Prej kohësh është thënë se mungesa e gjumit të mjaftueshëm ndikon rëndë në shëndetin fizik, por çfarë ndodh me shëndetin mendor? Një studim i ri mbi të rinjtë e moshës 17–25 vjeç ka zbuluar se cilësia e gjumit, konsumimi i frutave dhe perimeve, si dhe aktiviteti fizik lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien mendore.
Madje, rezultatet sugjerojnë se rritja e konsumit të frutave dhe perimeve mund të zbusë efektet negative të një nate me gjumë të dobët mbi shëndetin mendor.
“Fjetja pak më mirë, ngrënia pak më shëndetshme, ose ushtrimi fizik edhe vetëm 10 minuta më shumë sesa zakonisht, lidhej me përmirësime në mënyrën se si ndiheshe atë ditë,” – tha autori kryesor i studimit, Dr. Jack Cooper.
Çfarë thotë studimi
Studiuesit nga Universiteti i Otago, Zelandë e Re, analizuan lidhjen mes gjumit, ushqimit dhe aktivitetit fizik tek të rinjtë, duke përdorur të dhënat e tre studimeve të mëparshme:
-
Një studim me 1,032 të rritur në Zelandën e Re, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
-
Një studim 13-ditor me 818 të rritur në Zelandën e Re, të cilët mbanin një ditar ditor.
-
Një studim tjetër 8-ditor me 236 të rritur, të cilët përdornin Fitbit për të matur aktivitetin fizik.
Lexo edhe: Këto janë shtetet evropiane ku studentët e huaj gjejnë më shumë mundësi pune
Rezultatet treguan se:
-
Gjumi cilësor ishte faktori më i fortë dhe i qëndrueshëm për mirëqenie mendore.
-
Konsumimi i frutave dhe perimeve vinte i dyti në renditje.
-
Aktiviteti fizik ndihmonte sidomos kur analizohej nga dita në ditë, tek i njëjti individ.
Interesant ishte fakti se marrja mbi mesataren e frutave dhe perimeve ndihmonte të zbusë efektet e një nate me gjumë të keq, ndërsa një natë e mirë gjumi mbrojti edhe në rast se dikush kishte konsumuar më pak fruta dhe perime.
“Kuptimi i faktorëve të stilit të jetesës që mbështesin mirëqenien ndihmon të rinjtë jo thjesht të ‘mbijetojnë’, por të lulëzojnë në këtë fazë kritike të jetës,” – u shpreh profesorja Tamlin Conner, bashkautore e studimit.
Pse gjumi është thelbësor
Gjumi nuk ndihmon vetëm shëndetin mendor, por edhe funksionet e trurit. Një studim tjetër me 3,000 të rinj nga Universiteti i Kembrixhit dhe Universiteti i Fudan në Kinë tregoi se ata që flinin herët, kishin gjumë më të gjatë dhe ritme më të ulëta të rrahjeve të zemrës gjatë natës, rezultonin më të mirë në lexim, fjalor, zgjidhje problemesh dhe teste të tjera mendore. Sipas NHS, nevoja për gjumë ndryshon sipas moshës. Ndërsa shumica e të rriturve të shëndetshëm kanë nevojë për 7–9 orë gjumë në natë, adoleshentët, fëmijët dhe foshnjat kanë nevojë për më shumë gjumë, pasi organizmi i tyre është ende në zhvillim. Mesazhi kryesor i shkencës: Gjumi cilësor, ushqyerja e shëndetshme dhe lëvizja e përditshme, edhe në doza të vogla, janë çelësi për lumturi dhe shëndet mendor më të mirë tek të rinjtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.