Gjiganti amerikan i teknologjisë Amazon ka informuar pa dashje punonjësit për një valë të re pushimesh nga puna në nivel global, përmes një emaili që duket se është dërguar gabimisht.
Një email në formë drafti, i shkruar nga Colleen Aubrey, zv/presidente e lartë në Amazon Web Services (AWS), u përfshi në një ftesë kalendari që u dërgua nga një asistente ekzekutive te një numër punonjësish të Amazon-it vonë të martën. Në email, Aubrey i referohet largimit nga puna të një numri punonjësish në SHBA, Kanada dhe Kosta Rikë, si pjesë e përpjekjeve për të “forcuar kompaninë”. Mesazhi, i cili është parë nga BBC, duket se është shpërndarë gabimisht, pasi ftesa u anulua shumë shpejt. Një zëdhënës i Amazon-it nuk pranoi të komentojë.
“Project Dawn”
Titulli i ftesës ishte “Send Project Dawn email”, një referencë e dukshme ndaj emrit të koduar që Amazon përdor për këto shkurtime vendesh pune. Ndërsa emaili e bënte të qartë se pushimet nga puna po ndodhnin, punonjësit ende nuk ishin informuar zyrtarisht.
“Kjo është vazhdimësi e punës që kemi bërë për më shumë se një vit për të forcuar kompaninë, duke reduktuar nivelet hierarkike, rritur përgjegjësinë dhe hequr burokracinë, në mënyrë që të lëvizim më shpejt për klientët,” thuhej në email. “Ndryshime të tilla janë të vështira për të gjithë. Këto vendime janë të vështira dhe merren me kujdes, ndërsa pozicionojmë organizatën dhe AWS për sukses në të ardhmen,” shtohej më tej. Amazon njoftoi në fund të tetorit për 14,000 pushime nga puna. Sipas një ish-punonjësi që kërkoi të mbetet anonim, kjo valë e dytë ishte pritur prej javësh nga stafi. Kuptimi i përgjithshëm mes punonjësve ishte se drejtuesit synonin të shkurtonin rreth 30,000 vende pune në total.
Kompania pritej ta arrinte këtë shifër me një tjetër valë të madhe pushimesh këtë muaj, e ndjekur nga reduktime të mëtejshme deri në fund të majit. Punonjësit e larguar nga puna janë ftuar të riaplikojnë për pozicione të hapura brenda Amazon-it, por numri i këtyre vendeve ka qenë i kufizuar. Ata që nuk kanë kaluar në role të tjera kanë përfituar pagesë kompensimi, bazuar në kohëzgjatjen e punës në kompani. Që nga viti 2022, kompani të mëdha teknologjike si Amazon, Meta, Google, Microsoft dhe të tjera kanë shkurtuar dhjetëra mijëra vende pune çdo vit.
Në të gjithë industrinë e teknologjisë, vlerësohet se rreth 700,000 persona kanë humbur vendet e punës gjatë katër viteve të fundit, sipas Layoffs.fyi, një platformë që ndjek këto të dhëna. Vetëm këtë vit, Meta (kompania mëmë e Facebook) ka shkurtoi qindra vende pune, ndërsa Pinterest njoftoi këtë javë për rreth 700 pushime nga puna.
“Koha për të rishikuar gjithçka”
Që prej largimit të themeluesit Jeff Bezos nga posti i CEO-së katër vite më parë, pasardhësi i tij Andy Jassy ka udhëhequr Amazon-in përmes disa raundeve pushimesh nga puna në vitet 2023, 2024 dhe 2025. Jassy ka tentuar gjithashtu të vendosë një kulturë pune më të rreptë. Puna në zyrë tani është e detyrueshme pesë ditë në javë, duke e bërë Amazon-in një nga të paktat kompani të mëdha teknologjike që kërkon prezencë të plotë fizike. Kompania po fokusohet gjithashtu në uljen e kostove, duke monitoruar edhe përdorimin e telefonave të kompanisë nga punonjësit e AWS, për të kufizuar një rimbursim mujor prej 50 dollarësh, sipas Business Insider.
Në një email që Jassy u dërgoi punonjësve përpara Ditës së Falënderimeve, i parë nga BBC, ai shprehej mirënjohës për “sfidat dhe mundësitë në punë”, duke theksuar se “bota po ndryshon me një ritëm shumë të shpejtë”.
Ai e quajti këtë periudhë për Amazon-in “një kohë për të rishikuar gjithçka që kemi bërë ndonjëherë”. Më herët gjatë së martës, kompania njoftoi se do të mbyllë rreth 70 dyqanet e saj ushqimore nën markën Amazon (Amazon Fresh dhe Amazon Go), ndërsa do të zgjerojë rrjetin Whole Foods Market.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto