Era e udhëtimeve pa shofer nis në Europë, Lyft zbulon planet për 2026-ën - Business Magazine Albania

Era e udhëtimeve pa shofer nis në Europë, Lyft zbulon planet për 2026-ën

Robotaksitë mund të jenë të disponueshme në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar përmes aplikacionit Lyft që vitin e ardhshëm.

Kompania amerikane e shërbimit të udhëtimit me makinë, Lyft, ka njoftuar një partneritet me gjigantin kinez të inteligjencës artificiale, Baidu, për të sjellë në Europë taksi autonome që në vitin 2026. Sipas njoftimit për shtyp të publikuar të hënën, automjetet e brezit të gjashtë Apollo Go të Baidu-së, të pajisura me teknologji të avancuar për drejtim autonom, do të ofrohen për udhëtime përmes aplikacionit Lyft në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar – në pritje të miratimeve rregullatore.

Në një postim në platformën sociale X, Baidu bëri të ditur se planifikon ta zgjerojë flotën e saj në “mijëra automjete” në të gjithë Europën gjatë viteve të ardhshme.

Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pasi Lyft njoftoi blerjen e aplikacionit evropian për taksi FREENOW, pronë e BMW-së dhe Mercedes-Benz-it, për një shumë prej afërsisht 200 milionë dollarësh (172.8 milionë eurosh), duke zgjeruar praninë e saj në 180 qytete në nëntë vende të Europës.

Lexo edhe: Tesla propozon t’i japë Elon Musk 29 miliardë dollarë që të mbetet CEO

Lyft, që deri më tani ka pasur një prani shumë të kufizuar në tregun europian, deklaroi se do të fokusohet fillimisht te Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, kryesisht për shkak të pranisë së krijuar nga FREENOW në këto vende, si dhe për shkak të “marrëdhënieve të thelluara me rregullatorët lokalë dhe operatorët e taksive”.

Për Baidu-n, ky partneritet përfaqëson një tjetër hap strategjik në përpjekjen për të zgjeruar praninë jashtë Kinës. Vetëm muajin e kaluar, kompania kishte njoftuar një marrëveshje me Uber për të sjellë veturat autonome në tregjet jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, me një fokus të veçantë në Lindjen e Mesme, përfshirë qytete si Dubai dhe Abu Dhabi si dhe në disa vende të Azisë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0