CEO i Salesforce, Marc Benioff, ka ndaluar së përdoruri fjalën “cloud”, një kthesë simbolike për njeriun që në vitin 1999 ishte ndër pionierët e cloud computing dhe që ndërtoi një perandori teknologjike me vlerë mbi 250 miliardë dollarë mbi këtë koncept. Vendimi tregon se sa rrënjësisht ka ndryshuar diskursi i industrisë së softuerëve në epokën e inteligjencës artificiale.
Benioff zbuloi se e ka hequr plotësisht nga fjalori i tij termin “cloud” pasi studime me fokus grupe treguan se klientët nuk duan më të dëgjojnë për teknologjinë cloud – ata duan të flasin për AI agents (agjentë inteligjentë). Sipas Business Insider, kjo ishte arsyeja pse gjatë fjalimit kryesor në konferencën vjetore Dreamforce në tetor, Benioff nuk e përmendi asnjëherë fjalën “cloud”, për herë të parë në historinë e eventit. “E hoqa totalisht fjalën cloud,” tha Benioff në një intervistë të fundit. “Nga fokus grupet mësuam se klientët nuk flasin më për cloud. Ata duan të flasin për ndërfaqen e tyre agentike.”
“Agentforce” zëvendëson dy dekada branding-u cloud
Ky ndryshim nuk është thjesht semantik. Salesforce ka nisur një ribrandim të gjerë të produkteve të saj kryesore nën emrin Agentforce, platforma e saj e agjentëve AI.
- Sales Cloud është bërë Agentforce Sales
- Service Cloud është shndërruar në Agentforce Service
- Platform tani quhet Agentforce 365 Platform
- Edhe Data Cloud është riemëruar Data 360
Sipas Business Insider, Benioff nuk e përjashton as mundësinë që vetë kompania Salesforce të riemërtohet në Agentforce. “Nuk do të më habiste,” u shpreh ai.
Lexo edhe:Shkurtime në ndihmën globale, Bill Gates ngre alarmin për pasojat te fëmijët
Salesforce dhe basti miliardësh mbi agjentët AI
Kjo strategji pasqyron bastin e madh të Salesforce mbi teknologjinë e AI agents – softuerë autonomë që mund të kryejnë detyra të shërbimit ndaj klientit, shitjeve dhe funksioneve të tjera të biznesit, të cilat tradicionalisht realizoheshin nga njerëzit. Së fundmi, kompania shkarkoi rreth 4,000 punonjës të mbështetjes ndaj klientit, pasi teknologjia Agentforce mori përsipër një pjesë të madhe të këtyre funksioneve. Gjatë raportimit të fundit financiar, Benioff bëri të ditur se Salesforce ka mbyllur mbi 18,500 marrëveshje Agentforce, nga të cilat 9,500 janë marrëveshje me pagesë, një rritje prej 50% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Përdorimi i token-ëve arriti në gati 540 miliardë vetëm në tetor, me një rritje mujore prej 25%. Kjo qasje është thelbësore për objektivin ambicioz të Salesforce për të arritur 60 miliardë dollarë të ardhura deri në vitin fiskal 2030, nga rreth 41.5 miliardë dollarë që parashikohen për vitin aktual. Vizionin e saj në AI, kompania e ka forcuar edhe me blerjen prej 8 miliardë dollarësh të Informatica, një kompani e specializuar në menaxhimin e të dhënave dhe mjetet AI për bizneset. Edhe pse fillimisht investitorët treguan skepticizëm, rezultatet e fundit financiare dhanë sinjale pozitive, duke e shtyrë Salesforce të rrisë parashikimin e saj për të ardhurat.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.