Drejtuesit e marketingut (CMO) në disa nga markat më të mëdha në botë e vendosën inteligjencën artificiale në qendër të strategjive të tyre këtë vit. Por për disa prej tyre, entuziazmi kaloi në territor të rrezikshëm.
Nga reklama të gjeneruara me AI që ranë në “uncanny valley” (të çuditshme dhe artificiale), te reagimet kundër zëvendësimit të modeleve njerëzore dhe krijuesve të reklamave, roli gjithnjë e më i madh i AI-së në reklamim prodhoi një varg momentesh të debatueshme. Reagimi kundër AI-së madje u shndërrua në një trend më vete: marka që “urrejnë” AI-në. Një sondazh i zhvilluar në nëntor me mbi 6,000 konsumatorë amerikanë nga platforma e gjurmimit të markave Tracksuit zbuloi se perceptimi ndaj reklamave të gjeneruara me AI ishte kryesisht negativ (39%). Neutraliteti ishte gjithashtu i lartë (36%), ndërsa vetëm 18% e të anketuarve u shprehën pozitivë ndaj përdorimit të përmbajtjes së krijuar me AI në reklama.
Matt Barash, drejtor komercial në platformën adtech Nova, tha se ndërsa AI mund të jetë shumë e dobishme për blerjen dhe vendosjen e reklamave, markat duhet të tregojnë kujdes të shtuar kur përpiqen të automatizojnë procesin kreativ. “Kur markat i kërkojnë AI-së të shpikë histori nga zero, ato nuk marrin inovacion, marrin një përafrim të emocioneve njerëzore. Dhe rezultati mund të bëhet lajm për arsyet e gabuara,” u shpreh Barash.
Më poshtë janë disa nga polemikat më të spikatura të reklamimit me AI gjatë këtij viti.
McDonald’s dhe reklama festive “më e tmerrshme”
McDonald’s Netherlands publikoi këtë muaj një reklamë festive të gjeneruar me AI — por e hoqi shpejt, pasi u bë e qartë se publikut nuk po i pëlqente aspak. Reklama me titull “Koha më e tmerrshme e vitit” synonte të ishte një satirë mbi kaosin e festave: aksidente në kuzhinë, thyerje kockash në pistat e akullit dhe slitë e Babagjyshit të mbetur në trafik. Mesazhi? Restorantet McDonald’s si strehë nga rrëmuja festive. Por komentuesit në rrjete sociale e quajtën reklamën cinike, me personazhe “të frikshme”. Pasi fillimisht çaktivizoi komentet në YouTube, McDonald’s e hoqi reklamën fare. Kompania deklaroi se e kupton që për shumë njerëz festat janë “koha më e bukur e vitit” dhe se mbetet e përkushtuar të krijojë përvoja pozitive për të gjithë.
Kamionët “metamorfozë” të Coca-Cola-s
Coca-Cola nuk ishte e re në polemikat me reklamat festive të krijuara nga AI. Edhe vitin e kaluar, versioni i “Holidays Are Coming” u kritikua si “dystopik” dhe “pa shpirt”. Megjithatë, këtë vit kompania publikoi tre reklama festive të gjeneruara me AI. Njëra prej tyre, një tjetër version i “Holidays Are Coming”, u vu në shënjestër nga komuniteti kreativ për mungesë konsistence: kamionët ndryshonin numrin e rrotave teksa reklama vazhdonte. PJ Pereira, bashkëthemelues i Silverside AI (kompania që prodhoi reklamën), e mbrojti vendimin e Coca-Cola-s: “Coca-Cola u bë pioniere sepse, sapo e kuptoi se AI është e ardhmja, ndaloi së debatuari nëse është perfekte dhe u fokusua te përdorimi më kreativ i saj.” Sipas Pereira-s, reklama performoi mirë në testime. Platforma System1 i dha vlerësimin maksimal (5.9), ndërsa kompania DAIVID raportoi nivele mbi mesataren e vëmendjes dhe kujtesës së markës.
“Gjyshja AI” e Meta-s: një klasik i zhanrit
Marka e veshjeve True Classic, e njohur për marketingun e saj të fuqishëm në Facebook dhe Instagram, u përball me një surprizë të pakëndshme. Platforma e reklamave e Meta-s zëvendësoi automatikisht reklamën e tyre më të suksesshme, një burrë i ri i veshur sportiv, me një imazh të një gjysheje të buzëqeshur, qartësisht të gjeneruar me AI. Disa reklamues thanë për Business Insider se mjetet AI të Meta-s kishin aktivizuar automatikisht krijimin e përmbajtjes, edhe kur ata e kishin çaktivizuar këtë opsion. Meta deklaroi se reklamuesit mund t’i rishikojnë imazhet para publikimit, por incidenti ngriti pikëpyetje serioze mbi kontrollin dhe transparencën.
Lexo edhe: “New Year, New You?” Pse strategjia po dështon?
H&M dhe “sulmi i kloneve”
H&M njoftoi në mars se do të krijonte “binjakë digjitalë” për 30 modele, të cilët do të përdoreshin në fushata dhe rrjete sociale. Modelet do të mbanin të drejtat mbi versionet e tyre digjitale — por reagimi publik ishte i ashpër. Influencerja amerikane Morgan Riddle e quajti planin “të turpshëm”, ndërsa Sara Ziff, themeluese e Model Alliance, ngriti shqetësime serioze për të drejtat e punëtorëve kreativë dhe rrezikun e zëvendësimit të tyre. H&M tha se po eksploron përdorimin e AI-së në mënyra të përgjegjshme dhe transparente, duke pranuar se ende nuk ka të gjitha përgjigjet.
Vogue, Guess dhe modelet AI
H&M nuk ishte e vetmja markë mode që eksperimentoi me AI këtë vit. Në numrin e gushtit 2025 të Vogue, lexuesit vunë re reklama të Guess me një shënim të vogël: “Prodhuar nga Seraphinne Vallora me AI”. Modelet “Vivienne” dhe “Anastasia” ishin krijime artificiale. Reagimi në rrjete sociale ishte i ashpër, me akuza për standarde jorealiste bukurie dhe kërcënim për vendet e punës në industrinë kreative. Disa përdorues madje kërcënuan të anulojnë abonimet e tyre. Botuesi i Vogue, Condé Nast, sqaroi se modelet AI nuk janë përdorur kurrë në përmbajtje editoriale.
@gma Vogue is facing criticism for running a Guess ad that used AI-generated models in its latest issue. Stephanie Ramos has more on the controversy and what it means for the fashion industry. #vogue #ai #aigenerated #fashion ♬ original sound – Good Morning America
Një trend i ri: distancimi nga AI?
Polemikat rreth modeleve AI nuk janë të reja. Marka si Mango dhe Levi’s janë përballur me reagime të ngjashme vitet e fundit. Por një trend i ri po shfaqet: bashkëpunimet e markave me llogari sociale të krijuara nga AI ranë me rreth 30% në tetë muajt e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-ës, sipas të dhënave të platformës Collabstr. Mesazhi është i qartë: AI është një mjet i fuqishëm, por në reklamim, pa ndjeshmëri njerëzore dhe transparencë, mund të kthehet lehtësisht në një rrezik për markën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto