Kosova feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë. Që nga 17 shkurti 2008, përpjekja e udhëheqjes politike të vendit ka qenë e orientuar drejt shtetndërtimit, një proces që nuk ka qenë i lehtë dhe është shoqëruar me sfida të shumta në planin diplomatik, ekonomik dhe institucional.
Por përtej kuptimit politik, Kosova si shtet has sot vështirësi në një dimension tjetër, atë të ekonomisë digjitale. Tregtia online, sistemet e pagesave, integrimi në platformat globale dhe njohja nga organizata ndërkombëtare që operojnë në këto fusha mbeten të kufizuara për shkak se Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet apo organizatat botërore si shtet i pavarur, përfshi këtu edhe 5 vende brenda BE-së.Një nga platformat më të mëdha që e njeh aktualisht Kosovën është Google Maps, e cila e ndan me vijë kufirin Kosovë–Serbi, një simbolikë që është një shenjë e njohjes digjitale në një botë gjithnjë e më të lidhur përmes teknologjisë.
A është Kosova sot e pavarur plotësisht në kuptimin digjital?
Business Mag bisedoi me Shpend Lilën nga Qendra e Kosovës për Inovacion. Për Lilën, problemi i mungesës së një domeni shtetëror është më shumë politik sesa teknik.
“Mungesa e një domeni shtetëror ka një kosto si për institucionet shtetërore, ashtu edhe për kompanitë që harxhojnë deri në miliona euro në baza vjetore për të paguar domenin e shteteve të tjera. Po ta kishim tonin, këto miliona do t’i kishim në Kosovë dhe nuk do të kishin pse të iknin jashtë. Janë para që mund të përdoreshin në burime njerëzore, trajnime, investime në teknologji”, – thotë Lila.
Përtej aspektit financiar, mungesa e domenit ndikon edhe në perceptimin ndërkombëtar të shtetit në hapësirën virtuale në një kohë kur identiteti online është po aq i rëndësishëm sa ai diplomatik.
Mes të tjerash, Lila thekson se rruga për sektorin e ICT në Kosovë ka kaluar përmes paragjykimeve të shumta. Megjithatë, sot Kosova konsiderohet më përpara në sektorin e teknologjisë krahasuar dhe kjo falë punës së vetë aktorëve të industrisë. Kompanitë e teknologjisë kanë ndërtuar reputacion ndërkombëtar, kanë eksportuar shërbime dhe kanë krijuar vende pune me vlerë të shtuar të lartë.
Startup-et e Kosovës regjistrohen jashtë
Një fenomen i dukshëm është regjistrimi i startup-eve kosovare në vende të tjera, si në SHBA apo në vende të Bashkimit Evropian për të pasur akses më të lehtë në investime, sisteme pagesash ndërkombëtare dhe tregje globale.
Kjo praktikë, ndonëse e imponuar nga kufizimet strukturore dhe që sjell sfida për bizneset, ka krijuar një formë të re të diplomacisë ekonomike. Startup-et kosovare, të regjistruara jashtë, shpesh bëhen ambasadorë të heshtur të vendit, duke promovuar talentin dhe kapacitetet njerëzore të Kosovës në tregjet ndërkombëtare, duke u konsideruar edhe një lloj diplomacie jotradicionale, një prezencë e Kosovës në hartën globale të inovacionit, edhe kur shteti përballet me barriera formale.
Pavarësia politike vs. pavarësia digjitale
18 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka konsoliduar shumë aspekte të shtetësisë së saj. Megjithatë, pavarësia digjitale mbetet një objektiv ende i papërmbushur plotësisht.
Në një botë ku ekonomia, diplomacia dhe komunikimi zhvillohen gjithnjë e më shumë në hapësirën virtuale, mungesa e një identiteti të plotë digjital përkthehet në humbje mundësish.
Debati për domenin shtetëror, për integrimin në sistemet globale dhe për njohjen në arkitekturën ndërkombëtare të internetit nuk është më një çështje teknike, është një çështje strategjike për zhvillimin ekonomik dhe për sovranitetin në epokën digjitale.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto