Në pasditen e djeshme, në kuadër të klubit të librit “Bytes & Books” u zhvillua takimi i radhës, i cili solli në qendër të vëmendjes librin “Teknofeudalizmi: Çfarë e vrau kapitalizmin” të ekonomistit dhe ish-ministrit të financave të Greqisë, Yanis Varoufakis. I ftuar në këtë diskutim ishte Redi Muçi, përkthyesi i librit në gjuhën shqipe, pedagog dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Në një bisedë që ndërthurte filozofinë ekonomike, zhvillimin teknologjik dhe pasojat sociale të revolucionit dixhital, pjesëmarrësit u përfshinë në një reflektim mbi mënyrën se si teknologjia po ripërcakton themelet e kapitalizmit modern. Sipas Varoufakis, kapitalizmi klasik, i bazuar në konkurrencë dhe prodhim, po zëvendësohet nga një sistem i ri që ai e quan “teknofeudalizëm”, ku platformat dixhitale funksionojnë si “feude të reja”, ndërsa kompanitë e mëdha të teknologjisë si “feudalë modernë” që mbledhin “qiranë e cloud-it” pa prodhuar vetë mallra.
“Përkthimi i këtij libri ishte një udhëtim i vështirë, por edhe i nevojshëm për të kuptuar sesi ekonomia po përjeton një transformim që prek çdo aspekt të jetës sonë,” – u shpreh Redi Muçi, duke theksuar rëndësinë e leximit kritik të Varoufakis për të kuptuar raportin midis fuqisë ekonomike, teknologjisë dhe individit.
Lexo edhe: Çfarë solli ndalimi i monopatinave elektrike në Shqipëri?!
Geron Kamberi, bashkëorganizator i “Bytes & Books”, u shpreh se zgjedhja e këtij titulli nuk ishte rastësore: “Në një periudhë ku flasim për inteligjencë artificiale dhe dominimin e algoritmeve, ‘Teknofeudalizmi’ vjen si një lexim që na detyron të mendojmë për lirinë tonë reale në botën dixhitale. Libri është një ftesë për debat dhe ndërgjegjësim mbi ekonominë që po ndërtojmë çdo ditë.”
Ndërsa Albert Gjoka, bashkëthemelues i klubit, theksoi se diskutimet e këtij formati po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të kuptuar sfidat që sjell teknologjia në marrëdhëniet njerëzore dhe sociale: “Varoufakis nuk na ofron një tablo apokaliptike, por një paralajmërim të mençur për të ardhmen. Ai na kujton se për të qenë të lirë, duhet të kuptojmë mekanizmat që na kufizojnë, edhe kur ato vijnë të veshura me teknologji.”
Diskutimi i mbrëmshëm përmbylli një tjetër kapitull të suksesshëm të Bytes & Books, nismë që bashkon dashurinë për librin me reflektimin mbi teknologjinë dhe shoqërinë. Dhe ndoshta, siç do të thoshte vetë Varoufakis, kuptimi i vërtetë i së ardhmes që na pret nuk qëndron tek makinat, por tek mënyra si ne vendosim t’i përdorim ato.
Shihemi në takimin e rradhës së Bytes and Books!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
