Pse disa CEO startup-esh nuk besojnë se AI do t’i zëvendësojë njerëzit në punë - Business Magazine Albania

Pse disa CEO startup-esh nuk besojnë se AI do t’i zëvendësojë njerëzit në punë

Pse disa CEO startup-esh nuk besojnë se AI do t’i zëvendësojë njerëzit në punë
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ndërsa kompanitë e inteligjencës artificiale po rriten me shpejtësi në vlerë dhe përdorim, debati për ndikimin e AI në tregun e punës po bëhet gjithnjë e më i fortë. Disa studime tregojnë se profesionet ku një pjesë e madhe e detyrave mund të automatizohen do të preken drejtpërdrejt, por shumë analistë besojnë se AI do të krijojë edhe role të reja, duke e parë zhvendosjen e vendeve të punës si një fazë kalimtare.

David Shim, CEO i Read AI, një startup që zhvillon mjete për mbajtjen e shënimeve dhe analizën e takimeve, tha në Web Summit Qatar se, edhe pse mjetet e AI po bëhen gjithnjë e më të fuqishme, në fund të ditës janë njerëzit ata që marrin vendimet. Sipas tij, teknologjia e bën punën më të lehtë, por nuk e zëvendëson rolin e njeriut.

Ai e krahason përdorimin e AI me përdorimin e hartave gjatë drejtimit të makinës: dikur shoferët shikonin hartën dhe vendosnin vetë drejtimin; sot përdorim Google Maps apo Waze që na tregojnë rrugën, por në fund jemi ne që vendosim nëse do ta ndjekim apo jo sugjerimin. “Gjithmonë do të ketë një njeri në mes,” thotë Shim. “AI ta bën më të lehtë punën, por vendimi mbetet njerëzor.” Ai pranon se disa role, si në agjencitë e marketingut dhe reklamave, mund të preken nga automatizimi. Megjithatë, sipas tij, do të ketë gjithmonë nevojë për profesionistë që mbikëqyrin proceset e automatizuara dhe marrin vendime strategjike.

Edhe Abdullah Asiri, themelues i Lucidya, një startup që ofron mjete të mbështetura në AI për shërbimin ndaj klientit, mendon se AI nuk do t’i zëvendësojë rolet, por detyrat. Ai shpjegon se, tek klientët e Lucidya, shumë agjentë të customer support-it kanë kaluar në role të reja: disa janë bërë mbikëqyrës të proceseve ku punojnë njerëz dhe AI bashkë, ndërsa të tjerë janë fokusuar më shumë në ndërtimin e marrëdhënieve me klientët dhe zhvillimin e biznesit.

Sipas Shim, mjetet si notetaker-at me AI i kanë çliruar njerëzit nga detyra të lodhshme si mbajtja e shënimeve në takime. “Askush nuk dëshiron të rrijë gjithë takimin duke mbajtur shënime. Kur këtë e bën AI, ti fiton kohë për të reflektuar, për t’iu përgjigjur më shpejt klientëve dhe për të marrë vendime më të informuara,” shprehet ai.

Lexo edhe: Spotify: Zhvilluesit tanë më të mirë nuk kanë shkruar kod prej dhjetorit, falë automatizimit me AI

Si po e përdorin vetë startup-et AI-në brenda kompanive

Startup-et që ndërtojnë produkte me AI po e përdorin gjithnjë e më shumë këtë teknologji edhe brenda ekipeve të tyre. Read AI, për shembull, ka vetëm pesë persona në ekipin e shërbimit ndaj klientit, por u shërben miliona përdoruesve çdo muaj. Sipas Shim, mjetet e AI i ndihmojnë ekipet e vogla të jenë shumë më produktive dhe të kenë më shumë kontekst për të zgjidhur problemet e klientëve. Kompania përdor gjithashtu AI për të analizuar proceset e shitjeve, duke u lidhur me sisteme CRM si HubSpot dhe Salesforce. Kjo i ndihmon ekipet të kuptojnë më mirë nëse një marrëveshje po ecën mirë apo jo dhe çfarë funksionon në komunikimin me klientët. Edhe Lucidya përdor mjete të AI për takime, krijim materialesh marketingu dhe procese të brendshme. Qëllimi, sipas Asiri-t, është “të rritësh rezultatet pa rritur domosdoshmërisht numrin e punonjësve”. Ai thekson se kompanitë po kërkojnë gjithnjë e më shumë njerëz që dinë të punojnë mirë me AI-në, jo domosdoshmërisht ta ndërtojnë atë nga e para, por ta përdorin si mjet pune.

Si e perceptojnë klientët përdorimin e AI

Para pak vitesh, prezenca e një “boti” në takime apo në telefonata me klientët shihej me dyshim. Sot, kjo është bërë më e pranueshme, sidomos nëse përdoruesit kanë kontroll mbi mënyrën se si përdoret AI, si p.sh. regjistrimi i takimeve apo ruajtja e të dhënave. Asiri thekson se Lucidya i informon gjithmonë përdoruesit kur në komunikim përfshihet një zë artificial. Sipas tij, për klientët është shumë më e rëndësishme që problemi të zgjidhet shpejt dhe saktë, sesa fakti nëse në anën tjetër është një njeri apo një AI. “Nëse problemi zgjidhet shpejt dhe siç duhet, klientit nuk i intereson shumë kush e ka zgjidhur, njeri apo AI,” përfundon Asiri.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0