Bizneset shpenzojnë mbi 800 miliardë dollarë në vit për punë që mund t’i bëjë AI - Business Magazine Albania

Bizneset shpenzojnë mbi 800 miliardë dollarë në vit për punë që mund t’i bëjë AI

Bizneset shpenzojnë mbi 800 miliardë dollarë në vit për punë që mund t’i bëjë AI

Bizneset amerikane po humbasin mbi 818 miliardë dollarë në vit për shkak të kohës që punonjësit shpenzojnë në detyra administrative që mund të automatizohen nga inteligjenca artificiale, sipas një studimi të fundit.

Hulumtimi, i zhvilluar me 3,000 punonjës zyrash në SHBA, tregon se personat që merren me detyra administrative si shkrimi i email-eve, mbajtja e shënimeve apo përgatitja e raporteve, humbasin mesatarisht më shumë se pesë orë e gjysmë në javë duke kryer punë rutinë manuale.

Duke u bazuar në pagën mesatare vjetore të pjesëmarrësve në studim, e cila ishte 115,779 dollarë, kjo përkthehet në rreth 3 miliardë dollarë humbje çdo ditë pune për bizneset amerikane.

Sipas rezultateve, shkrimi i email-eve është detyra që konsumon më shumë kohë, e përmendur nga 34 për qind e të anketuarve. Pas saj renditen leximi i email-eve me 31%, përditësimi i të dhënave në spreadsheet-e me 19 për qind dhe përgatitja e raporteve me 14 për qind. Po ashtu, kërkimi i informacionit online dhe analiza e të dhënave konsiderohen veçanërisht të lodhshme nga 17 për qind e punonjësve.

Si pasojë e këtij ngarkimi administrativ, 46% e të anketuarve thonë se ndihen të mbingarkuar nga detyrat e përditshme, ndërsa gjysma e tyre pranojnë se kjo i ka bërë të mendojnë seriozisht për të lënë punën.

Edhe pse mjetet e automatizimit dhe inteligjencës artificiale janë gjithnjë e më të pranishme, 43% e punonjësve thonë se kanë ndihmë nga AI, por jo mjaftueshëm, ndërsa 33 për qind pranojnë se rrallë ose kurrë nuk përdorin mjete të tilla në punën e tyre të përditshme.

Studimi është porositur nga platforma Fyxer në kuadër të “Admin Burden Index”, një indeks që mat koston e fshehur të punëve rutinë dhe ndikimin e tyre në produktivitetin dhe rritjen e bizneseve. Sipas Rich Hollingsworth, CEO dhe bashkëthemelues i Fyxer, administrata është bërë një barrë e padukshme në punën moderne.

Lexo edhe:“Vrasja” e The Washington Post!

Sipas tij, disa minuta të humbura këtu, një orë atje, të shpërndara në qindra apo mijëra punonjës, shumëfishohen shpejt në kosto të mëdha për bizneset. Punonjësit e ndjejnë lodhjen dhe shpërqendrimin, por me kalimin e kohës kjo është normalizuar si “pjesë e punës”.

AI, sipas Hollingsworth, është gati të lehtësojë këtë barrë dhe punonjësit janë të hapur për ta pranuar ndihmën, por shpesh mjetet që u ofrohen nuk janë ende në nivelin e duhur për t’i zgjidhur realisht problemet e përditshme.

Studimi tregon gjithashtu se 37%  e atyre që ndihen të mbingarkuar nga detyrat administrative thonë se këto punë u marrin kohë nga përgjegjësitë kryesore të rolit të tyre. Një në tre i konsideron këto detyra të përsëritshme dhe të mërzitshme, ndërsa për 31 për qind puna grumbullohet më shpejt sesa arrijnë ta kryejnë.

Për më tepër, 55% e punonjësve thonë se ngarkesa e punës është rritur gjatë 12 muajve të fundit dhe vlerësojnë se rreth 30 për qind e kësaj rritjeje lidhet drejtpërdrejt me detyra administrative. Si rezultat, 59% pranojnë se punojnë më gjatë se orari i kontraktuar të paktën një herë në javë, ndërsa 11% e bëjnë këtë çdo ditë. Mesatarisht, ata punojnë gati një orë shtesë në ditë.

Të dhënat tregojnë se një punonjës zyre merr mesatarisht 48 email-e në ditë dhe dërgon rreth 36 përgjigje. Sipas të dhënave të platformës Fyxer, 40% e aktivitetit në email ndodh jashtë orarit të punës, ndërsa shkrimi dhe përgjigjja e email-eve merr gati dy orë nga dita mesatare e punës.

Sipas Hollingsworth, edhe pse detyrat administrative duken “të vogla”, ato janë një burim i madh stresi edhe për punonjësit më të paguar dhe më seniorë. Ngarkimi me punë që sjell pak vlerë reale dëmton fokusin, motivimin dhe të ardhurat e bizneseve.

Email-i, sipas tij, është shembulli më i qartë: njerëzit janë mësuar të kalojnë orë të tëra në inbox, si diçka “normale”, ndërkohë që puna reale dhe me vlerë mundohet të futet në kohën që mbetet.

10 detyrat administrative që u marrin më shumë kohë punonjësve:

  1. Shkrimi dhe përgjigjja e email-eve
  2. Leximi i email-eve
  3. Kërkimi i informacionit online
  4. Organizimi i dokumenteve dhe file-ve
  5. Analiza ose përmbledhja e të dhënave
  6. Përgatitja e raporteve
  7. Futja dhe përditësimi i të dhënave në sisteme ose spreadsheet-e
  8. Menaxhimi i listave të detyrave dhe rikujtesave
  9. Planifikimi i takimeve dhe menaxhimi i axhendës
  10. Ndjekja e progresit të projekteve dhe afateve

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0