Nga Fatima Gorezi – Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik draftin e Kodit të ri Penal, i cili pritet të zëvendësojë atë ekzistues të vitit 1995. Drafti i cili është një punë 2-vjeçare e ekspertëve përfshin një serë ndryshimesh ligjore dhe hera-herës edhe ashpërsim të masave. Të parët që kundështuan draftin se cënonte lirinë e shprehjes dhe të medias ishin gazetarë dhe shoqatat e gazetarëve përfshi edhe ‘’Safe Journalist’’. Po ashtu edhe reagime në opinionin publik kanë ngritur shqetësimin për zgjerimin e ndërhyrjes penale në disa fusha që më parë rregulloheshin nga ndërhyrjet civile dhe administrative. Një shqetësim i tillë është ngritur edhe nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), të cilët i kanë dërguar një letër zyrtare ministrit Ulsi Manja ku i kërkojnë rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike të draftit të Kodit të ri Penal, sepse pasi sipas tyre cënon lirinë ekonomike. Business Mag bisedoi me Julian Saraçin, Presidenti i Këshillit të Drejtimit në APL. APL ka shprehur shqetësim në veçanti për nene që sipas saj rrezikojnë drejtpërdrejt lirinë ekonomike dhe funksionimin e tregut të lirë. Përkatësisht:
Neni 537, që penalizon “tarifa të papërshtatshme të shërbimit”, cënon parimin e autonomisë së çmimeve në ekonomi dhe ndërhyn në marrëdhënie kontraktuale që duhet të rregullohen përmes së drejtës civile ose mekanizmave tregtarë. Ky nen krijon hapësirë për interpretim subjektiv dhe mund të penalizojë padrejtësisht ofrues shërbimesh.
Neni 604, që e bën penal vonesën në pagesën e tatimeve, rrezikon të penalizojë sipërmarrjet për shkak të vështirësive reale të tregut, si vonesat e pagesave nga klientët apo institucionet publike. Transformimi i një detyrimi tatimor administrativ në kundërvajtje penale rrit pasigurinë dhe tensionin mbi biznesin, duke kufizuar lirinë e veprimit ekonomik.
Neni 625, që ndalon ofertat alternative kur ekziston një marrëveshje paraprake, cënon konkurrencën dhe krijon rrezik penal për sjellje që normalisht janë pjesë e mekanizmave natyrorë të tregut. Formulimet e paqarta krijojnë hapësirë për interpretim arbitrar dhe kufizojnë lirinë e veprimit të sipërmarrjeve.
‘’ Këto nene, nëse mbeten të papërshtatura, mund të çojnë në ndërhyrje të panevojshme penale në aktivitetin ekonomik, duke krijuar pasiguri ligjore dhe duke frenuar investimet dhe zhvillimin e tregut të lirë. Disa parashikime mund të krijojnë kufizime mbi të drejtat dhe liritë themelore, të mbrojtura nga Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Është e rëndësishme që këto dispozita të rishikohen në dritën e standardeve të BE-së dhe jurisprudencës ndërkombëtare për të garantuar përputhshmëri të plotë. ‘’ – thotë Saraçi.
Vonesat në pagimin e detyrimeve duket shpesh si një normë në Shqipëri, një realitet që përballojnë shumë biznese. Një nga sfidat kryesore për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme është menaxhimi i likuiditetit, i cili shpesh dëmtohet nga pagesat e vonuara nga klientët apo institucionet publike. Në këtë kontekst, Neni 604, që penalizon vonesat në pagesën e tatimeve, ka një ndikim të konsiderueshëm mbi këto bizneset.
‘’Neni 604 paraqet një rrezik të konsiderueshë, pasi penalizimi me gjobë ose burgim për vonesa të tilla mund të çojë në stres të panevojshëm financiar dhe juridik. Efekti i menjëhershëm do të jetë presioni mbi likuiditetin dhe mund të kufizojë investimet dhe zgjerimin e biznesit. Afatgjatë, kjo mund të rezultojë në një klimë biznesi më të rezervuar, me rritje të mosbesimit ndaj sistemit tatimor dhe shmangie të rritjes së sipërmarrjeve. Një alternativë më e balancuar do të ishte forcimi i masave administrative dhe incentivat për pagesa në kohë, në vend të ndëshkimeve penale të përgjithshme.’’ – thotë Saraçi.
