DERI SA VDEKJA TË NA NDAJË — Kur simboli i dashurisë dhe shpresës bëhet simbol i rezistencës - Business Magazine Albania

DERI SA VDEKJA TË NA NDAJË — Kur simboli i dashurisë dhe shpresës bëhet simbol i rezistencës

Me një performancë artistike të mbajtur në Hotel Marriot, Aleanca Gjinore për Zhvillim(GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)  nisën fushatën  “Deri sa vdekja të na ndajë”, e cila synon parandalimin e femicidit — një nga problemet më të mprehta sociale jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin.

Fushata u mbështet nga kostumografja e njohur shqiptare Iliriana Basha, fustani unik i zi i nusërisë i së cilës, u shndërrua në një simbol të fuqishëm të luftës kundër femicidit.

“Kjo fushatë na fton të shohim realitetin pa iluzione: dhuna nuk është fat, nuk është rastësi, dhe nuk është një histori e largët. Ajo është një krizë shoqërore që prek familjet tona, komunitetet tona dhe institucionet që duhet të garantojnë siguri. Me këtë event, ne hapim një hapësirë reflektimi, dialogu dhe veprimi. Sot, performanca vizuale, modelja me fustanin e ZI të nusërisë dhe mesazhet rreth nesh na kujtojnë se premtimi “derisa vdekja të na ndajë” nuk duhet — dhe nuk mund — të shndërrohet në një realitet tragjik.”- the Mirela Arqimandriti nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” 

Nën sloganin “Deri sa vdekja të na ndajë”, fushata fokusohet në informimin dhe edukimin e publikut mbi mënyrat e njohjes së modeleve të sjelljes që shpesh çojnë në femicid — dhe si të ndihmojmë dikë që mund të jetë në rrezik. Shërben si një apel i gjerë shoqëror për të vepruar paraprakisht dhe për të parandaluar rastet e femicidit.

Lexo edhe:“She’s Next” Women Leaders Breakfast, Ministria e Ekonomisë dhe kompania Visa diskutim për të fuqizuar sipërmarrëset shqiptare

Sipas të dhënave zyrtare, në 10 vitet e fundit (2014-2024) 121 gra e vajza kanë qenë viktima të  vrasjeve me dashje në Shqipëri. Janë 121 nëna, motra dhe vajza që mungojnë sot në shtëpitë e tyre. Dhe ndaj kësaj nuk mund të heshtim. Femicidi nuk është vetëm një krim. Është shkalla e fundit e një rruge të gjatë dhune, dështimesh institucionale dhe heshtjeje shoqërore.
Prandaj, fustani i zi i nusërisë, i krijuar nga Iliriana Basha, prezantohet në fushatë si një simbol kujtese dhe paralajmërimi. Një fustan nusërie, zakonisht shenjë e dashurisë, shpresës dhe fillimeve të reja, këtu na kujton gratë që humbën jetën nga dhuna — dhe përgjegjësinë e shoqërisë për të reaguar në kohë. Përmes këtij simboli të fuqishëm, fushata bëhet një zë rezistence ndaj femicidit dhe një thirrje për veprim kolektiv.
Fushata “Deri sa vdekja të na ndajë” do të vazhdojë në periudhën në vijim me një sërë aktivitetesh të fokusuara në edukimin publik — përmes materialeve informuese, burimeve dhe grupeve mbështetëse për gratë që përjetojnë dhunë, si dhe për komunitetet e tyre. Aleanca Gjinore për Zhvillim(GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)  na kujtojnë se femicidi nuk është çështje private, por përgjegjësi e të gjithë shoqërisë — sepse veprimi i duhur në kohë mund të shpëtojë një jetë.

Le të parandalojmë femicidin — së bashku.

Fushata u realizua me mbështetjen e McCann Beograd dhe McCann Tirana.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0