Banka e Shqipërisë feston 100-vjetorin, emeton monedhën e re përkujtimore - Business Magazine Albania

Banka e Shqipërisë feston 100-vjetorin, emeton monedhën e re përkujtimore

Banka e Shqipërisë shënoi sot 100-vjetorin e themelimit me një konferencë shkencore të nivelit të lartë, me temë “Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Guvernatori Gent Sejko, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, BERZH, guvernatorë bankash qendrore nga rajoni, akademikë dhe ekspertë të sektorit financiar.

Në mesazhet e tyre të dërguara me video, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, dhe Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në stabilitetin ekonomik dhe në forcimin e institucioneve vendase. Lagarde theksoi se “besueshmëria institucionale dhe kuadri i shënjestrimit të inflacionit kanë qenë thelbësore për suksesin e Bankës së Shqipërisë”, ndërsa Georgieva nënvizoi se “pavarësia e bankave qendrore është gur themeli i qëndrueshmërisë kombëtare”.

Në fjalën e tij hapëse, Guvernatori Sejko u ndal në rrugëtimin historik të Bankës, nga krijimi i saj më 1925, me iniciativën e Ismail Qemalit pas shpalljes së Pavarësisë deri te roli aktual si një institucion modern që synon integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore. “Çdo jubile është moment reflektimi dhe përgjegjësie. Ne duhet të vlerësojmë arritjet, por edhe të shohim me realizëm sfidat e së ardhmes”, u shpreh Sejko, duke përmendur tensionet gjeopolitike, inovacionin financiar dhe procesin e integrimit në BE si faktorë kyç për dekadën e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi Bankën e Shqipërisë “ndër të paktat institucione të vërteta të Republikës”, duke theksuar se ajo “ka fituar një besim që rrallëherë shoqëron institucionet publike shqiptare”.

Lexo edhe: Union Financiar Tiranë – Traditë dhe inovacion prej 30 vitesh

Në kuadër të përvjetorit, u prezantua edhe monedha përkujtimore “100 vjet Banka e Shqipërisë 1925–2025”, e punuar në argjend dhe me vlerë simbolike 100 lekë, si nderim për trashëgiminë institucionale të këtij shekulli veprimtarie bankare.

Konferenca u zhvillua në katër sesione, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi sfidat gjeoekonomike, politikat monetare, rolin e Evropës në një treg global të fragmentuar dhe të ardhmen e parasë digjitale.

Banka e Shqipërisë, e themeluar zyrtarisht më 2 shtator 1925 dhe që emetoi monedhën e parë kombëtare  frangun e artë  në vitin 1926, hyn kështu në shekullin e saj të dytë me synimin për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për t’u bërë pjesë e plotë e sistemit europian të bankave qendrore.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0