çdo shtresë shton një nivel mbrojtjeje mbi tjetrin.

Diskutimi shkon më tej edhe te ndikimi i inteligjencës artificiale. Këtu, Ornaldo thekson një realitet të dyfishtë: nga njëra anë AI ndihmon profesionistët e sigurisë të jenë më të avancuar, por nga ana tjetër u jep edhe aktorëve keqdashës më shumë fuqi.

Në thelb, ajo që del nga kjo bisedë është një mesazh i qartë: teknologjia po bëhet çdo ditë më e sigurt, por kjo nuk mjafton nëse përdoruesit nuk janë të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm në veprimet e tyre.

Ky episod nuk është thjesht një diskutim për bankat apo teknologjinë. Është një bisedë shumë reale për mënyrën sesi jetojmë sot, si paguajmë, si besojmë dhe si mbrojmë veten në një botë gjithnjë e më digjitale.

Episodin e plotë mund ta ndiqni tani në YouTube – BusinessMag Albania.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0