Green Queens: Gratë që po shkruajnë ekonominë e gjelbër! - Business Magazine Albania

Green Queens: Gratë që po shkruajnë ekonominë e gjelbër!

Nga ferma te fabrika. Nga një ide virtuale te një zinxhir real furnizimi. Nga një produkt i panjohur te një kulturë e re konsumi.

Episodi i dytë i serisë së podcastit mbi ekonominë e gjelbër solli në qendër tri histori lidershipi femëror që dëshmojnë se tranzicioni i gjelbër në Shqipëri ka fytyrë, zë dhe vendimmarrje të guximshme.

Nën titullin “Green Queens”, episodi u fokusua tek fitueset e çmimit Green Queen, një iniciativë e shpallur nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, që vlerëson gratë sipërmarrëse të cilat poudhëheqin me modele konkrete drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në nëntor, në kuadër të Panairit të Bizneseve të projektit EU4GreenGen. Në panel ishin Dhurata Thanasi, Ina Fasko dhe Nerta Tushe, sipërmarrëse që nuk mbajnë kurora simbolike, por mbajnë përgjegjësi reale: për produktin, për tregun dhe për mjedisin.

Zinxhiri i shkurtër ushqimor: nga virtualja në një model real

Dhurata Thanasi rrëfeu rrugëtimin e “Lugës së Argjendtë”, një biznes që nisi në mënyrë virtual në vitin 2012, me një mision të qartë: të lidhte drejtpërdrejt konsumatorin me produktin vendas.

Fillimisht ishte një platformë rrjetëzimi. Kërkesa e tregut e çoi drejt një strukture reale, të bazuar në zinxhirin e shkurtër ushqimor. Çdo produkt që ofrohet përpunohet brenda strukturës ose vjen nga bujq të vegjël, biznese të vogla dhe agro-përpunues 100% shqiptarë. Ky model nuk është vetëm ekonomik; është edhe etik. Ai redukton ndërmjetësit, mbështet prodhimin vendas dhe forcon lidhjen mes konsumatorit dhe burimit të ushqimit.

lexo edhe:Kur ekonomia flet gjelbër!

Edukimi i konsumatorit: Nga paragjykimi te përqafimi

Ina Fasko e “Rinora” ndau një tjetër sfidë tipike të inovacionit të gjelbër: paragjykimin fillestar. “Paragjykimi kryesor ka qenë: Nuk e ble njeri,” u shpreh ajo. Në fillim, produkti i saj nuk njihej nga konsumatori shqiptar. Ishte i ri, ndryshe dhe shpesh më i kushtueshëm se alternativat tradicionale. Zgjidhja nuk ishte ulja e standardit, por rritja e informacionit. Përmes komunikimit të vazhdueshëm në rrjetet sociale, përmes edukimit mbi përfitimet për lëkurëm dhe mjedisin, konsumatorët nisën ta kuptonin vlerën e produktit. Sot, shumë prej tyre kanë hequr dorë nga alternativat plastike dhe kanë përqafuar një zgjedhje më të qëndrueshme. Historia e saj dëshmon se ekonomia e gjelbër kërkon jo vetëm produkt të mirë, por edhe forme të re konsumi.

Refill: kur ambalazhi bëhet pjesë e zgjidhjes

Nerta Tushe, drejtuese e një laboratori kozmetike organike, prezantoi një tjetër dimension të inovacionit të gjelbër: sistemin refill. Laboratori i saj prodhon produkte për kujdesin e lëkurës, flokëve dhe trupit, përfshirë linja për fëmijë, të eksportuara brenda dhe jashtë vendit. Por diferencimi i vërtetë vjen nga mënyra si menaxhohet ambalazhi.Projekti pilot i rimbushjes, i implementuar përmes makinerive të vendosura në qendra tregtare në Tiranë, u mundëson konsumatorëve të rimbushin produktet me një çmim më të ulët, duke zëvendësuar bidonët plastikë me enë alumini të ripërdorshme deri në 30 herë. Një zgjidhje praktike, që ul mbetjet, redukton plastikën dhe e bën konsumatorin pjesë aktive të ciklit.

Lidership me vizion afatgjatë

Episodi i dytë solli një mesazh të qartë: ekonomia qarkulluese ka shumë fytyra, nga bujqësia te kozmetika, nga startup-et te laboratorët me eksport. Por ajo ka një element të përbashkët: lidershipin që merr vendime të vështira sot për një ndikim afatgjatë. “Ekonomia e gjelbër nuk është më ide e së ardhmes,” ishte përfundimi i episodit. “Është një rruge që po ndërtohet sot.” Dhe ndërtohet nga gra, por edhe burra, që kombinojnë fitimin me përgjegjësinë, tregun me misionin dhe inovacionin me qëndrueshmërinë.

Seria e podcastit është prodhuar nga Business Magazine Albania me mbështetjen e Bashkimi Evropian përmes projektit EU4GreenGen, duke sjellë në vëmendje histori reale që po i japin formë të ardhmes së ekonomisë së gjelbër në Shqipëri.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0