OpenAI është në prag të sfidojë fort rivalët si Anthropic dhe Google në garën për të integruar mjetet e saj të inteligjencës artificiale në funksionimin e agjencive federale të SHBA. Gjiganti i AI-së ka arritur një marrëveshje me Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme të SHBA-së (GSA), struktura që merret me blerjet qeveritare për të ofruar versionin ChatGPT Enterprise për agjencitë federale pjesëmarrëse për vetëm 1 dollar për agjenci gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo marrëveshje vjen vetëm një ditë pasi GSA përfshiu OpenAI, Google dhe Anthropic në listën e furnizuesve të aprovuar të AI-së, të cilët mund të ofrojnë shërbimet e tyre për agjencitë civile federale. Këto kompani do të listohen në platformën kontraktore Multiple Award Schedule (MAS), një mekanizëm që lejon agjencitë qeveritare të përdorin teknologji të përzgjedhura përmes kontratave të negociuara më parë, pa pasur nevojë për marrëveshje të veçanta me çdo furnizues.
Nuk është ende e qartë nëse konkurrentët e tjerë të AI-së do të ndjekin një strategji çmimi kaq agresive, megjithëse Josh Gruenbaum, komisioner i Shërbimit të Prokurimeve Federale në GSA, në një deklaratë inkurajoi kompanitë amerikane të AI-së që të ndjekin shembullin e OpenAI dhe të bashkëpunojnë me qeverinë.
Lexo edhe: Studimi që ngre alarmin: ChatGPT u jep adoleshentëve këshilla të rrezikshme
Përveç aksesit në ChatGPT Enterprise, OpenAI po ofron edhe përdorim të pakufizuar të modeleve të avancuara për një periudhë shtesë prej 60 ditësh. Punonjësit federalë do të kenë gjithashtu qasje në një komunitet të dedikuar përdoruesish qeveritarë, si dhe në burime trajnimi të personalizuara hyrëse, për t’u familjarizuar me mjetet e OpenAI-së.
Siguria e të dhënave është një shqetësim i madh për agjencitë qeveritare, të cilat druhen se informacionet e ndjeshme mund të përfundojnë në modelet e trajnimit të AI-së. TechCrunch i ka kërkuar GSA-së sqarime mbi mënyrat se si po mbrohen të dhënat qeveritare, përfshirë masat si instalime në vend (on-premises) apo përdorim të cloud-it privat, për të garantuar sigurinë maksimale.
Një zëdhënës i GSA-së i tha TechCrunch:
“Qeveria po ndjek një qasje të kujdesshme dhe të përqendruar tek siguria kur bëhet fjalë për AI-në. Kjo siguron që informacioni i ndjeshëm të mbetet i mbrojtur, ndërsa agjencitë përfitojnë nga efikasiteti që sjell inteligjenca artificiale.”
Zbritja agresive e OpenAI-së vjen vetëm pak javë pasi administrata Trump publikoi Planin e Veprimit për AI-në, i cili synon të nxisë ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe të integrojë më shumë teknologji AI në aparatin shtetëror. Kjo lëvizje gjithashtu vjen pas një urdhri ekzekutiv të presidentit Trump, i cili ndalon “AI të zgjidhur politikisht” (“woke AI”) dhe modelet që nuk janë ideologjikisht neutrale nga kontratat qeveritare.
TechCrunch ka kontaktuar edhe OpenAI për të mësuar më shumë rreth detajeve të kësaj marrëveshjeje me GSA-në dhe për të kuptuar se si kompania planifikon të përputhet me këtë urdhër të ri ekzekutiv.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.