A po e trajtojmë me dinjitet procesin e rekrutimit në Shqipëri? - Business Magazine Albania

A po e trajtojmë me dinjitet procesin e rekrutimit në Shqipëri?

Nga Aurela Murati- Pakënaqësia që dëgjohet gjithnjë e më shumë nga aplikantët gjatë proceseve të rekrutimit në Shqipëri më ka detyruar ta bëj këtë pyetje publike:

A po e bëjmë rekrutimin siç duhet, ne profesionistët e Burimeve Njerëzore? Apo mos ndoshta jemi kthyer, vetë ne, në një ndër arsyet e dështimit të këtij procesi jetik për çdo organizatë?

Kur e dëgjova për herë të parë ankesën nga një kandidat, nuk e besova. Te i dyti, u habita. Por kur filloi të më artikulohej si shqetësim konstant nga shumë aplikantë, njerëz të profileve të ndryshme, me përvojë e pa përvojë – ndalova dhe fillova të reflektoj seriozisht.

Rekrutimi nuk është një akt formal, është marrëdhënie njerëzore

Në thelb, rekrutimi është një marrëdhënie. Një marrëdhënie që nis me kontaktin e parë dhe që duhet të mbartë besim, respekt dhe transparencë nga të dyja palët. Por realiteti që raportojnë shumë kandidatë është shumë larg këtij ideali.

Pakënaqësitë që kanë ndarë me mua gjatë intervistave kanë qënë:

Intervista të paorganizuara, pa strukturë dhe pa fokus real.

Intervistues që ndërpresin kandidatin ose nuk dëgjojnë me vëmendje.

Mungesë transparence mbi kompaninë, kulturën apo rrugëtimin e karrierës.

Mungesë komunikimi pas intervistës pa përgjigje, pa informacion, pa ndjeshmëri.

Intervista fiktive, të zhvilluara vetëm “për procedurë”.

Premtime për telefonata që nuk realizohen kurrë. 

Pasojat janë më të thella se sa mendojmë

Si profesioniste e HR, më ka shqetësuar thellë kjo mungesë përkushtimi në kontaktin e parë që krijojmë me një aplikant sepse: 

  • Aplikimet serioze po bien, sepse njerëzit nuk besojnë më që pozicionet janë reale.
  • Kandidatët nuk paraqiten në intervistë, sepse janë ndjerë të injoruar më parë.
  • Aplikojnë edhe ata që nuk përmbushin kriteret, thjesht për të parë nëse do t’u kthehet një përgjigje.

Në këtë mënyrë, përmes përvojave të përsëritura negative, po shkatërrohet besimi i tregut të punës tek ne, Burimet Njerëzore.

Por HR është më shumë se një intervistë.

Ne nuk jemi thjesht një “departament mbështetës”. Ne jemi motori i zhvillimit njerëzor në një organizatë.

Roli ynë përfshin:

  • Përzgjedhjen dhe integrimin e talenteve
  • Trajnimin dhe zhvillimin profesional të stafit
  • Hartimin dhe zbatimin e politikave të vlerësimit
  • Menaxhimin e pagave, benefiteve dhe marrëdhënieve
  • Krijimin e një kulture organizative të shëndetshme
  • Menaxhimin e klimës dhe konflikteve në punë
  • Ndërtimin e ndjenjës së përkatësisë dhe bashkëpunimit

Atëherë pse të cenohet reputacioni ynë për një email të pa kthyer? Për një intervistë të dobët? Për mungesë etike dhe ndjeshmërie?

Çfarë duhet të përmirësojmë, tani:

  1. Transparencën në shpalljet e punës

Të përmbajnë përshkrim të plotë të detyrave, orarit, vendndodhjes, përfitimeve dhe kritereve reale të përzgjedhjes.

  1. Strukturën dhe profesionalizmin në intervista

Të përfshijmë specialistë të fushës përkatëse dhe të mos e trajtojmë intervistën si një formalitet. Le të jetë bashkëbisedim i ndershëm dhe njerëzor.

  1. Komunikimin etik me kandidatët

Të japim gjithmonë një përgjigje. Qoftë edhe një “nuk jeni përzgjedhur”, por me argumentim dhe respekt. Sepse po, ata meritojnë dinjitet edhe në refuzim.

  1. Ndërgjegjësimin për ndikimin tonë

Ne nuk përfaqësojmë vetëm një vend të lirë pune. Ne përfaqësojmë frymën e kompanisë, vlerat dhe mënyrën sesi trajtojmë njeriun. Ndaj duhet të veprojmë me integritet.

 Burimet Njerëzore janë ura që lidhin organizatën me tregun e punës

Ne jemi zëri i parë që dëgjohet nga jashtë, dhe ai që dëgjohet nga brenda. Nëse kjo urë shembet, humbasim talente, besim, reputacion dhe zhvillim.

 Kjo është një thirrje për reflektim. Për përmirësim. Për ndershmëri profesionale.

Ne nuk jemi thjesht zyrtarë rekrutimi. Ne krijojmë përvoja, ndikojmë në karriera, dhe ndërtojmë marrëdhënie që transformojnë organizata.

 Sepse ne e duam këtë profesion.

Sepse ne jemi arsyeja që dikush i bashkohet një kompanie.

Sepse ne jemi fillimi i çdo ndryshimi të mire dhe zhvillimit të tyre brenda kompanisë.

Sepse ne jemi njerëzorë, para se të jemi Burime Njerëzore.

vaspas

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0