Qeveria shqiptare duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për ta shndërruar vendin në një ekonomi të bazuar mbi inovacionin. Ky është mesazhi që Ritva Heikkinen, Kryetare e Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasadori i Suedisë në Shqipëri Niklas Ström theksuan në një vizitë ditën e djeshme në një nga projektet që mbështeten financiarisht nga BE-ja, në kuadër të programit EU4Innovation.
Të dy përfaqësuesit vlerësuan arritjet e deritanishme të programit, duke theksuar se inovacioni është një faktor thelbësor për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, pasi ndihmon në krijimin e vendeve më cilësore të punës, rrit konkurrueshmërinë e bizneseve dhe u hap horizonte të reja të rinjve.
Ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes universiteteve dhe sektorit privat, si një hap i domosdoshëm për të përmirësuar ekosistemin e inovacionit. BE-ja, sipas tyre, është e angazhuar të mbështesë këtë proces dhe të ndihmojë në mbylljen e hendekut aktual mes kërkimit akademik dhe aplikimeve praktike në treg.
Heikkinen theksoi se zhvillimi i inovacionit në Shqipëri është ende në faza të hershme, ndaj Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 10 milionë euro për programin EU4Innovation. Përmes tij, BE synon të forcojë infrastrukturën e inovacionit, të ofrojë forma të ndryshme financimi për startup-et dhe bizneset, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qeverisë, universiteteve dhe sektorit privat.
“Inovacioni është gjithashtu në qendër të Planit të ri të Rritjes së BE-së, që po zbatohet në Shqipëri. Plani i Rritjes i vë njerëzit në plan të parë, duke zhvilluar aftësi, arsim, trajnim dhe duke krijuar mundësi pune. Por, ka edhe histori të vërteta suksesi në Shqipëri. Shqipëria ka një shpirt të vërtetë sipërmarrës. Shohim histori frymëzuese, të cilat tregojnë se kur talenti takon mundësinë, inovacioni lulëzon. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë inovatorët e Shqipërisë. Ne duhet të bashkojmë forcat për të ndërtuar një ekonomi inovacioni dhe rritjeje të qëndrueshme që sjell vende të reja pune dhe më të mira për qytetarët e Shqipërisë,” tha znj.Heikkinen.
Programi EU4Innovation bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida). Ai zbatohet nga GIZ Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Tiranë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto