Politico: Shqipëria luftë korrupsionit dhe drejt BE-së me ndihmën e inteligjencës artificiale - Business Magazine Albania

Politico: Shqipëria luftë korrupsionit dhe drejt BE-së me ndihmën e inteligjencës artificiale

Ndërsa pjesa tjetër e Europës debaton mbi sigurinë dhe kufijtë e inteligjencës artificiale, Shqipëria po e përdor këtë teknologji për të përshpejtuar procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Madje, po shqyrtohet mundësia e krijimit të një ministrie të drejtuar plotësisht nga AI.

Kryeministri Edi Rama shkruan Politico përmendi muajin e kaluar inteligjencën artificiale si një mjet për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën, duke theksuar se kjo teknologji mund të bëhet së shpejti anëtari më efikas i qeverisë shqiptare. “Një ditë, mund të kemi një ministër që drejtohet plotësisht nga AI,” tha Rama gjatë një konference për shtyp në korrik, duke diskutuar mbi digjitalizimin. “Në këtë mënyrë nuk do të kishte nepotizëm apo konflikte interesi,” shtoi ai.

Rama theksoi gjithashtu mundësinë që zhvilluesit vendas të krijojnë një model AI që mund të zgjidhet ministër, çka mund ta bëjë Shqipërinë “shtetin e parë me qeveri të plotë me ministra dhe kryeministër të drejtuar nga AI.” Edhe pse nuk janë ndërmarrë hapa formalë dhe posti i kryeministrit nuk është ende “në dispozicion” për AI, Rama tha se ideja duhet marrë seriozisht në konsideratë.

Ben Blushi, ish-politikan i partisë në pushtet dhe autor me interes të thellë për AI-në, tha se nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga teknologjia dhe se shtetet e drejtuara nga AI janë një mundësi reale që mund të riformësojë konceptin tonë të demokracisë. “Pse duhet të zgjedhim mes dy apo më shumë opsioneve njerëzore, nëse shërbimi që marrim nga shteti mund të bëhet nga AI?” ngre pyetjen Blushi. “Shoqëritë do të qeverisen më mirë nga AI sesa nga ne, sepse nuk bën gabime, nuk ka nevojë për pagë, nuk mund të korruptohet dhe nuk ndalon punën.”

Inteligjenca artificiale tashmë në përdorim

Sipas Jorida Tabakut, anëtare e parlamentit për Partinë Demokratike, AI është një mjet, jo një mrekulli. Në duar të duhura, mund të transformojë qeverisjen, por në duar të gabuara, bëhet “një maskë digjitale për të njëjtin dysfunksion të vjetër.” Ajo theksoi se përpara se të aplikohej AI në mënyrë të gjerë, i gjithë sistemi i qeverisjes duhet të kalojë një rivlerësim.

Aktualisht, AI përdoret në administratë për menaxhimin e prokurimeve publike, një fushë që BE ka kërkuar të përmirësohet, si dhe për analizimin e transaksioneve tatimore dhe doganore në kohë reale, duke identifikuar parregullsi. Territori i vendit monitorohet gjithashtu nga dronë inteligjentë dhe sistemet satelitore që përdorin AI për të kontrolluar ndërtimet ilegale, plazhet publike dhe plantacionet e kanabisit në zonat rurale.

Po ashtu, ka plane për përdorimin e AI për të përmirësuar sigurinë rrugore, duke përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës për t’i dërguar shoferëve sinjale digjitale për të ulur shpejtësinë, si dhe për të njoftuar për gjobat e shpejtësisë përmes mesazheve ose email-eve. Shqipëria ka aktualisht një nga normat më të larta të aksidenteve me fatalitet në Europë, kryesisht për shkak të shpejtësisë.

Ekzistojnë gjithashtu aspirata për të përdorur AI në shëndetësi, arsim dhe identifikimin digjital të qytetarëve. Por Tabaku theksoi se duhet të ketë konsultim publik dhe qartësi mbi mënyrën e përdorimit të teknologjisë, kostot dhe, më e rëndësishmja, se kush programon algoritmet. “Nëse të njëjtit aktorë që përfituan nga tenderët e korruptuar janë ata që programojnë algoritmin, nuk po shkojmë drejt të ardhmes. Po e lidhim të kaluarën,” tha ajo.

AI dhe integrimi në BE

Shqipëria bëri bujë në 2024 kur kryeministri njoftoi se AI po përdorej për të ndihmuar vendin në rrugën drejt BE-së. Pas hapjes formale të negociatave në 2022, vendi filloi të harmonizojë ligjet kombëtare me acquis-n e BE-së, një përmbledhje prej afro 250,000 faqesh ligjesh, rregullash dhe standardesh. Me fitoren e thellë të Ramës në zgjedhjet e përgjithshme 2025 dhe premtimin për anëtarësim në BE deri në 2030, filloi gara për përfundimin e punëve.

AI do të merret me përkthimin dhe identifikimin e divergjencave mes ligjeve kombëtare dhe atyre të BE-së, hera e parë që përdoret në këtë proces. Shqipëria ka bashkëpunuar me Mira Murati, ish-CTO e OpenAI dhe krijuese e ChatGPT, e lindur në jug të Shqipërisë. “Ne i kontaktuam menjëherë pas lançimit të ChatGPT,” tha Rama. Falë kësaj bashkëpunimi, negociatat me BE po zhvillohen me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Rama theksoi se Kroacia, e cila “shkëlqeu” në integrimin europian, përfundoi procesin në shtatë vjet, ndërsa Shqipëria synon ta bëjë këtë në pesë vjet, duke përfunduar dokumentacionin deri në 2027.

Shërbimet virtuale dhe liderët digjitalë

Iniciativa AI vjen ndërsa Shqipëria përqendrohet gjithnjë e më shumë te digjitalizimi. Rama njoftoi në korrik synimin për një ekonomi pa para deri në 2030, duke kaluar në pagesa vetëm digjitale. Në portalin e-Albania janë zhvendosur 95% e shërbimeve për qytetarët, ku përdoruesit përshëndeten nga një “punonjës virtual” i AI që ndihmon për dokumente tatimore, certifikata lindjeje dhe aplikime për leje dhe licenca.

Përveç përdorimit praktik, AI u përdor në mënyrë eksperimentale gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në maj, ku për 47 liderë europianë u krijuan versione elektronike “bebe” të tyre që flisnin në gjuhën amtare. Ky përdorim eksperimental tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Shqipëria ka nevojë për ekspertizë, burime njerëzore, qendra të dhënash dhe fonde për të përballuar këtë hap. Gjithashtu, implementimi i AI kërkon plan hap pas hapi, kontrolle ligjore dhe plane emergjente.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0