Elon Musk sfidon Trump: A ka shanse partia e re për sukses në SHBA? - Business Magazine Albania

Elon Musk sfidon Trump: A ka shanse partia e re për sukses në SHBA?

Elon Musk sfidon Trump: A ka shanse partia e re për sukses në SHBA?

Me përpjekjen për të krijuar një alternativë të institucionalizuar ndaj Donald Trump, pas një “marrëdhënieje” të përkohshme me të, Elon Musk është personaliteti më i fundit që përpiqet të sfidojë duopolin e ngulitur të partive Republikane dhe Demokrate në politikën amerikane, i konsoliduar që prej shekullit XIX. Partia e re, e quajtur America Party, synon të bëhet faktori përcaktues në Kongresin që do të zgjidhet në nëntorin e ardhshëm, pa përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të shndërrohet në një forcë shumicë. Për CEO-n e Tesla-s dhe SpaceX, si dhe presidentin e platformës X (ish-Twitter), kjo është një sfidë tejet ambicioze, ndoshta më sfiduese sesa zbritja në Mars, siç kanë ironizuar në një artikull të “New York Times” gazetarët Reid J. Epstein dhe Theodore Schleifer.

Iluzioni i një sistemi dy-partiak

Në pamje të parë, Shtetet e Bashkuara duken si një demokraci me dy parti. Por në realitet, çdo cikël zgjedhor përfshin dhjetëra kandidatë të tjerë. Në zgjedhjet presidenciale të fundit, përveç Trump dhe Kamala Harris, kandiduan edhe 22 figura të tjera politike nga parti të ndryshme – nga Partia e Gjelbër tek ajo Socialiste e Punëtorëve. Megjithatë, këta kandidatë të vegjël morën vetëm 1.9% të votave. Rasti më i suksesshëm në historinë moderne mbetet ai i Theodore Roosevelt në vitin 1912, i cili, pasi kishte qenë dy herë president, garoi jashtë sistemit tradicional dhe arriti 27.4% të votës popullore, duke fituar vetëm 6 nga 48 shtete. Edhe figura të tjera me ndikim rajonal, si George Wallace apo Ross Perot, arritën përkrahje të konsiderueshme, por pa mundur të kërcënonin realisht dominimin e partive tradicionale.

Pengesat institucionale për partitë e treta

Një nga barrierat më të mëdha për partitë e reja nuk është vetëm mungesa e njohjes, por legjislacioni i ndërlikuar zgjedhor. Secili shtet amerikan ka rregulla të veta për regjistrimin në fletët e votimit, që varen nga rezultatet e mëparshme ose kërkojnë mbledhje të mijëra firmave. Për shembull, në Kaliforni duhen nënshkrimet e 10% të votuesve të mëparshëm për një kandidaturë të re, ndërsa në Alabama duhet të ketë 20% të votave në zgjedhjet e mëparshme për t’u kualifikuar. Këto pengesa e mbajnë sistemin të mbyllur dhe të kontrolluar nga partitë tradicionale, të cilat kanë avantazhin e përhershëm ligjor dhe logjistik.

Lexo edhe:Analizë: (Gjeo)politika e demokracisë në Europën e gjerë

Strategjia realiste e Musk

Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme të figurave si Perot, që synuan menjëherë Shtëpinë e Bardhë, Musk ka një qasje më pragmatike: objektivi i tij është të zgjedhë disa deputetë dhe senatorë në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, duke krijuar një bllok i cili mund të ndikojë në balancat e Kongresit. Në një postim më 4 korrik në X, Musk tha se do të përqendrohej në “2 ose 3 vende në Senat dhe 8 deri në 10 distrikte të Dhomës së Përfaqësuesve”, duke synuar zonat ku diferenca mes demokratëve dhe republikanëve është shumë e ngushtë dhe ku votuesit e pavarur kanë peshë të konsiderueshme. Kjo strategji, ndonëse minimaliste, është vlerësuar si e mundshme nga disa analistë konservatorë, si Ross Douthat në New York Times.

Por a është e realizueshme?

Historia tregon se partitë e treta kanë pak gjasa të fitojnë vend në Kongres. Në Dhomën e Përfaqësuesve aktualisht nuk ka asnjë deputet të pavarur apo nga ndonjë parti tjetër. Rasti i fundit i tillë daton në vitin 1996. Në Senat, figura si Bernie Sanders apo Angus King konsiderohen të pavarur, por mbështeten fuqimisht nga demokratët dhe janë figura të njohura prej dekadash. Për më tepër, 97% e anëtarëve aktualë të Kongresit që kandidojnë për një mandat tjetër zakonisht rizgjidhen, çka e bën edhe më të vështirë për një parti të re të fitojë terren.

Mungesa e liderëve karizmatikë

Në historinë politike të SHBA-ve, partitë e treta kanë pasur sukses vetëm kur janë mbështetur nga figura me ndikim kombëtar apo rajonal, si Roosevelt apo Wallace. Në mungesë të një lideri të tillë karizmatik, edhe partitë me programe interesante kanë dështuar. Për këtë arsye, disa analistë mendojnë se Musk do të kishte më shumë ndikim politik nëse do të mbështeste kandidatë republikanë anti-Trump dhe të krijonte një bllok disidentësh brenda partisë republikane. Por kjo qasje, ndonëse më pragmatike, nuk përputhet me dëshirën e Musk për të qenë në qendër të vëmendjes politike. Ai nuk duket se dëshiron thjesht të ndikojë politikën, por ta udhëheqë atë.

Krijimi i America Party mund të jetë më shumë një shprehje e ambicies dhe karakterit disruktiv të Elon Musk sesa një strategji e mirëfilltë për të ndikuar realisht në politikën amerikane. Ashtu siç ka tronditur industrinë e makinave, teknologjisë dhe hapësirës, ai tani kërkon të trazojë edhe skenën politike. Por historia dhe struktura e sistemit amerikan tregojnë se rruga drejt suksesit politik për një parti të tretë është më e vështirë se çdo raketë drejt Marsit. Dhe për momentin, Musk duket më shumë si një “disruptor-in-chief” sesa një “commander-in-chief”.

FO

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0