Nga Desmond Lachman* – Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar bisedimet tregtare me Kanadanë dhe ka njoftuar vendosjen e një tarife shtesë prej 10% për mallrat kanadeze, pas një spoti televiziv të financuar nga Ontario që përdorte zërin e ish-presidentit Ronald Reagan për të kritikuar tarifat. Ky episod është domethënës: edhe një herë, Trump pretendon se po mbron parimet tradicionale ekonomike të Partisë Republikane, ndërkohë që në realitet po ndjek politika që i përmbysin ato.
Shumë prej mbështetësve të tij e përshëndesin këtë drejtim të ri, por historia tregon se populizmi ekonomik i këtij lloji shpesh përfundon me inflacion të lartë dhe dështim ekonomik. Nga fermerët e sojës në Midwest, te punëtorët në Florida që po humbasin sigurimin shëndetësor, pasojat po bëhen tashmë të prekshme.
Tradicionalisht, Partia Republikane nga Calvin Coolidge te George H.W. Bush ka theksuar rëndësinë e balancimit të buxhetit dhe mbajtjes nën kontroll të borxhit publik. Siç shprehej me ironi ish-presidenti Herbert Hoover: “Të bekuar janë të rinjtë, sepse do të trashëgojnë borxhin kombëtar.” Por përtej aspektit moral, borxhi i tepërt, siç thekson historiani Niall Ferguson, ka qenë “shkatërrimi i çdo fuqie të madhe.”
Megjithatë, në vend që të frenonte akumulimin e borxhit publik, Trump e thelloi më tej deficitin me reforma fiskale dhe shpenzime masive, që sipas Congressional Budget Office do t’i shtojnë mbi 3.4 trilionë dollarë deficitit gjatë dekadës së ardhshme. Kjo do ta mbajë deficitin mbi 6% të PBB-së për një periudhë të gjatë, duke e çuar raportin borxh/PBB në 128% një nivel i ngjashëm me atë të Greqisë në prag të krizës së saj të borxhit në vitin 2010.
Një tjetër shtyllë tradicionale republikane që Trump ka braktisur është tregtia e lirë. Që prej marrjes së detyrës, “njeriu i tarifave”, siç e quan veten, e ka rritur normën mesatare efektive të tarifave nga më pak se 3% në rreth 17.5% niveli më i lartë në pothuaj një shekull. Ai pretendon se kjo do të zvogëlojë deficitin tregtar të SHBA-së, por në fakt tarifat janë përdorur shpesh si armë politike.
Përpara se të ndëshkonte Kanadanë për spotin televiziv, Trump vendosi një tarifë 50% ndaj importeve nga Brazili, si ndëshkim për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Lexo edhe: Tronditja që po sjell inteligjenca artificiale për gratë
Pasojat ekonomike janë të ndjeshme. Politikat e paqëndrueshme dhe të paparashikueshme me kërcënime, tërheqje e ndryshime të papritura kanë krijuar pasiguri tek bizneset dhe investitorët. Yale Budget Lab parashikon që tarifat e reja do të ulin me 0.5 pikë përqindjeje rritjen e PBB-së në periudhën 2025-2026, ndërsa inflacioni mund të rritet me 1.7 pikë përqindjeje.
Një tjetër devijim nga ortodoksia republikane është sulmi ndaj pavarësisë së Federal Reserve. Trump ka kërkuar uljen e normës bazë të interesit me tre pikë përqindjeje, ndonëse inflacioni qëndron mbi objektivin 2% të Fed-it. Ai ka kritikuar publikisht kryetarin Jerome Powell dhe ka tentuar të ndikojë në përbërjen e Bordit drejt një shumice të emëruar prej tij – çka do të garantonte një epokë me inflacion më të lartë.
Edhe më shqetësuese janë ndërhyrjet e drejtpërdrejta të administratës në treg. Marrja e 10% të aksioneve të Intel-it dhe kërkesa ndaj Nvidia dhe AMD për 15% të shitjeve të tyre në Kinë ngjajnë më shumë me socializëm sesa me kapitalizëm të tregut të lirë. Për më tepër, tarifa e re prej 100,000 dollarësh për aplikimet H-1B kufizon hyrjen e punëtorëve të kualifikuar në sektorin e teknologjisë, ndërsa politikat e ashpra të emigracionit po krijojnë mungesë fuqie punëtore në bujqësi dhe ndërtim.
Nga Amerika Latine deri në Turqi, historia ka treguar se populizmi ekonomik përfundon gjithmonë me kriza. Tregjet tashmë po japin sinjale paralajmëruese: rënia 10% e vlerës së dollarit, rritja 50% e çmimit të arit dhe interesat e larta të obligacioneve sugjerojnë se besimi i investitorëve të huaj në ekonominë amerikane po lëkundet.
Nëse ka një anë pozitive në këtë zhvillim, ajo është se kriza që po vjen mund të riafirmojë vlefshmërinë e parimeve tradicionale të politikës ekonomike që sot po mohohen nga vetë Partia Republikane.
*Desmond Lachman është bashkëpunëtor i lartë në American Enterprise Institute dhe ish-zëvendësdrejtor i Departamentit të Zhvillimit të Politikave në FMN.
Project Syndicate, 2025 /www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto