Themeluesi i platformës thotë se modelet e mëdha gjuhësore kanë qenë duke “goditur rëndë” serverët e Wikipedia-s dhe se kompanitë e inteligjencës artificiale duhet të “kontribuojnë dhe të paguajnë pjesën e tyre që u takon”.
Enciklopedia online Wikipedia ka njoftuar partneritete të reja me kompani teknologjike të inteligjencës artificiale, përfshirë Amazon, Meta dhe Microsoft.
Marrëveshjet janë pjesë e produktit komercial Wikipedia Enterprise, i cili u lejon kompanive të AI-së ripërdorimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes së Wikipedia-s për qëllime komerciale dhe teknologjike.
Vitet e fundit, infrastruktura e platformës falas ka qenë nën presion të shtuar, pasi sistemet e inteligjencës artificiale po përdorin gjithnjë e më shumë përmbajtjen e Wikipedia-s për të trajnuar modelet e tyre të të dhënave.
“Kanë qenë duke i rënë serverëve tanë pa pushim. Prandaj i kemi inkurajuar të regjistrohen dhe të përdorin produktet tona ‘enterprise’, që t’u ofrojmë një furnizim të strukturuar me të dhëna,” tha Jimmy Wales, themeluesi i Wikipedia-s.
Fondacioni Wikimedia, organizata jofitimprurëse që qëndron pas Wikipedia-s, është mbështetur kryesisht në donacione nga miliona individë në mbarë botën.
Sipas fondacionit, këto donacione publike janë të destinuara për të mbështetur aksesin e lirë të lexuesve në informacion, jo për të subvencionuar zhvillimin komercial të inteligjencës artificiale.
“Njerëzit nuk po dhurojnë për të financuar këto kompani gjigante të AI-së,” tha Wales.
“Mesazhi është i qartë: nuk mund ta shkatërroni faqen tonë. Duhet të vini dhe ta përdorni në mënyrën e duhur.”
Sistemet e automatizuara, si modelet e mëdha gjuhësore (LLM), janë tashmë ndër përdoruesit më të mëdhenj të përmbajtjes së Wikipedia-s, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi serverët e saj.
“Shumica e burimeve të të dhënave, përfshirë edhe monitorimet që ne vetë kryejmë, tregojnë se njerëzit po mbështeten gjithnjë e më shumë te Wikipedia, në një kohë kur edhe modelet e mëdha gjuhësore dhe mjetet e AI-së po e përdorin atë për të dhënë përgjigje,” tha Maryana Iskander, CEO e Fondacionit Wikimedia.
Platforma e drejtuar nga vullnetarë ka tashmë një marrëveshje me Google, të njoftuar në vitin 2022, si dhe kontrata të tjera me kompani më të vogla të AI-së si Anthropic, Perplexity dhe francezen Mistral AI, si edhe me motorin e kërkimit Ecosia.
Themeluesi i Wikipedia-s thekson se kompanitë e inteligjencës artificiale që mbështeten te përmbajtja e saj duhet të kontribuojnë më shumë në mirëmbajtjen e platformës.
“Po përpiqemi të punojmë me këto kompani për t’u thënë se, nëse po përdorni Wikipedia-n dhe të gjithë kanë nevojë për të, sepse është dije e kuruar nga njerëzit, atëherë duhet të kontribuoni dhe të paguani pjesën tuaj të drejtë të kostos që po na shkaktoni,” përfundoi Wales.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.