OpenAI duket se po bën hapin e parë drejt botës së harduerit, dhe jo me një pajisje futuriste të padukshme, por me diçka shumë më të thjeshtë: një palë kufje me inteligjencë artificiale.
Sipas një informatori në Weibo, kompania po përgatit lançimin e produktit të saj të parë fizik, që pritet të quhet “Dime”. Fillimisht, në treg qarkulluan zëra se OpenAI po punonte për një pajisje më eksperimentale, si një varëse apo stilolaps inteligjent, veçanërisht pas afrimit të ish-dizajnerit legjendar të Apple, Jony Ive. Por duket se planet kanë ndryshuar dhe kompania ka zgjedhur një produkt më praktik dhe më të aksesueshëm për publikun.
Kufjet pritet të dalin në treg deri në fund të vitit, ndërsa një version më i avancuar do të prezantohet pasi të stabilizohet furnizimi me HBM (memorie me brez të gjerë të lartë), një komponent kyç për performancë më të fuqishme të AI-së.
Ky zhvillim vjen në një moment kur përdorimi i inteligjencës artificiale po rritet me ritme të shpejta, por edhe kritikat po shtohen. Shumë përdorues ankohen për përgjigje të gjata dhe të stërzgjatura nga platformat si ChatGPT apo Gemini. Ekspertët sugjerojnë se zgjidhja është e thjeshtë: udhëzime të qarta, kërkesa për përgjigje të shkurtra dhe vendosje kufizimesh në format.
Ndërkohë, një studim i publikuar në JAMA Network Open tregon se përdorimi i përditshëm i inteligjencës artificiale lidhet me një rritje modeste të simptomave depresive. Sipas studiuesve, shanset për të paktën depresion të moderuar rriten me rreth 30% tek përdoruesit e përditshëm krahasuar me ata që e përdorin më rrallë.
Nëse kufjet e OpenAI bëhen realitet, inteligjenca artificiale nuk do të jetë më vetëm në ekranin tuaj, por një zë i përhershëm në vesh. Pyetja është: a jemi gati për këtë hap tjetër?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.