Lexo edhe: Tirana humbet terren në garën globale të startup-eve. Marku: Po rritemi më ngadalë se konkurrentët
Më tej ai argumenton se: ‘’përdorimi i inteligjencës artificiale dhe i sistemeve digjitale të monitorimit të pagesave mund të ndihmojë Administratën Tatimore të identifikojë vonesat reale nga ato të qëllimshme, duke mundësuar zbatimin e politikave bazuar mbi teorinë e incentivave fiskale. Sipas modelit klasik të financave publike, sjellja e tatimpaguesve ndikohet nga probabiliteti i zbulimit dhe madhësia e ndëshkimit, por edhe nga përfitimet konkrete të pagesës në kohë. Duke aplikuar këtë parim, tatimpaguesit inkurajohen të paguajnë jo për shkak të frikës nga ndëshkimi penal, por për shkak të stimujve të matshëm, si ulje gjobash për pagesa të hershme, afate fleksibile ose incentiva fiskale të përshtatura sipas profilit të biznesit. Kjo qasje, në përputhje me rekomandimet e OECD-së për administrim tatimor modern, kombinon efikasitetin e kontrollit me drejtësinë dhe proporcionalitetin, duke mbështetur qëndrueshmërinë e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe duke forcuar besimin e tatimpaguesve në sistemin fiskal.’’
Efektet afatshkurtra dhe afatgjata të draftit të Kodit Penal mbi biznesin
Sipas Saraçit, efektet e menjëhershme të dispozitave të draft-Kodit Penal mbi biznesin mund të jenë të ndjeshme. ‘’Rritja e pasigurisë ligjore dhe presioni penal mbi marrëdhëniet tregtare ka potencialin të frenojë vendimet për investime dhe të kufizojë fleksibilitetin operacional të sipërmarrjeve. Studime të ndryshme mbi efikasitetin e politikave fiskale dhe regulatore, si ato të OECD-së dhe Bankës Botërore, tregojnë se ndërhyrjet penale në marrëdhëniet ekonomike rrisin kostot e tranzicionit dhe shtojnë stresin financiar, duke nxitur bizneseve të shmangin marrëdhënie ose investime që mund të perceptohen si të rrezikshme nga një perspektivë ligjore.’’
Ky qëndrim nënvizon një realitet të njohur në mjediset e biznesit; investitorët kërkojnë stabilitet dhe siguri ligjore përpara se të marrin vendime për kapital dhe zgjerim. Vendosja e presionit penal mbi marrëdhënie që tradicionalisht janë trajtuar përmes mjeteve civile apo administrative, krijon një perceptim rreziku që shkon përtej pasojave ekonomike, duke prekur edhe klimën e përgjithshme të besimit.
‘’Në një perspektivë afatgjate, ndikimet mund të jenë edhe më strukturore. Mosbesimi ndaj institucioneve dhe shqetësimet për interpretim subjektiv mund të çojnë në ulje të investimeve të huaja dhe vendase, shmangie tatimore dhe kufizim të konkurrencës së shëndetshme. Studimet mbi marrëdhëniet midis stabilitetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik, duke përfshirë ndikimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit mbi rritjen e biznesit, tregojnë se ndërhyrjet penale në marrëdhënie tregtare, sidomos kur janë të paqarta dhe të përgjithshme, pengojnë inovacionin dhe zgjerimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kjo ka për pasojë një treg më pak dinamik dhe më pak efikas, ku liria ekonomike është e kufizuar dhe potenciali për zhvillim afatgjatë është i ngadalësuar.’’ -argumenton Saraçi.
Një klimë ku sundimi i ligjit perceptohet si i paqartë ose arbitrar, krijon një hendek të madh midis Shqipërisë dhe vendeve të rajonit që synojnë të tërheqin investime të huaja. Nëse kompanitë fillojnë të shmangin zgjerimin për shkak të frikës nga interpretimi penal, kjo do të thotë më pak inovacion, më pak konkurrencë dhe një treg më pak atraktiv për kapitalin ndërkombëtar. Për rrjedhojë, ekonomia humbet potencialin e saj afatgjatë për rritje dhe diversifikim.
‘’Për të ruajtur klimën e biznesit dhe për të maksimizuar efektivitetin e politikave fiskale, është me rendesi që dispozitat e Kodit Penal të rishikohen me qartësi ligjore, proporcionalitet dhe harmonizim me standardet ndërkombëtare. Studime mbi teorinë e incentivave fiskale dhe menaxhimin modern të tatimeve tregojnë se politikat që kombinojnë kontrollin me stimuj pozitivë (si incentiva për pagesa të rregullta, fleksibilitet në afate dhe ulje gjobash për sjellje të mirë fiskale) rezultojnë më efektive se ndëshkimi penal i përgjithshëm. Në këtë mënyrë, mund të ruhet besimi i sipërmarrjeve në institucionet publike, të mbështetet zgjerimi dhe inovacioni i tyre, dhe të krijohet një treg i lirë, efikas dhe i qëndrueshëm.’’ – thotë ai.
Kjo qasje jo vetëm që siguron mbledhjen efektive të të ardhurave, por edhe forcon marrëdhënien mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke ndërtuar një klimë më të qëndrueshme dhe të besueshme për zhvillim.
Kodi i ri Penal vazhdon të jetë në konsultim dhe përpara se të hyjë në fuqi, do të marrë edhe aprovimin e Bashkimit Europian.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto