Apple sinjalizoi se po e merr më seriozisht garën për inteligjencën artificiale, duke prezantuar plane për të rritur ndjeshëm investimet në këtë fushë.
“E shohim AI-në si një nga teknologjitë më të rëndësishme të kohës sonë. Po e integrojmë në të gjitha pajisjet dhe platformat tona, si dhe në të gjithë kompaninë. Po ashtu, po rrisim ndjeshëm investimet tona,” deklaroi CEO i Apple, Tim Cook, gjatë thirrjes me investitorët për rezultatet e tremujorit të tretë 2025. “Apple ka qenë gjithmonë për marrjen e teknologjive më të avancuara dhe kthimin e tyre në diçka të lehtë për t’u përdorur dhe të aksesueshme për të gjithë, dhe kjo është në thelb të strategjisë sonë për AI-në,” shtoi ai. Gjatë diskutimit, Cook sqaroi se kompania po “rialokon një numër të konsiderueshëm njerëzish” për të punuar specifikisht në zhvillimin e AI-së. “Kemi një ekip të shkëlqyer dhe po i përkushtohemi me të gjithë energjinë tonë,” theksoi ai. Rritja e investimeve në AI ka ndikuar edhe në rritjen e shpenzimeve kapitale (CapEx) gjatë vitit, sipas kompanisë. Megjithatë, Apple sqaroi se vazhdon të ndjekë një model hibrid, duke mbështetur investimet kapitale edhe tek partnerë të tretë, gjë që do të kufizojë rritjen e vrullshme të këtyre shpenzimeve. Përpara thirrjes me investitorët, në një intervistë për CNBC, kompania deklaroi se është e hapur për blerje të reja (M&A) për të përshpejtuar zhvillimin e saj në AI. Apple ka blerë tashmë shtatë kompani këtë vit. Asnjë prej tyre nuk ka qenë me vlerë të lartë monetare, tha Cook, duke shtuar se ritmi i blerjeve aktualisht është rreth një çdo disa javë.
Kompania është kritikuar për ritmin e ngadaltë në adoptimin e AI-së dhe për mungesën e funksioneve të premtuara. Madje është akuzuar për promovimin e një versioni të përmirësuar të Siri-t me AI, i cili nuk ishte ende gati për lançim. Megjithatë, Apple është mbrojtur duke theksuar se nuk synon të jetë e para me çdo kusht, pasi lançimi i funksioneve të gabuara ose i produkteve që nuk funksionojnë siç premtohet do të ishte një gabim strategjik. Deri tani, Apple ka lançuar mbi 20 funksione të reja të quajtura “Apple Intelligence”, përfshirë mjete për inteligjencë vizuale, pastrim imazhesh dhe ndihmë në të shkruar. Më vonë këtë vit, kompania planifikon të sjellë funksione të reja si përkthimi në kohë reale dhe një “shok stërvitjeje” me AI. Megjithatë, përmirësimet më të personalizuara të Siri-t janë shtyrë për në vitin 2026. Gjatë thirrjes, Cook deklaroi se “po bëjmë përparim të mirë” në përditësimin e Siri-t. Ai komentoi gjithashtu mbi ndikimin që AI mund të ketë në biznesin e iPhone, sidomos nëse në të ardhmen shfaqen pajisje të reja si syzet inteligjente, të përmendura nga CEO i Meta, Mark Zuckerberg, si një mënyrë e re për të ndërvepruar me AI-në. Cook, natyrisht, nuk ishte dakord.
“Është e vështirë të imagjinosh një botë ku iPhone nuk është pjesë e saj,” tha ai. “Kjo nuk do të thotë që nuk po mendojmë edhe për forma të tjera, por besoj se pajisjet me AI do të jenë plotësuese dhe jo zëvendësuese.” I pyetur se cilat teknologji AI mendon Apple se do të kthehen në produkte të komoditizuara (commodity), Cook refuzoi të përgjigjej, duke thënë se kjo do të zbulonte pjesë të strategjisë së kompanisë. Apple raportoi shitje më të mira se pritej për iPhone dhe të ardhura rekord për tremujorin e tretë, gjë që solli një rritje të menjëhershme të aksioneve në tregjet pas mbylljes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto