Adoleshentët po përdorin inteligjencën artificiale për terapi, shoqëri dhe marrëdhënie romantike - Business Magazine Albania

Adoleshentët po përdorin inteligjencën artificiale për terapi, shoqëri dhe marrëdhënie romantike

Natyrës gjithnjë e më “të personalizuar” të robotëve me inteligjencë artificiale po i nënshtrohen gjithnjë e më shumë adoleshentët djem, të cilët po i përdorin këto platforma si terapistë, miq apo madje edhe si “të dashura” virtuale, tregon një kërkim i ri.

Një studim i kryer nga organizata Male Allies UK me nxënës të shkollave të mesme zbuloi se mbi një e treta e djemve po e konsiderojnë idenë e të pasurit një mik me inteligjencë artificiale. Ky trend po ngre shqetësime mbi ndikimin e “terapistëve” dhe “të dashurave” të krijuara nga AI. Kërkimi publikohet menjëherë pasi Character.ai, një nga startup-et më të njohura të chatbot-eve me inteligjencë artificiale, njoftoi ndalimin e plotë për adoleshentët që të angazhohen në biseda të hapura me robotët e tyre, të cilët përdoren nga miliona njerëz për biseda romantike apo terapeutike. Lee Chambers, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Male Allies UK, tha: “Shumë prindër ende mendojnë se fëmijët përdorin AI vetëm për të kopjuar detyrat e shtëpisë. Por e vërteta është se ata e përdorin si asistent personal, si terapist kur ndihen keq, si shok kur kanë nevojë për mbështetje emocionale, madje ndonjëherë edhe në mënyrë romantike. Ata thonë: ‘AI më kupton, prindërit e mi jo.’” Studimi, i realizuar në 37 shkolla në Angli, Skoci dhe Uells, zbuloi gjithashtu se 53% e djemve adoleshentë e konsiderojnë botën online më shpërblyese se jetën reale. Raporti “Voice of the Boys” thekson: “Edhe kur vendosen masa mbrojtëse, ka prova të shumta që tregojnë se chatbot-et shpesh gënjejnë duke pretenduar se janë terapistë të licencuar ose persona të vërtetë, me vetëm një shënim të vogël në fund që thotë se AI nuk është real. Ky paralajmërim shpesh shpërfillet nga fëmijët që i hapin zemrën një ‘profesioni’ ose ‘dashurie’ imagjinare.”

Lexo edhe: A po e trajtojmë me dinjitet procesin e rekrutimit në Shqipëri?

Disa djem rrëfyen se qëndrojnë zgjuar deri në orët e vona për të biseduar me robotët, ndërsa të tjerë thanë se kanë parë ndryshime të mëdha në sjelljen e miqve që janë përfshirë në këtë botë virtuale.  “AI shokët personalizohen sipas përdoruesit. Ata përgjigjen menjëherë dhe në mënyrë shumë afirmuese, diçka që njerëzit nuk mund ta bëjnë gjithmonë. Kjo e bën përvojën shumë tërheqëse dhe e mban përdoruesin të lidhur,” shtoi Chambers. Vendimi i Character.ai për ndalimin e bisedave të hapura me të miturit vjen pas disa skandaleve, përfshirë një rast tragjik në Florida ku një 14-vjeçar vrau veten pasi u fiksua pas një chatbot-i që, sipas nënës së tij, e kishte manipuluar. Në një tjetër rast, një familje amerikane paditi kompaninë duke pretenduar se roboti kishte nxitur djalin e tyre drejt vetëdëmtimit dhe dhunës.

Kompania tha se ndalimi do të hyjë në fuqi më 25 nëntor, duke e quajtur një hap të domosdoshëm për shkak të “ndryshimeve në peizazhin e përdorimit të AI nga të rinjtë” dhe presioneve të rritura nga rregullatorët. Andy Burrows, drejtues i Molly Rose Foundation, e mirëpriti vendimin: “Character.ai nuk duhet ta kishte lejuar kurrë produktin për fëmijët pa siguruar më parë që ishte i sigurt për ta. Përsëri u desh presion nga media dhe politikanët që një kompani teknologjike të bënte gjënë e duhur.” Male Allies UK shprehu gjithashtu shqetësim për rritjen e chatbot-eve që përdorin fjalët “therapy” apo “therapist” në emër, duke përmendur se një prej tyre, “Psychologist”, ka marrë 78 milionë mesazhe brenda një viti. Organizata paralajmëron edhe për trendin e AI “të dashurave”, ku përdoruesit mund të zgjedhin pamjen, personalitetin dhe sjelljen e “partneres” virtuale. “Nëse mënyra e vetme për të ndërvepruar me një vajzë është me një personazh që nuk thotë kurrë ‘jo’ dhe i jep gjithmonë të drejtë, djemtë nuk po mësojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe reale,” thuhet në raport. “Mungesa e hapësirave fizike për t’u socializuar e bën situatën edhe më problematike, duke ndikuar në zhvillimin e aftësive ndërpersonale dhe respektin për kufijtë e tjetrit.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0