Drafti i ri për pastrimin e parave, kufizohen pagesat cash, rriten gjobat - Business Magazine Albania

Drafti i ri për pastrimin e parave, kufizohen pagesat cash, rriten gjobat

Drafti i ri për pastrimin e parave, kufizohen pagesat cash, rriten gjobat
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Një projektligj i ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian, është në diskutime mes institucioneve shtetërore të përfshira dhe grupeve të interesit. Qëllimi kryesor i tij është të forcojë sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri, duke parandaluar më mirë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe aktivitetet e lidhura me to. Në të njëjtën kohë, ligji synon të adresojë edhe rreziqet e reja që lidhen me kriptoasetet, transfertat ndërkufitare dhe përdorimin e parasë cash.

Drafti harmonizon legjislacionin shqiptar me rregullat më të fundit të BE-së, përfshirë Direktivën 2024/1640 dhe rregullore të tjera që lidhen me transfertat financiare dhe kontrollin e parasë fizike.

Projekligji, të cilin e ka konsultuar ekofin.al, forcon rolin e  Agjencisë së Inteligjencës Financiare, e cila do të ketë më shumë kompetenca për të analizuar transaksione të dyshimta, për të pezulluar veprime financiare kur ka dyshime dhe për të bashkëpunuar më ngushtë me institucionet brenda dhe jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, rriten kërkesat për transparencën e pronësisë së kompanive, për të identifikuar më qartë pronarët realë dhe për të shmangur përdorimin e strukturave fiktive për fshehjen e parave.

Ligji trajton për herë të parë në mënyrë më të detajuar edhe kriptoasetet, duke vendosur rregulla për operatorët dhe për gjurmimin e transfertave. Ky parashikim synon të kufizojë përdorimin e teknologjive të reja për aktivitete të paligjshme dhe të rrisë kontrollin mbi qarkullimin e parave digjitale.

Lexo edhe:Apple feston 50-vjetorin/ Kompania aktualisht ka një vlerë tregu afërsisht 3.8 trilionë dollarë!

Një nga ndryshimet më konkrete është vendosja e kufirit prej 10 000 euro për pagesat cash në transaksione tregtare. Përtej këtij niveli, transaksionet duhet të raportohen dhe të jenë të dokumentuara. Gjithashtu, forcohen kontrollet për lëvizjen ndërkufitare të parasë fizike dhe për blerjet e mëdha, si automjetet apo mjetet lundruese, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së parave.

Projektligji parashikon edhe masa më të forta për personat e ekspozuar politikisht, duke kërkuar verifikim më të thelluar të burimit të pasurisë dhe monitorim të vazhdueshëm të transaksioneve të tyre dhe të familjarëve të afërt.

Ndërkohë,  neni 14 parashikon gjoba të rrepta për mosdeklarimin e parave cash në kufi. Nëse një person nuk deklaron shumat sipas ligjit, autoritetet doganore vendosin gjobë që llogaritet si përqindje mbi shumën mbi 10 000 euro.

Konkretisht, gjoba është 30% e shumës mbi 10 000 euro kur totali është deri në 20 000 euro (por jo më pak se 500 euro), 40% kur shuma është nga 20 000 deri në 50 000 euro dhe 50% kur kalon 50 000 euro. Nëse paratë nuk mund të ndahen për të paguar saktë gjobën, dogana mban një shumë të përafërt me vlerën e saj.

Në rastet kur dyshohet se mosdeklarimi lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi, çështja i kalon prokurorisë brenda 72 orëve për hetim penal. Rregullat e detajuara për zbatimin e këtyre masave do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

ekofin.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0