Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, nëse do të kishe një telefon, shumë gjasa ishte që ai të ishte Nokia. Me dizajne praktike, qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe një reputacion të pakrahasueshëm për cilësi, Nokia ishte sinonim i teknologjisë mobile. Por historia e kësaj kompanie finlandeze nuk është vetëm një histori suksesi, është gjithashtu një paralajmërim për çdokënd që zgjedh të mos evoluojë me kohën.
Epoka e artë: Kur Nokia lidhte botën
Themeluar në vitin 1865 si një fabrikë letre, Nokia evoluoi ndër vite në një korporatë teknologjie. Por ishte në dekadën e fundit të shekullit XX që ajo do të bënte revolucionin e saj më të madh: dominimin e tregut të telefonisë mobile. Modele ikonike si Nokia 3310 u bënë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të miliona njerëzve në të gjithë globin. Në vitin 2007, Nokia kontrollonte mbi 50% të tregut global të telefonave celularë, duke lënë larg çdo konkurrent. Slogani “Connecting People” nuk ishte vetëm një moto marketingu – ishte realiteti i një kompanie që e kishte në dorë rrjetin e komunikimit të njerëzimit.
Por gjithçka ndryshoi më 9 janar 2007, kur Steve Jobs prezantoi iPhone, një pajisje me ekran të plotë me prekje, pa tastierë fizike, e aftë të shndërrohej në kamerë, muzikant, shfletues interneti dhe më shumë. Në fillim, shumë në industrinë e telefonisë, përfshirë drejtuesit e Nokia, e përçmuan këtë risi. Ata besonin se konsumatorët nuk do të heqin dorë nga tastierat fizike. Por publiku ra në dashuri me idenë e një telefoni “smart”.
Gabimi strategjik: Injorimi i së ardhmes
Ndërkohë që Apple dhe më pas Google me Android nisën të revolucionarizojnë tregun, Nokia zgjodhi të vazhdojë me sistemin operativ Symbian, një platformë tashmë e tejkaluar nga dinamika e re teknologjike. Vetëm kur tregu tashmë ishte pushtuar nga iOS dhe Android, Nokia filloi të përpiqej të kthehej në garë. Por ishte shumë vonë.
Lexo edhe:Elon Musk sfidon Trump: A ka shanse partia e re për sukses në SHBA?
Nga një lider global në një kompani që luftonte për mbijetesë, Nokia u shit në vitin 2013 tek Microsoft për rreth 7 miliardë dollarë. Tentativa për t’u rilindur si një markë smartphone-sh Windows dështoi. Marka që dikur simbolizonte suksesin teknologjik… u kthye në një kujtim nostalgjik për miliona përdorues.
Historia e Nokia nuk është histori e mungesës së burimeve apo aftësive teknike. Është histori e mospranimit të ndryshimit, e mbivlerësimit të status quo-së dhe e nënvlerësimit të inovacionit. Në një botë ku teknologjia ndryshon me shpejtësi marramendëse, asnjë kompani, sado e madhe ,nuk është e paprekshme. Nokia nuk humbi sepse nuk kishte teknologji. Humbi sepse nuk pa të ardhmen, sepse nuk pati guxim të ndryshonte kur bota ndryshoi.
Nokia sot? Pas shumë përpjekjesh për t’u rilindur, Nokia është ende aktive në fushën e pajisjeve dhe infrastrukturës së rrjeteve. Por nuk është më marka që dikur mbante botën në dorë.
Inovacioni nuk pret askënd. Për të mbijetuar, duhet të parashikosh të ardhmen, jo vetëm të kujdesesh për të tashmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto