Nuk ekziston gjë e tillë si publicitet i keq? Aktorja Gwyneth Paltrow është kthyer përkohësisht në zëdhënësen e kompanisë së teknologjisë në qendër të skandalit “kiss cam” gjatë një koncerti të Coldplay. Videoja e re promovuese e Astronomer, me një ton autoironik dhe thumbues, është bërë virale dhe konsiderohet një leksion i shkëlqyer për menaxhimin e krizave të imazhit. Por kush fshihet pas kësaj lëvizjeje të zgjuar? Skandali që përfshiu rrjetet sociale në mënyrë të furishme nuk e rrëzoi kompaninë në qendër të vëmendjes. Përkundrazi, Astronomer vendosi të shfrytëzojë këtë moment të pakëndshëm si një trampolinë publicitare.
Pas incidentit të famshëm ku CEO i martuar i kompanisë, Andy Byron, u filmua duke përqafuar shefen e burimeve njerëzore Kristin Cabot gjatë një koncerti të Coldplay, kompania publikoi një video të re promocionale, me protagoniste Gwyneth Paltrow, ish-bashkëshortja e vokalistit të Coldplay, Chris Martin.Në videon njëminutëshe, Paltrow falënderon publikun për interesin e papritur ndaj kompanisë, që deri pak ditë më parë ishte thuajse e panjohur për publikun e gjerë.
“Jam angazhuar për një periudhë shumë të shkurtër për të folur në emër të mbi 300 punonjësve të Astronomer,” thotë ajo.
“Kompania ka marrë shumë pyetje kohët e fundit dhe ata më kërkuan t’u përgjigjem më të shpeshtave.” Një pyetje shfaqet më pas në ekran: “OMG, what the actual…” — por përpara se të shfaqet fjala përfundimtare (një sharje e njohur me katër shkronja), videoja kalon sërish te Paltrow, e cila vijon duke prezantuar shërbimet që ofron kompania në fushën e automatizimit të të dhënave.
Një tjetër pyetje del në ekran: “Si po ia del skuadra juaj e rrjeteve sociale?” — por ndërpritet sërish nga aktorja, e cila përmend një konferencë të ardhshme të kompanisë në shtator.
“Tani do të rikthehemi tek ajo që dimë të bëjmë më mirë: të ofrojmë rezultate që ndryshojnë lojën për klientët tanë,” përfundon ajo.
Strategjia e Astronomer ka qenë e zgjuar dhe e qartë, të mos e shmangë ”turpin”, por ta përqafojë dhe ta kthejë në avantazh. Në vend që të fshihej pas heshtjes apo mohimeve, kompania e ka përdorur fenomenin e pop-kulturës si një trampolinë për vetë-promovim.
Lexo edhe: “Kur profesionet janë pasion dhe s’të duhet të punosh asnjë ditë” Njihuni me Krist Martiron!
Por Paltrow nuk është i vetmi emër i njohur i përfshirë në këtë kundërpërgjigje thumbuese. Kompania e Ryan Reynolds, Maximum Effort, është angazhuar gjithashtu në realizimin e videos.
“Faleminderit për interesin tuaj, @astronomerio! Tani do të rikthehemi te çfarë dimë të bëjmë më mirë: filma me Hugh Jackman, Fastvertising dhe futboll me Wrexham,” – shkruhet në postimin e Maximum Effort në X.
Pete DeJoy, bashkëthemeluesi dhe CEO i ri i Astronomer, falënderoi Maximum Effort në një postim në LinkedIn:
“Një falënderim i veçantë për ekipin e Maximum Effort për punën e tyre të jashtëzakonshme me zëdhënësen tonë shumë të përkohshme. Siç tha edhe Gwyneth Paltrow, tani është momenti të kthehemi te thelbi ynë: ofrimi i rezultateve transformuese për klientët tanë.”
Pas viralizimit të klipit të njohur si Coldplaygate, fillimisht Byron dha dorëheqjen si CEO i Astronomer, dhe më pas, më 25 korrik, edhe Cabot hoqi dorë nga roli i saj si drejtore e burimeve njerëzore. Nga ana tjetër, transmetimet online të këngëve të Coldplay janë rritur me 20%, sipas të dhënave nga Luminate, ndërsa interesi për Astronomer ka qenë në rritje të vazhdueshme.
Kompania, e themeluar në vitin 2018, ofron shërbime për ndërmarrjet që duan të shfrytëzojnë fuqinë e inteligjencës artificiale për menaxhimin e të dhënave. DeJoy e përshkroi vëmendjen mediatike si “të pazakontë dhe surrealiste”, duke shtuar:
“Ndonëse kurrë nuk do të doja që emri ynë të dilte në pah në këtë mënyrë, Astronomer tani është një emër i njohur në çdo shtëpi.”
Ndërkohë, edhe vetë Chris Martin e ka përmendur incidentin në një koncert të mëvonshëm:
“Do të vendosim disa prej jush në ekranin e madh. Nëse nuk keni bërë make-up-in, tani është momenti!”
Liam Gallagher, gjithashtu, ka bërë shaka në një koncert të Oasis: “Mos u shqetësoni ata që po tradhtojnë – ne nuk kemi kamera si të Coldplay këtu!”
Si për ta bërë edhe më të pabesueshme këtë histori, një lojë kompjuterike e frymëzuar nga momenti viral është tashmë online: Coldplay Canoodlers, ku lojtari luan rolin e kameramanit dhe duhet të identifikojë çiftin duke u përqafuar në turmë.
Madje, fjala “Coldplayed” është futur edhe në fjalor nga Ultimate Classic Rock, me kuptimin:
“Të ekspozohesh pa dashje gjatë një tradhtie, veçanërisht në publik dhe në evente të mëdha.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto