Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike - Tafa: “Mbrojtja kibernetike është sot themeli i sigurisë kombëtare” - Business Magazine Albania

Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike – Tafa: “Mbrojtja kibernetike është sot themeli i sigurisë kombëtare”

Konferenca e 3-të e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike po zhvillohet në Tiranë më 9–10 tetor 2025, duke mbledhur përfaqësues të lartë politikë, ushtarakë dhe ekspertë të industrisë nga 32 vendet aleate dhe partnere të Aleancës, për të diskutuar mbi forcimin e qëndrueshmërisë kolektive dhe bashkëpunimit në fushën kibernetike.

Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa, theksoi se siguria kibernetike është kthyer në një ndër sfidat më përcaktuese të epokës moderne, duke u shndërruar në shtyllë të sovranitetit kombëtar dhe të mbrojtjes kolektive të Aleancës. “Siguria kibernetike është bërë një nga sfidat përcaktuese të kohës sonë. Ajo nuk është thjesht një çështje teknike, por një gur themeli i sovranitetit kombëtar, përgjegjësisë së përbashkët dhe stabilitetit demokratik,” deklaroi z. Tafa.
“Në vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se mbrojtja kibernetike nuk është më një shtesë e sigurisë kombëtare,por themeli i saj.”

Kryeministri Edi Rama, ndau përvojën e Shqipërisë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe theksoi përkushtimin për të mbrojtur infrastrukturën digjitale të vendit me standardet më të avancuara të sigurisë.

“Sot përballemi me një sulm kibernetik çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Shqipëria ka ndërtuar një nga muret më të forta mbrojtëse kibernetike mes vendeve të NATO-s,” u shpreh Kryeministri Rama.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, theksoi se mbrojtja kibernetike është një komponent kyç i sigurisë së përbashkët të Aleancës dhe se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me sfidat e kësaj epoke digjitale.

“Çdo ditë, aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë veprojnë në hapësirën kibernetike kundër nesh, duke u përpjekur të cënojnë mbrojtjen tonë, të dëmtojnë infrastrukturën kritike, të përgjojnë shoqëritë tona dhe të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare,” u shpreh z. Rutte.
“Askush nuk qëndron vetëm në NATO, ne qëndrojmë të bashkuar në këtë epokë digjitale, përballë atyre që synojnë të na dëmtojnë.”

Konferenca e Mbrojtjes Kibernetike e NATO-s 2025 zhvillohet për herë të parë në Shqipëri nën kujdesin e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, si një platformë strategjike për shkëmbimin e ekspertizës ndërmjet Aleatëve dhe për avancimin e politikave të përbashkëta në mbrojtjen e hapësirës digjitale.
Gjatë dy ditëve të saj, konferenca adreson tema që lidhen me investimet strategjike, rritjen e qëndrueshmërisë, bashkëpunimin publik-privat dhe rolin e NATO-s në vendosjen e standardeve ndërkombëtare të sigurisë kibernetike.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0