Drejtuesi i Instagram, Adam Mosseri, ka mbrojtur platformën përballë akuzave se ajo ka shkaktuar dëme në shëndetin mendor të të miturve, duke deklaruar në një gjykatë në Kaliforni se edhe përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale nuk barazohet domosdoshmërisht me varësi.
Mosseri, i cili drejton Instagram prej tetë vitesh, dëshmoi këtë javë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Los Angeles, duke u bërë drejtuesi i parë i një kompanie të madhe teknologjike që paraqitet personalisht në këtë çështje. Procesi pritet të zgjasë gjashtë javë dhe konsiderohet si një provë e rëndësishme për përpjekjet ligjore që synojnë të mbajnë kompanitë e teknologjisë përgjegjëse për ndikimin e produkteve të tyre tek të rinjtë.
Avokatët e Meta-s, kompanisë që zotëron Instagram-in, argumentojnë se paditësja kryesore në këtë çështje, e identifikuar me inicialet K.G.M., është ndikuar nga faktorë të tjerë në jetën e saj dhe jo drejtpërdrejt nga Instagram-i. Në padi përfshihet edhe YouTube, ndërsa Snapchat dhe TikTok kanë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore para fillimit të procesit. Meta zotëron gjithashtu Facebook-un dhe WhatsApp-in, ndërsa juria pritet të vendosë nëse Instagram ka qenë një faktor i rëndësishëm në problemet e shëndetit mendor të paditëses. Sipas kompanisë, provat tregojnë se ajo kishte vështirësi serioze në jetën e saj edhe para se të përdorte rrjetet sociale.
Në dëshminë e tij, Mosseri pranoi se Instagram duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur përdoruesit, veçanërisht të rinjtë. Megjithatë, ai tha se nuk është e mundur të përcaktohet një kufi i qartë se sa përdorim i Instagram-it është “tepër”. Sipas tij, nëse përdorimi i rrjeteve sociale është problematik apo jo, varet nga individi. Një person mund ta përdorë platformën më shumë se një tjetër dhe megjithatë të ndihet mirë. Ai theksoi se duhet bërë dallimi mes varësisë klinike dhe përdorimit problematik. Mosseri solli si shembull përdorimin e tepërt të platformave të transmetimit të filmave dhe serialeve, duke thënë se shpesh njerëzit e quajnë veten “të varur” nga një serial, por kjo nuk është e njëjtë me varësinë klinike. Ai theksoi gjithashtu se nuk është ekspert në fushën e varësisë.
Gjatë seancës, avokati i paditëses përmendi një sondazh të brendshëm të Meta-s, ku rreth 60% e 269 mijë përdoruesve të pyetur kishin parë ose përjetuar bullizëm në Instagram gjatë javës së fundit. U theksua gjithashtu se paditësja kishte bërë mbi 300 raportime për bullizëm në platformë. Mosseri tha se nuk kishte qenë në dijeni të këtyre raportimeve.
I pyetur për faktin se përdorimi më i gjatë ditor i Instagram-it nga ana e paditëses kishte qenë 16 orë në një ditë të vetme, Mosseri u përgjigj se kjo i dukej një përdorim problematik, por nuk e cilësoi si varësi.
Në gjyq u përmend edhe një shkëmbim email-esh i vitit 2019 mes drejtuesve të Meta-s, ku diskutohej ndikimi negativ i filtrave që ndryshojnë pamjen fizike të përdoruesve në foto. Një nga ish-drejtuesit e Meta-s kishte paralajmëruar se kompania mund të akuzohej se po vendoste rritjen mbi përgjegjësinë, duke dëmtuar reputacionin e saj. Mosseri deklaroi se kompania kishte vendosur të ndalonte filtrat që shkonin përtej efektit të grimit, por më vonë pranoi se ky ndalim ishte “modifikuar”.
Meta dhe kompani të tjera të rrjeteve sociale po përballen me mijëra padi të ngjashme në SHBA, të ngritura nga familje, prokurorë shtetërorë dhe institucione arsimore. Jashtë gjykatës, një grup qytetarësh, përfshirë prindër, protestuan duke shprehur shqetësimin se fëmijët e tyre janë dëmtuar nga përdorimi i rrjeteve sociale. Një prind nga Londra, i pranishëm për të ndjekur procesin, deklaroi se rrjetet sociale duhet të kenë kufizime më të forta për të miturit dhe se kompanitë kanë kapacitetin teknologjik dhe financiar për të mbrojtur më mirë fëmijët.
Në javët në vijim, pritet që në gjykatë të dëshmojnë edhe figura të tjera të njohura të industrisë së teknologjisë, përfshirë drejtuesin e Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe drejtuesin e YouTube, Neal Mohan.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto