Të ardhurat nga reklamat në Reddit po rriten tre herë më shpejt sesa tregu i përgjithshëm i rrjeteve sociale, sipas të dhënave të fundit nga WARC Media. Pavarësisht se në vitin 2024 kapën vetëm 0.4% të totalit të shpenzimeve globale për reklama sociale, Reddit pritet të arkëtojë 1.8 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, një rritje prej 49.6% në krahasim me një vit më parë. Ky trend pritet të vazhdojë, duke arritur në 2.5 miliardë dollarë në vitin 2026.
Reddit është pozicionuar si një “alternativë ndaj rrjeteve sociale”, falë natyrës së përqendruar në biseda tekstuale dhe komunitete me interesa të përbashkëta. Kjo e bën platformën veçanërisht tërheqëse për markat që kërkojnë angazhim autentik dhe rekomandime të sinqerta nga përdoruesit. Rreth 25% e postimeve në Reddit lidhen me rekomandime, ndërsa 42% e përdoruesve e konsiderojnë mundësinë për të bërë pyetje brenda komuniteteve të besuara si një nga tre arsyet kryesore për të hulumtuar produkte.
Investimet: Rritje e fortë në të ardhurat nga reklamat
Përveç rritjes së shpejtë të të ardhurave, Reddit ka investuar ndjeshëm në teknologjinë AI për të përmirësuar performancën e platformës në menaxhimin e përmbajtjes, përkthimin dhe licencimin. Funksioni i kërkimit të bazuar në AI – Reddit Answers – arriti në 1 milion përdorues aktivë në javë vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025. Gjatë një thirrjeje për fitimet në fund të vitit 2024, kompania raportoi se 60% e të ardhurave vinin nga nivelet e mesme dhe të poshtme të funnel-it të shitjeve, ndërsa reklamat për ndërtimin e markës kishin ritmin më të shpejtë të rritjes në më shumë se tre vite.
Lexo edhe:Steve Jobs parashikoi ChatGPT në 1985?!
Përdorimi: Reddit arrin në 606 milionë përdorues me shtrirje globale
Numri i përdoruesve aktivë ditorë (DAUs) arriti në 108.1 milionë në tremujorin e parë të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 31%. Ndërkohë, shtrirja e reklamave është zgjeruar në 606 milionë përdorues – më shumë se X (ish-Twitter) dhe shumë afër Snapchat (709 milionë). Përdoruesit e Reddit janë kryesisht meshkuj (59.8%), por me përfaqësim të mirë nga grupmosha 18-34 (41%) dhe 45+ (34%). Një tjetër aspekt unik i Reddit është mënyra si përdoruesit mbërrijnë në platformë – shpesh përmes kërkimeve në Google. Në vitin 2024, Reddit ishte një nga 20 termat më të kërkuar në Google, dhe i gjashti më i kërkuar gjatë 90 ditëve të fundit.
Performanca: Rekomandimet autentike nxisin angazhimin dhe besimin
Reddit është një burim i rëndësishëm për zbulimin e produkteve të reja. Rreth 76% e përdoruesve besojnë se përmbajtja në Reddit është më e “ndershme dhe e vërtetë” krahasuar me platformat e tjera. Për më tepër, një postim i vetëm organik nga një markë në javë mund të rrisë përmendjet pozitive me 3.5%, ndërsa tre komente me përmbajtje domethënëse nën postimet e përdoruesve mund të rrisin përmendjet pozitive me 2.2%. Formatet e reklamimit të fokusuara në biseda si Ask Me Anything (AMA) dhe Reddit Pro Trends ndihmojnë markat të ndërtojnë strategji autentike që rrisin besnikërinë e klientëve. Investimet në AI i kanë ndihmuar reklamuesit të dyfishojnë kthimin nga shpenzimet për reklama (ROAS) gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.
Sipas një analize të fundit të WARC, Reddit rezulton një nga dy platformat më efikase për reklamat sociale të paguara, duke ndikuar pozitivisht në performancën e kanaleve të tjera me një impakt mesatar prej 11%
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto