Milionerët që po ngrijnë trupin për një shans të dytë në jetë, dhe në pasuri - Business Magazine Albania

Milionerët që po ngrijnë trupin për një shans të dytë në jetë, dhe në pasuri

Milionerët që ngrijnë trupin për një shans të dytë në jetë, dhe në pasuri

Ideja për të jetuar përgjithmonë ka qenë gjithmonë pjesë e fantazisë njerëzore. Por sot, për disa nga njerëzit më të pasur në botë, kjo ide po merr një formë shumë konkrete: ngrirjen e trupit pas vdekjes me shpresën se shkenca e së ardhmes do t’i rikthejë në jetë. Kjo praktikë quhet krioprezervim (cryonics). Në thelb, bëhet fjalë për ruajtjen e trupit në temperatura shumë të ulëta menjëherë pas vdekjes, me shpresën se në të ardhmen teknologjia do të jetë në gjendje të riparojë dëmet biologjike dhe ta rikthejë personin në jetë.

Për një kohë të gjatë, cryonics konsiderohej një ide pothuajse fantastiko-shkencore. Por sipas Mark House, një avokat që punon me organizatën amerikane Alcor Life Extension Foundation, perceptimi ka ndryshuar. Siç ka deklaruar ai për Bloomberg: “Ideja e krioprezervimit ka kaluar nga një teori e çmendur në diçka thjesht… ekscentrike.” Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për teori. Aktualisht rreth 500 njerëz në botë janë tashmë të ngrirë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Vetëm Alcor ka rreth 1,400 anëtarë, ndërsa mbi 230 persona janë tashmë në gjendje krioprezervimi.

Sa kushton të ngrish trupin për të ardhmen?

Kjo procedurë nuk është aspak e lirë.

  • Rreth 220,000 dollarë kushton krioprezervimi i gjithë trupit.
  • Rreth 80,000 dollarë kushton një alternativë më radikale: neurokrioprezervimi, ku ruhet vetëm truri, zakonisht brenda kokës së ndarë nga trupi.

Ideja është që, nëse truri ruhet mirë, një ditë mund të rikrijohet ose të transplantohet në një trup të ri. Edhe nëse dikush ringjallet pas 200 apo 300 vitesh, lind një problem tjetër: pasuria. Nëse një person ngrin trupin sot, paratë që ka lënë pas mund të mos vlejnë pothuajse asgjë në të ardhmen. Inflacioni dhe ndryshimet ekonomike mund ta bëjnë të pavlefshme çdo kursim. Prandaj disa juristë dhe ekspertë financiarë po mendojnë për mënyra që pasuria të “mbijetojë” bashkë me pronarin. Avokatët kanë filluar të krijojnë një strukturë të re ligjore të quajtur “revival trust”. Kjo është një lloj fondi financiar që ruan pasurinë për një periudhë shumë të gjatë, madje për shekuj, me idenë që personi që ringjallet në të ardhmen të ketë ende akses në pasurinë e tij. Në thelb, është diçka e ngjashme me dynasty trust, një instrument që përdoret nga familjet shumë të pasura për të ruajtur pasurinë për breza të tërë dhe për të shmangur disa taksa. Por në këtë rast ka një ndryshim të madh: pasuria nuk i kalon një brezi tjetër… por vetë personit në të ardhmen.

Lexo edhe: “The One Penthouse” në rivierën shqiptare, shitet për €1 milion!

Kjo ide ngre një sërë pyetjesh interesante.

  • A konsiderohet një person i vdekur kur krioprezervohet?
  • Nëse një ditë ringjallet, a është i njëjti person?
  • A mund të përfitojë dikush nga një fond që e ka krijuar vetë për veten?

Sipas juristëve, ligji aktualisht e konsideron personin të vdekur në momentin e krioprezervimit. Kjo do të thotë se, teknikisht, ai nuk mund të jetë përfitues i drejtpërdrejtë i fondit të vet. Megjithatë, versioni i “ringjallur” i tij në të ardhmen mund të konsiderohet përfitues, duke krijuar një situatë ligjore të pazakontë.

Edhe pse për disa njerëz ideja për të “mposhtur vdekjen” është joshëse, askush nuk e di nëse teknologjia do ta bëjë ndonjëherë të mundur rikthimin në jetë të njerëzve të ngrirë. Për momentin, krioprezervimi mbetet më shumë një bast për të ardhmen sesa një garanci. Dhe ndoshta, siç thonë disa skeptikë, ndonjëherë është më e thjeshtë të pranosh se jeta ka një fund, dhe të vendosësh që pasuria të shkojë për një kauzë të mirë.

Sepse imagjinoni të zgjoheni pas disa shekujsh dhe të pyesni: “Ku jam? Kush jam? Dhe pse jam vetëm një kokë?”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0