Zgjerimi i BE-së mund të sjellë më shumë investime në Shqipëri dhe Ballkan - Business Magazine Albania

Zgjerimi i BE-së mund të sjellë më shumë investime në Shqipëri dhe Ballkan

Komisionerja e Bashkimit Europian për zgjerimin, Marta Kos, u ka bërë thirrje kompanive europiane të investojnë në vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke theksuar se raundet e mëparshme të zgjerimit kanë sjellë përfitime të mëdha ekonomike për bizneset dhe investitorët. Megjithatë, një sondazh i ri nga Confederation of Swedish Enterprise tregon se shumë kompani në Europë mbeten ende hezituese për t’u angazhuar në këto tregje.

Duke folur në një event të organizuar në Bruksel, Kos theksoi se zgjerimi i mëparshëm i BE-së ka rritur eksportet, ka forcuar zinxhirët e furnizimit dhe ka kontribuar në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto në shumë vende të kontinentit. “Zgjerimi rriti eksportet, përmirësoi zinxhirët e furnizimit dhe rriti GDP-në,” deklaroi ajo, duke shtuar se investitorët kanë përfituar ndjeshëm nga procesi i integrimit europian. Sipas saj, ky sukses nuk ka ardhur rastësisht. Elementi kyç ka qenë reforma, pasi investitorët janë të gatshëm të hyjnë në një treg vetëm kur ndihen të sigurt për mbrojtjen e kapitalit të tyre. “Prandaj po punojmë ngushtë me vendet kandidate për të ndërtuar institucione të forta dhe demokratike. Gjykata të pavarura, më pak korrupsion dhe media të lira janë themelet e një ekonomie të shëndetshme,” theksoi Kos.

Hezitimi i bizneseve europiane

Megjithatë, pavarësisht mundësive, një pjesë e konsiderueshme e kompanive europiane mbeten të kujdesshme. Sipas një studimi të prezantuar nga Confederation of Swedish Enterprise, vetëm 39% e kompanive të anketuara besojnë se reformat në vendet kandidate do t’i bëjnë këto tregje më tërheqëse për biznesin. Analiza sugjeron se integrimi në BE mund të sjellë rritje ekonomike përmes investimeve më të mëdha, rritjes së tregtisë dhe harmonizimit të rregullave. Për kompanitë që tashmë operojnë në këto tregje, anëtarësimi në BE mund të reduktojë barrierat dhe të krijojë një mjedis biznesi më të parashikueshëm.

Megjithatë, procesi kërkon reforma të vazhdueshme, investime dhe përmirësim të institucioneve për të arritur konvergjencë ekonomike me vendet anëtare të BE-së.

Çfarë kërkojnë bizneset

Drejtues të kompanive ndërkombëtare theksuan gjatë diskutimit se zgjerimi i BE-së mund të thjeshtojë operacionet ndërkufitare, të harmonizojë standardet dhe të krijojë mundësi në sektorë si infrastruktura, inxhinieria, prodhimi dhe teknologjia.

Megjithatë, për të planifikuar investime afatgjata, bizneset kërkojnë qartësi më të madhe në afatet e procesit të anëtarësimit dhe siguri rregullatore.

Për vende si Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, kjo do të thotë se përparimi në reforma institucionale, forcimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit mbeten faktorë kyç për tërheqjen e kapitalit europian.

Në këtë kuptim, zgjerimi i BE-së nuk shihet vetëm si një projekt politik apo gjeostrategjik, por edhe si një mundësi e rëndësishme ekonomike, që mund të krijojë tregje të reja dhe partneritete të reja biznesi mes Europës dhe rajonit.

Zgjerimi i BE, një projekt ekonomik po aq sa politik

Zgjerimi i BE-së nuk duhet parë vetëm si një projekt politik apo sigurie, por edhe si një mundësi strategjike ekonomike për kompanitë europiane që janë të gatshme të investojnë në tregjet e reja.

Për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kjo nënkupton potencialisht më shumë investime të huaja, integrim më të fortë në zinxhirët europianë të furnizimit dhe rritje të eksporteve drejt tregut të BE-së. Në të njëjtën kohë, një BE më e madhe mund të ndihmojë kompanitë europiane të përballojnë konkurrencën nga ekonomitë globale si SHBA dhe Kina duke krijuar një treg më të madh dhe një bazë më të gjerë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Shqipëria, e cila ka nisur negociatat e anëtarësimit në BE, shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion potencial për investime në sektorë si infrastruktura, energjia, shërbimet digjitale dhe prodhimi./ BusinessMag

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0